LAJMI I FUNDIT:

Lufta e robotëve në Ukrainë: Përplasja në front e sistemeve të telekomanduara

Lufta e robotëve në Ukrainë: Përplasja në front e sistemeve të telekomanduara

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Çdo ditë, përgjatë vijës së frontit prej 600 miljeve [965.6 kilometra] të luftës së gjerë 25-mujore të Rusisë kundër Ukrainës, këmbësoria ruse sulmon pozicionet ukrainase – shpeshherë në këmbë. Potencialisht, për çdo ditë qindra rusë vdesin në këtë proces.


Viktimat e tmerrshme të Rusisë në Ukrainë – ndoshta më shumë se 400 mijë të vrarë dhe të plagosur që nga shkurti 2022 – i kanë detyruar inxhinierët rusë të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zhvilluar sistemet e telekomanduara të cilat, në disa prej misioneve më të rrezikshme, mund të zëvendësojnë ushtarët prej mishi dhe gjaku.

Po pra: dronët tokësorë. Ose, ato që ushtritë i quajnë “mjete tokësore pa pilot” – UGV.

Derisa për misionet joluftarake të dy palët në luftën e Rusisë kundër Ukrainës kanë përdorur automjete të thjeshta me rrota dhe dhëmbëzorë që kontrollohen me teledirigjim – për të transportuar furnizimet, për të shkatërruar minat dhe transportuar viktimat – vetëm në fund të marsit UGV-të e armatosura, të modelit rus, u përdorën në luftë në një sulm të madh tokësor.

Megjithatë, ai sulm i parë robotik përfundoi në katastrofë për UGV-në eksperimentale. Ranë viktimë e armëve më të rrezikshme në fushën e betejës në Ukrainë: dronëve të tjerë. Mjeteve ajrore pa pilot [UAV].

Dhe, ky është problemi kryesor me të cilin duhet të përballen UGV-të teksa evoluojnë nga eksperimenti drejt armëve të luftës. UAV-të janë shumë avancuara. “Çdo gjë që lëviz në fushën e betejës shihet dhe goditet me dron”, ka thënë Samuel Bendett, analist në CNA – institut kërkimi në Virxhinia [ShBA].

Pra, derisa UGV-të, si ato që u futën në betejë në muajin e kaluar, mund të zëvendësojnë disa njerëz ushtarë në disa misione në ushtrinë që e para i vendosi ato – në ushtrinë ruse – këta robotë tokësorë nuk kanë gjasa të zgjasin shumë.

Dhe, kjo shtron pyetjen e efektivitetit të kostos. Në ushtrinë ruse, jeta është e lirë. Por, robotët janë të shtrenjtë. Ndoshta shumë të shtrenjtë kur UAV-të mund t’i gjuajnë dhe t’i shkatërrojnë që në çastin e tyre të parë në luftim.

Nuk dimë shumë për UGV-të me dhëmbëzorë që janë afërsisht pesë këmbë të gjata [152 centimetra] e të cilët muajin e kaluar ushtria ruse i vendosi rreth rrënojave të qytetit lindor Avdivka. Të ngjashëm në pamje me robotët e asgjësimit të bombave dhe të armatosur me granatahedhës automatikë, UGV-të duket se drejtpërdrejt drejtohen nëpërmjet radios nga një operator njerëzor.

“Si pjesë e misionit luftarak, një grup i dronëve sulmues morën pjesë në mbështetjen e operacioneve të sulmit, duke siguruar ndrydhjen e pozicioneve të armikut”, shkroi propagandisti rus, Boris Rozhin.

Rozhini pretendoi se UGV-të hodhën qindra granata në pozicionet ukrainase. Prova luftarake vërtetoi se robotët kërkojnë “zhvillim të mëtejshëm”. “Në të ardhmen”, shkroi Rozhini, “platformat e tilla do ta kenë vendin e vet në fushën e betejës.”

Ajo që Rozhini nuk përmendi është se, gjatë sulmit të marsit, dronët ajrorë që i përkisnin Brigadës së 47-të të mekanizuar të elitës së ushtrisë ukrainase, i vërejtën UGV-të dhe i goditën duke i bllokuar që në fillim dhe më pas duke shkatërruar të paktën dy robotë nga pesë ose gjashtë që duket se i kishin ndërtuar rusët.

Natyrisht, UGV-të ruse nuk janë të vetmet që pësuan nga UAV-të e Ukrainës. Një rrjet i punëtorive ukrainase, në një muaj prodhon 100 mijë dronë shpërthyes me kontroll nga një person [FPV], ndërsa brigadat ukrainase i kanë përdorur ato për të shkatërruar mijëra automjete ruse dhe për të vrarë mijëra – apo dhjetëra mijëra – trupa ruse.

Por, një ushtar i sapomobilizuar rus fiton vetëm 1 700 dollarë në muaj dhe, në mënyrë të pabesueshme, ka ende burime të bollshme. Edhe pas varrosjes së qindra-mijëra ushtarëve, që nga zgjerimi i luftës kundër Ukrainës, Kremlini ende arrin të rekrutojë ose të tërheqë 30 mijë ushtarë të rinj për çdo muaj – mjaftueshëm për të korrigjuar humbjet në linjën e parë të frontit.

Nëse UGV-të e Rusisë janë diçka si, le të themi Talon-i – UGV-ja klasike e Shteteve të Bashkuara – ato mund të kushtojnë më shumë se 100 mijë dollarë për një njësi. Dhe, kjo i bën ato shumë të shtrenjta për t’u zëvendësuar me një burim më të lirë: qeniet njerëzore.

Përgjigja, për zhvilluesit e robotëve ushtarakë dhe veçanërisht për zhvilluesit rusë, mund të jetë që të shikojnë kah qielli – dhe të bëjnë për UGV-të atë që zhvilluesit bënë një vit më parë për UAV-të. T’i bëjnë më të vogla dhe më të lira.

Në fillim të luftës më të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, të dy palët kryesisht lëshuan UAV-të e mëdhenj, shumëtonësh, prej shumë milionë dollarëve – dhe humbën me dhjetëra në mbrojtjen ajrore me bazë tokësore. Një vit më vonë, të dy palët kryesisht i kishin zhvendosur paratë dhe përpjekjet për dronët FPV të cilët mund të peshonin disa paundë [një paund ka 453.6 gramë] dhe me çmimin prej 500 dollarëve.

Të thjeshtë dhe të lirë, këta dronë FPV tani hasen kudo, gjatë gjithë kohës në linjën e frontit në Ukrainë. Funksionojnë si drone vëzhgimi, duke skanuar me kamera të lira, derisa operatorët e tyre ta dallojnë një objektiv. Më pas dronët bëhen vrastarë – duke u futur në objektivat e tyre me një ngarkesë shpërthyese dhe duke shpërthyer me forcën e një granate.

Nëse UGV-të mund të bëhen aq të vogla, të lira dhe vdekjeprurëse sa UAV-të FPV, ato mund të zënë vend në fushën e betejës.

“Ka të ngjarë që llojet e tjera të UGV-ve, të vendosura në muajt e ardhshëm, nuk do të jenë në dizajne të mëdha, të sofistikuara dhe të shtrenjta”, ka thënë Bendett.

Në këtë kuptim, ata robotë rusë tokësorë që e luftuan betejën e parë të madhe të llojit të tyre në muajin e kaluar, mund ta kenë provuar një koncept që tashmë është i vjetruar. Robotët që vijnë pas tyre mund të jenë më të vegjël dhe më të lirë.

Si mjaft të vegjël dhe mjaft të lirë, ndoshta në të vërtetë në shkallë të gjerë mund të zëvendësojnë njerëzit ushtarë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Bundesliga
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina
FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

Lajme
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Kalo në kategori