LAJMI I FUNDIT:

Lokalja dhe universalja tek figura e At Pjetër Bogdanit në veprën dramatike të Teki Dërvishit

Lokalja dhe universalja tek figura e At Pjetër Bogdanit në veprën dramatike të Teki Dërvishit
Ilustrim

Lexo po ashtu: Shmangia e mitit edhe mistifikimit të heroit kryesor

Nga: Haqif Mulliqi 

Figura e Pjetër Bogdanit është figurë margaritari në historinë dhe kulturën shqiptare. Janë të pakta figurat historike të një vendi dhe të një kombi që kanë aq shumë shtresime të domethënieve pozitive dhe të cilat ndërlidhen me lokalen dhe universalen e një vendi dhe të një kombi, si dhe me të të kaluarën dhe me të ardhmen e vendit dhe të kulturës së tij, siç është ajo e priftit të shquar shqiptar. Shi për këtë, ky punim paraqet një përpjekje tonën që ta bëjmë një shqyrtim të aspekteve që ndërlidhen me identitetin kulturor, atë shpirtëror, si dhe identitetin tonë kombëtar, e që ishin pjesë e diskursit politik, filozofik dhe poetik të At Bogdanit, qoftë si intelektual i përmasave evropiane, apo edhe si luftëtar i lirisë. Në këtë punim, këto çështje, qё ndërlidhen ngushtësisht edhe me kulturën shqiptare, do t’i trajtomë përmes dramës së njohur Teki Dërvishit, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, në të cilën autori i saj bënë përpjekje ta definojë atë që mund të konsiderohet lokale, apo edhe universale në filozofinë e jetës dhe veprës së Pjetër Bogdanit e qё mund të konsiderohet edhe si një ndjenjë e fuqishme e vetvetes. Është fjala për atë ndjenjën qё nisë të zhvillohet atëherë kur dikush apo edhe diçka nisë të diferencohet nga të tjerët, dhe kur nisë ta zë vendin e vetë në shoqëri dhe rrethanat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e saj, veçanërisht në kulturë.

E vërteta e Bogdanit e vërteta e autorit dhe e vërteta jonë


Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit është dramë e cila flet për dy kohë; për kohën e kryepersonazhit të dramës, si dhe për kohën e dramaturgut, kur e realizoi dramën. Në këtë vepër Teki Dërvishi bëri përpjekje serioze t’i vë në pah dhe t’i shquaj karakteristikat e dramës historike, si dhe marrëdhëniet me tipet tjera të caktuara të një drame si kjo. Kështu ai dëshmoi se sa fluid edhe sa vështirë të përcaktueshëm janë kufijtë ku ndërthuren apo ndahen tipet e dramave ndërmjet veti, si dhe për shkak të pamundësisë së përcaktimit të dimensioneve historike të disa nga ngjarjet që kanë ndodhur. Një personazh, siç është At Pjetër Bogdani i Teki Dërvishit ishte pjesëmarrës aktiv, por edhe pasiv i tyre. Përmes tipologjive përmbajtësore të paramenduara të kësaj drame, ndonjëherë, megjithëse qartë kemi të bëjmë me ngjarje të vërtetë historike, dramatike dhe me jehonë shumë të gjerë, megjithatë si poet, me vetëdije largohet pakëz nga konceptet e dramës historike. Shi për këtë, mendojmë se dramën Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit i Teki Dërvishit duhet ta kundrojmë si një lloj ideali, aq më tepër nëse kihen parasysh të gjitha kushtet e përgjithësimit brenda saj dhe të cilat janë gati-gati, lehtë të evidentueshme në një analizë diskursive si kjo jona në këtë punim.

Duke i shquar disa nga linjat e caktuara dramatike, pastaj linja të veprimit në dramë, si dhe duke lënë mënjanë aspekte të tjera të strukturës së dramës në përputhje me konceptet dhe pikëpamjet autentike për dramën bashkëkohore, autori ka përkapur dhe është përqendruar tek dimensionet dramatike dhe subjektive të kryepersonazhit të dramës së tij, por edhe të animatorëve (personazheve të tjera që më tepër janë figura skenike) të tij, duke e fuqizuar në këtë mënyrë vetë rrjedhën e zhvillimeve përkatëse të veprës me situatat dramatike si dhe konstruktin e karaktereve brenda vorbullës së një ngjarjeje madhore historike të shqiptarëve. Kjo na vjen nga Dërvishi, madje, duke i krijuar pozicion paralel zhvillimit të veprimit të kryepersonazhit, pra të Pjetër Bogdanit, statusi dramatik i të cilit në vepër e Dërvishit vjen disi i pavarur nga personazhet tjera, edhe pse, fati i tij është katalizator i veprimit dhe fatit të tërë njerëzve në këtë vepër dramatike.

Kjo na e kujton mendimin e teorikut të dramës dhe të teatrit Patris Pavis, i cili në studimin e tij të njohur Veprimi foljor flet për atë se “në teatër veprimi nuk duhet të jetë prore çështje e lëvizjes së personazheve dhe dinamizmit fizik të tyre, madje as të transformimit fizik të cilin në kushte dhe rrethana të caktuara mund ta përjetojnë ato e që është i vërejtshëm për neve”[1].

“Ai”, sipas këtij teoricieni, “gjendet në zemrën e ndonjë personazhi (në vendimin e caktuar, në evolucionin e brendshëm, etj.). Për më tepër në pajtimin e një konvente implicite të dramës, ku, secila fjalë mund të asimilohet me ndonjë veprim, për aq sa i jep autorit të vet aftësinë të veprojë në situatën dramatike dhe aq sa fjala e tij e zëvendëson veprimin e vetë fizik”[2].

Të këtillë Dërvishi na e sjell figurën e At Bogdanit në dramën e tij, të rrënuar, të sfilitur, të dëmtuar fizikisht, por me mendje dhe shpirt që valojnë si vullkan i vërtetë.

Sipas profesor Josif Papagjoni, grishja e autorit të dramës Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit i T. Dërvishit të vërtetën e Bogdanit, që është e vërteta e autorit, më saktë e vërteta jonë, e hulumton andej kah rrënjët ilire të shqiptarëve, kah vlerat dhe përkatësia perëndimore e tyre[3]. I një mendimi të përafërt me këtë është edhe ai i studiuesit dhe profesorit Nebi Islami, i cili mendon se te kjo dramë e Dërvishit, gjatë pasqyrimit të gjendjes së absurdit, drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, faktikisht vë në spikamë dhunën që vërsulej mbi shqiptarët nga:

“… hordhitë të cilat në emër dhe në petkun e idesë së shenjtë islame duke u përpjekur t’ua pacifizojnë vetëdijen sillnin nënshtrimin, tjetërsimin, humbjen e identitetit dhe gjenocidin shpirtëror e fizik në format më monstruoze si dhe dhunën perfide që ushtronin strukturat ideore bizantine, të cilat mohonin qenien e shqiptarëve”[4].

Kjo dramë, brenda vetes, sublimon edhe elementë të poetikës së vuajtjes dhe të ballafaqimit me sfida të rënda dhe të papërshkrueshme të një kohe, por që kanë refleksion të qartë dhe ndikues edhe tek koha e autorit të dramës. Ndërsa, si një lloj i dramës pikënisje e së cilës është pikërisht një segment i realitetit historik, për të cilën u thanë ca fjalë më lartë, ajo si e tillë shpaloset përmes gjërshetizimit të formësimit të fakteve të vërteta, atyre të konstruktuara si dhe fakteve të tjera fiksionale, të cilat pothuajse dominojnë veprën.

Të gjitha këto vijnë përmes një fondusi të gjerë me një duzinë ideshë, që janë rezultat i kërkimit të emocioneve të fuqishme, pastaj të anktheve, të kllapive e hove-hove edhe të halucinacioneve që shpijnë tek një patos i fortë dramatik. Në këtë kontekst, edhe përjetimet emocionale të kohës së ngarkuar me një peshë të rëndë të ngjarjeve dramatike, si dhe përfytyrimin e situatave përmes zbërthimit dramaturgjik të historisë së At Pjetër Bogdanit, na bëjnë të kuptojmë se këtu Dërvishi ia del që të krijojë koherencë midis të vërtetës historike dhe analizës së vet ngjarjes në të cilën është protagonist kryeheroi, nga distanca historike e kohës sonë. Kështu, gjejmë se krijohen edhe tiparet konkrete të cilat e fizionomizojnë kryepersonazhin e dramës Bogdanin, duke e shtyrë veprimin në lëvizje, si dhe ngjarjen e kësaj drame që zhvillohet përmes linjave të saj funksionale dramatike. Përmes tyre zbulohet atmosfera e kohës në të cilën ndodhë ngjarja; raportet shoqërore të asaj kohe si dhe konstruksioni psikik i At Bogdanit, e cila sikundër u tha na vjen përmes kllapive, anktheve dhe tmerreve që prekin rrafshet e ndryshme të ekzistimit ndërmjet realitetit dhe ëndrrës, jetës së këtejme dhe asaj të përtejme, por, mbi të gjitha të luftës për liri a vdekje.

Kështu tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, shfaqet një lloj shtresimi i realitetit objektiv, pastaj modaliteteve të realitetit subjektiv. Faktikisht i përshtaten modalitetet e shpërfaqjes së tij brenda rrethanave historike.

Tre tablo të portretit të një personazhi madhor historik

Që ta përcaktojmë tipin e shmangies nga realiteti në këtë dramë, do të ishte e domosdoshme që t’i zgjidhim kategoritë e vet realitetit të cilat shfaqen në të. Këtu, para së gjithash duhet t’i diferencojmë kategoritë siç janë: e jashtëkohshmja në të kohëshmen, e mundshmja në të pamundshmen, si dhe realen në fiktiven, të cilat nuk kanë “pretendime” që të bëjnë ndërhyrje përjashtuese karshi vetë realitetit si të tillë, por të vazhdojnë të ruajnë ndërmjet veti hapësirat në të cilat edhe janë ndërtuar. Për këtë mund të thuhet se tek drama në fjalë, realiteti historik sidomos nëse kësaj do t’i referoheshim nga pozita e asaj që quhet histori objektive është i kohës dhe si i këtillë ndonjëherë mund të përjetohet si joreal. Mbi të vërtetën që ka për synim zbërthimin dhe trajtimin para nesh të një portreti, i cili në dramaturgjinë tonë vjen pikërisht nga historia.

Ky është portreti i At Pjetër Bogdanit, i cili para nesh vjen në tre tablo të caktuara. E para si prift; e dyta si luftëtar dhe e treta si poet i shquar, gjithnjë përmes elementeve që e tipizojnë sot figurën e priftit shqiptar para syve të saj.

Të gjitha këto, jo ndoshta sipas kësaj radhitjeje siç i kemi vënë në pah ne, plotësohen dhe përplotësohen përmes rrjedhës së aksionit dramatik në vetë dramën, dhe përmes alternimit të rrethanave. Ndërsa, në tërë këtë brumë të ngjeshur poetik, epik dhe dramatik, gjithçka rrumbullakohet kryekreje, me aktin e vetësakrifikimit biblik të Bogdanit, apo siç thekson edhe profesor Papagjoni, përmes një apologjie të thellë mbinjerëzore, përmes së cilës vdekja shndërrohet në himn[5], por që nuk është dosido himni, por një gjakim për qëndresën kombëtare të një populli që bëri luftë pesëshekullore për liri dhe ruajtje të identitetit evropian, apo ripërtëritje kombëtare, që është vetë besa.

Dihet se në periudhën kohore që veproi Bogdani, por edhe para dhe pas saj, Shqipërisë dhe shqiptarëve, të goditur dhe të plagosur rëndë nga robëria, sipas dramës së T. Dërvishit Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit u kanosen lloj-lloj rreziqesh. I njësuar me vdekjen vjen rreziku nga murtaja, një epidemi të cilën pushtuesit otomanë me qëllime shfarosëse e përhapën disa herë në tokat shqiptare në Ballkan[6]. Në intencën e Dërvishit, ajo murtajë nuk vjen gjithmonë si sëmundje shfarosëse, por vjen si metaforë mbi frikën, mbi vdekjen dhe luftën për mbijetesë të një populli të tërë. Bile-bile, mund ta lexojmë edhe si murtajë pushtimi që vjen si konvertim i dhunshëm fetar dhe shpirtëror. Këtu autori na e sjell At Pjetër Bogdanin si një gur me rrënjë të thella dhe të pashkulshëm. Na e sjell si fuqi morale, arma kryesore e të cilit del të jetë, siç e quan Papagjoni, fjala e Zotit për ta mposhtur ‘murtajën’[7].

Në fakt, që nga fillimi i dramës, nga vetë ekspozicioni i saj, të gjitha linjat e veprimit (ndërsa janë tri sosh), sikundër u tha më lartë, janë përqendruar në pikëpjekjen e dy kohëve, asaj të kryepersonazhit, pra të Pjetër Bogdanit dhe tonës, të cilën e jetoi vetë autori , kohë që ishte dramatike po ashtu. Ky pikëtakim i këtyre dy kohëve, që në fakt shikuar në kontekste dhe përmbajtje më të gjëra kohore del të jetë i shumë kohëve, vjen në formë të reminishencës të së kaluarës dhe të aktualitetit.

Përmes kësaj, autori i dramës mbërrin gjer te pranimi i besimit të krishterë si pjesë e lirisë dhe identitetit perëndimor të shqiptarëve duke anatemuar të keqen e ardhur nga pushtimet e hordhive të Lindjes me konvertimet e imponuara prej saj.

… Që andej, Motër, gjithmonë që andej, nga lindja, këndej, në perëndim, na sollën murtajën, leprën, linë. Na sollën farën e luleve të purpurta që fluturojnë si zogj – dhe porsa të bijnë në tokë shpërthejnë si bushiqe, lule këto që helm e kanë nektarin. Puhizë pastaj i mbartë duke e sëmurë ajrin, ujin, dheu”[8].

Pikërisht ky është një vështrim i kthjellët e rilindës i autorit, kur në kohët e fundme është rishtruar për diskutim në qarqet intelektuale nevoja për qartësi në përcaktimin e identitetit historik të shqiptarëve[9]. Kështu hap pas hapi, duke u përvijuar për së gjëri dhe për së gjati nëpër vetë temën e kësaj drame e shohim se si, lufta e Pjetër Bogdanit për dritësimin e shqiptarëve nga autori shndërrohet në një shembull guximi.

Nga ana tjetër, siç do ta shohim edhe në shembullin e mëposhtëm, ravijëzimin e portretit të peshkopit Bogdani, T. Dervishi preferon ta kryej nëpërmjet pohimeve direkte të personazheve, se sa pranisë aktive dhe veprimit të drejtpërdrejtë skenik.

… Pjetri mbeti vetëm në Prishtinë. Nuk e përkrah askush: as Patrikana e Pejës, as Karposhi i Shkupit, as Vjena. Mbeti vetëm. Vetëm me një çetë shqiptarësh, pa para, pa armë[10].

Me këtë që u tha, mund të konstatojmë se me këtë dramë autori Teki Dërvishi e thellon, si dhe e zgjeron preokupimin e tij mjaft të madh qoftë si poet apo edhe autor dramash, me ç’rast, në epiqendër gjejmë, nga njëra anë një që mund ta identifikojmë si mekanizëm morbid të pushtetit të dhunës. Atij që është prodhues i errësirës fizike dhe shpirtërore të një vendi dhe të një kombi, që mund të portretizohet përmes të shëmtuarës, të egrës, jotolerantes dhe përfundimisht të së keqes shkatërruese dhe nga tjetra anë të vizioneve të një individi, shpirtit të tij iluminist e luftarak, idealistit dhe luftëtarit të paepur dhe frymëzues, element këto që i gjejmë si përbërës më karakteristik të Bogdanit në këtë vepër.

Duke i pasur parasysh mu këta elementë që e konstitojnë para nesh figurën e jashtëzakonshme të Bogdanit, e tërë rrethanën në të cilën ndodhet prifti shqiptar në misionin e tij të shenjtë e madhor, na sjell në akordancë edhe një mendim interesant të studiuesit tjetër të dramës, Dr. Besim Rexhaj, sipas të cilit: … konflikti dhe luftërat e këtilla, siç është lufta titanike e këtij prifti shqiptar, është një luftë e cila është projektuar ndërmjet mitikes dhe reales, midis legjendës dhe njëmendësisë, e cila sipas një logjike të veçantë të një kodi inventiv artistik, gjithsesi pavarësisht nga fakti që ka të bëj me një periudhë shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, megjithatë i referohet realitetit tonë[11].

Sqarimet dhe relacionet e termave kyçe të dramës

Nëse këtu, do të mëtonim që ta inkuadrojmë edhe të menduarit e Aristotelit mbi tragjedinë, përmes të cilave mëton që ta zbulojë natyrën e saj si dhe veçoritë që e karakterizojnë atë, që ta tregojnë vlefshmërinë e asaj që mbështetet tek reagimi ynë emocional lidhur me këtë dramë. Këtë shkarkim emocional (katarsis) e shkakton një dramë me konotacione të fuqishme tragjike, ku fati tragjik i një personazhit (në këtë rast At Bogdanit), njësohet me fatin tragjik të një vendi (Arbërisë) dhe të një populli (shqiptarëve). Ndaj dhe është mjaft e qartë se drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit është shumë më shumë se sa një dramë e rëndomtë.

Edhe sipas Aristotelit, qëllimi bazik i tragjedisë është përcaktimi i veprimit të artit në tragjedi që është arritja e katarsa, që do të thotë tek spastrimi apo zbrazja emocionale, element ky të cilin e gjejmë fuqishëm te vepra e Dërvishit i cili ia del që përmes figurës së priftit të shquar dhe ngjarjeve që pasuan pas dështimit të kryengritjes së tij për çlirim kombëtar, të krijojë në lidhje të fuqishme ndërmjet shikuesit/lexuesit të veprës si dhe ngjarjes. E kjo do të thotë se, ky autor, sikurse tek veprat e poetëve të njohur antik, na e ofron një rrugëtim të gjatë dhe dramatik nëpër kohë, ndërsa tragjikja si moment suprem i veprës e shkakton spastrimin tonë emocional përmes ndërprerjes së heshtjes mbi ngjarjet tragjike të vitit 1689 dhe të një aspirate shqiptare për çlirim të cilën e ideoi, e udhëhoqi si dhe u martirizua për të: prifti, luftëtari, poeti Pjetër Bogdani. Në tekstin ‘Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit’, siç e gjen edhe B. Rexhaj, konflikti midis individit kreativ dhe mekanizmit të dhunës është projektuar në sfondin e një konteksti historik, apo, e thënë më saktë, në koordinata të këtilla[12].

Ngjyrat e fuqishme dramatike dhe tragjike të një ngjarjeje dhe mbamendja historike

Është e domosdoshme që në këtë vepër të sqarohen edhe relacionet e termeve kyçe, të cilat si kontekste burojnë nga kjo dramë, duke filluar nga ajo që e identifikojmë si memoria, apo mbamendja, pra mbamendja individuale dhe kolektive; pushtim, dhunë, politikë, sëmundje, dramë historike dhe histori në dramë, që hapin pyetje të cilat Teki Dërvishi përpiqet t’i hapë që në hyrje të dramës, pra tek primesa e saj, të cilave mëton t’u japë përgjigje atje kur veprimi i dramës Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit nisë të shthuret në mënyrë të pazakonshme për dramat e ashtuquajtura të ciklit të traditës. Bile mund të thuhet se pikërisht në këtë pjesë finale të dramës, evidentohen ngjyra shumë të fuqishme dramatike e tragjike në ngjarje, të cilat ndikojnë në atë që edhe ana sublime dhe e madhërishme e çështjes që trajtohet në vepër, të vijnë të gërshetuara me rremba e damarë mistikë e parabolikë.

Duke analizuar figurën e At Pjetër Bogdanit në diskursin poetik të veprës dramatike të Teki Dërvishit, arrijmë tek një konstatim, sipas të cilit forca apo edhe procesi i të kujtuarit apo të reproduktimit të asaj që është mësuar apo edhe është përjetuar përmes asaj që e kemi identifikuar në shoqëri si mbamendje historike. Lidhur me këtë, gjejmë se Prof. Dr. Nebi Islami pikërisht duke e analizuar këtë vepër thekson se:

Në linjën e ringjalljes së kujtesës mbi personazhet historike, në një anë, të zhveshjes së dhunës, të mashtrimit, të iluzionit dhe të ndriçimit të situatave të caktuara jetësore kjo dramë ka përqendruar theksin në bashkërenditje të kthesave nga kohët e vjetra drejt kohës së re[13].

Është e njohur dhe e sprovuar se pamjet vizuale depërtojnë më lehtë tek publiku, në përgjithësi, si dhe mbahen mend më mirë.

Gjenitë apo njerëzit me mbamendje fotografike madje shumë shpesh i shfrytëzojnë asociacionet vizuale duke e përfshirë këtu edhe memorien[14]. Këtu, besojmë qëndron edhe intenca e poetit T. Dërvishit që figurën e At Bogdanit, ndriçimin e saj dhe të hedhjes dritë mbi idetë dhe porositë e tija në mënyrë më të efektshme, ta ndërtojë dhe ta sjell para nesh përmes një teksti dramatik e me të ta ushqejë edhe mbamendjen tonë kolektive për të si figurë, por edhe për rolin e priftërinjve shqip tar në procesin e frymëzimit dhe të iluminizmit të tyre.

Kur flasim këtu për mbamendjen kolektive, atëherë mund të thuhet se kjo është e ngjashme me atë që psikologët e identifikuan si të pavetëdijshmen kolektive. Kështu në fakt këtë e emërtoi edhe Karl Jungu. Këto momente shpërfaqen para nesh, sikur pretendon Dërvishi, sidomos përmes përmbajtjeve të përbashkëta e trashëguara të mbamendjës sonë. Ndërsa, burimi i dytë i mbamendjës kolektive, në rastin konkret për të cilin po flasim këtu, ka të bëjë edhe me njohuritë tona që krijohen përmes historisë dhe kulturës të një vendi dhe të një populli[15], apo edhe përmes veprimeve shembull të njerëzve që kanë krijuar ide dhe u kanë prirë ngjarjeve me qëllim të sendërtimit të atyre ideve.

Është pikërisht y momenti që ndërlidhet fuqishëm me figurën e At Pjetër Bogdanit zbërthimin e së cilës përpiqet ta bëjë edhe historiografia, por edhe Teki Dërvishi tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit. për këtë arsye kjo storie ndërthuret me historinë e këtij prifti, studiuesi, poeti dhe udhëheqësi shpirtëror shqiptar e që është shumë e përzemërt edhe për historianët dhe shkrimtarët e kohës sonë. Besojmë se kjo ka ndodhur edhe për shkak të fatit tragjik të Bogdanit, por, mbi të gjitha, mendojmë se ndodhi për shkak të virtyteve të tija siç ishin: intelektualizmi, vizioni, guximi i pashoq të këtij personazhi madhor nga e kaluara e jonë, të cilat e tipizojnë atë, e përmes tij edhe tërë popullin të cilit ky i përkiste.

Për martirizimin kombëtar të At Pjetër Bogdanit, T. Dërvishi, anipse flet përmes fiksionit si dhe një narracioni subjektiv, megjithatë, kjo vepër mund të konsiderohet edhe dramë historike. Bile, sikundër e gjejmë edhe tek studimet e Besim Rexhajt për këtë vepër, sidomos kornizat biografike të jetës së personaliteteve historike, më në fund, duke mos synuar të krijojë historinë e jetës dhe të veprës së kolosit tonë, me një qasje inventive seleksionuese, duke fiksuar vetëm disa episode kyçe të jetës dhe të veprës së këtij personaliteti, ia del mbanë synimit të tij në portretizim të Bogdanit, duke përdorur në dramë vetëm ato momente të rëndësishme të cilat ia krijuan mundësinë për artikulimin e koncepteve ideore dhe filozofike të kryepersonazhit të veprës e që janë vitale për portretizimin sa më të plotë të tij[16].

Historia dhe interpretimi i fakteve

Meqë jemi te kjo pikë, besojmë se ia vlen ta përmendim se është një numër i vogël i punimeve hulumtuese në botë, të cilët në një mënyrë apo tjetrën e kanë trajtuar apo edhe i kushtohen dramës historike, prandaj do theksuar se është e vështirë që ky zhanër të definohet në një mënyrë unike apo edhe më kreative. Ndër studimet e rralla, por të pakapërcyeshme që i është përkushtuar ekskluzivisht dramës historike është ai që e gjejmë tek libri i Herbert Linderbergerit – Drama historike: marrëdhënia ndërmjet letërsisë dhe historisë[17]. Edhe vet Aristoteli tek Poetika bën fjalë për atë se siç thotë ai: “Historiani dhe poeti. .. dallojnë për atë se njeriu flet për atë që ka ndodhur vërtetë, ndërsa tjetri mbi atë që ka mundur të ndodhë.”[18] Linderbergeri tek libri që u përmend më lart, flet për atë se si autori i një vepre historike bënë përpjekjet e tij që ta tejkalojë hendekun ndërmjet jetës dhe literaturës si përpiqet që përmes fakteve t’i afrohet të vërtetës. Kjo, në fakt është ajo të cilën edhe Aristoteli tek Poetika e definon duke theksuar se ndonjëherë “poezia është më e vërtetë se historia.”[19]

Duke e shqyrtuar qëndrimin dhe mendimet e Lindenbergut për çështjet për të cilat po flasim këtu, Marta Frajnd, një studiuese e njohur e dramës dhe e teatrit, ndër të tjerat thotë: “E konsiderojmë se nuk ekziston ajo histori e cila, të paktën pjesërisht nuk është edhe interpretim i fakteve historike.”[20]

Nga fundi i shekullit të XIX, me ripërtëritjen e interesimit për ta shkruar dramën si gjini letrare si dhe me një lloj ngarendjeje për të hulumtuar dhe gjetur forma të reje të dramës e cila e përplotësoi gjysmën e parë të shekullit XX, me këtë rast edhe drama historike, në një mënyrë apo tjetrën përjetoi një transformim të konsiderueshëm. Sipas interpretimeve të Dr. M Marta Frajnd:

Drama e re historike më nuk shkruhet që ta nderojë të kaluarën e një populli… por tek ngjarjet, e sidomos tek figurat e domethënieve të gjëra evropiane kërkojnë një ndërthurje qendrore të përshtatshme i cili do të mundej të shërbente si bazë e përshtatshme për rishqyrtim kritik të historisë të caktuar kombëtare apo evropian[21].

Kështu sipas saj, drama historike gjithnjë e më shumë u shndërrua në teatër politik[22]. Ndërsa të këtillë ne e gjykojmë edhe qasjen e Teki Dërvishit në krijimin e dramës Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, ngjarja e së cilës ka domethënie historike dhe politike për shqiptarët, ngase shpërfaq një përpjekje të tyre për liri nga robëria e gjatë dhe egër turke; nga një këndvështrim jo tradicional dhe jo konvencional përpiqet të hedhë dritë mbi fytyrën e një figure madhore nga kultura dhe historia e shqiptarëve, si dhe krijon agjendën e udhëtimit gjeostrategjik të shqiptarëve nga robëria drejt lirisë dhe nga lindja drejtë perëndimit. Domethënia e saj e dytë qëndron tek fakti i përmbajtjes evropiane të ngjarjes, pasi ngjarja përmes së cilës “evoluohet” para nesh figura madhështore e Bogdanit, ndodh në sfond të një përplasjeje të madhe të dy perandorive, Otomanes dhe Austrohungarezes, të cilat i thyejnë shpatat mu në zemër të Shqipërisë së pushtuar, pra në Kosovë.

Sipas antropologut të dramës dhe teatrit prof. Dr. Haqif Mulliqi, tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit nga Teki Dërvishi, ky autor bënë përpjekje edhe që ta ndërtojë një kontekst të fuqishëm artistik, përmes një lloj relevante që ai ia atribuon figurës së priftit të shquar shqiptar. Sipas tij, në këtë dramë, Dërvishi ka sintetizuar të gjitha atributet e tragjedisë në kuptimin modern si tragjedi e një populli e cila harkohet tematikisht fuqishëm në qenien tragjike të vetë realitetit bashkëkohor ku jeton autori, mbushur me sentenca historike, që është madje-madje, një përpjekje interesante për të përmbysur botëkuptimet tradicionale në marrëdhëniet që ai ndërton me veprën e vet[23]. Sipas Mulliqit, kjo vepër përfshin ngjarje të kohës reale historike, me qëllim që të japë një kumt mbi lirinë dhe për të sforcuar idenë mbi të, duke përdorur fakturën që në një mënyrë apo tjetrën është e njohur për opinionin, por që vetëm përmes dramës apo teatrit ajo shndërrohet në medium, më saktë në mjet komunikimi dhe ndikimi.

Megjithatë, ky studiues mendon se figura e Pjetër Bogdanit në dramën mjaft interesante të Dërvishit, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit vjen disi më ndryshe ngase është e shkruar disi nga një vështrim i lartë mimetik[24]. “Aty gjejmë heroin tragjik, ndërtuar brenda presioneve të vetëdijes mitike të kërkesave dhe të respektimit të këndvështrimit historik, deri në atë përmasë sa nuk e rrënon rregullin e të qenit racional, ngase, sikundër e kemi thënë, në fund të fundit për vetëdijen mitike është e rëndësishme historia, jo vetëm si një varg faktesh dhe të dhënash, por si dëshmi e vetë përkatësisë të heronjve të historisë kombëtare, rrjedhimisht edhe si dëshmi e identitetit”[25], përfundon profesor Mulliqi.

Heqja dorë nga fati personal i individit

Në bazë të krejt kësaj del mjaft qartë një parimi i njohur, i cili, para së gjithash ka të bëjë me parimn e botëkuptimit politike, por edhe artistike të autorit të kësaj drame. Sipas botuesit dhe poetit Abdullah Zeneli kjo që na sjell para nesh Dërvishi është një si dëshmi se, siç e thotë ai, poetët i persekutojnë edhe për së gjalli edhe për së vdekuri[26]. “Kush e ndiente shenjtërinë e Pjetër Bogdanit së gjalli (vetmia krijuese) dhe sa kohë e lënë në harresë edhe pas vdekjes së tij[27], është një pyetje mjaft retoorike të cuilën e paarashtron ky krijues në pasthënien e librit të botuar nga ShB “Buzuku”. Sipas tij:

Duke iu larguar dokumentaritetit të të dhënave ‘indiferente’ për situatat tragjike të jetës së Pjetër Bogdanit, në këtë dramë, autori, Teki Dërvishi, duket se bënë përpjekjet e mundimshme të zbulojë aso ‘përmbajtjesh’ të logjikshme të opozicionit tragjik të jetës dhe të vdekjes së Pjetër Bogdanit, pikërisht duke i nxjerrë këto përmbajtje nga konteksti i dokumentaritetit, dhe duke na privuar nga të dhënat e njohura për jetën dhe vdekjen e tij; duke përshpejtësuar nga rrëfimi dramatik çdo “situatë” konkrete që del nga parimi i përcaktimit artistik adekuat, por si tekst të zgjedhur të përmbajtjes ne dramë, u nënshtrohet kërkesave të supozuara të zhanrit, pikërisht për arsye se autori do të na ofrojë përfytyrimin e tij artistik për jetën e Pjetër Bogdanit, e jo atë faktik[28].

Kjo nënkupton atë se në dramën për të cilën po flasim të Teki Dërvishit, jo gjithëherë dhe jo me çdo kusht është është e rëndësishme ajo që jo rrallë studiuesit e quajnë “perde historike” e cila mund ta kufizojë cilindo individ. Për autorin mund të jenë të rëdësisë sa madhe ato që studiuesi H. Mulliqi i tipizion si hijet e të rrëfyerit dramatik në vetë dramën[29], pra ato ato hijezime ku fati i personazhit, gjegjësisht i kryeheroi të veprës të mbetet i papërsëritshëm e si atillë edhe i treguar përmes veprimit dramatik[30]. Apo të hiqet dorë nga fati personal, dhe në këtë mënyrë veprimi të futet në një tregim të papandehshëm. Nga ana tjetër, është shumë interesante dhe mendimi i dr. Josif Papagjonit kur thotë se sado që në dukje të parë dramat e T. Dërvishit ngjajnë si pesimiste, të ngrysura, pa zgjidhje a pa rrugëdalje, optimiste nga ana tjetër ato askund nuk e humbasin fillin e mendimit historik, porosinë iluministe që buron nga tërë korpusi i mendimit të mbartur[31].

Rrjedhimisht ato ndërhyjnë natyrshëm në thellësinë e tyre me energjinë për kapërcime cilësore, të nënkuptueshme, të pritshme, duke apeluar fort për progres dhe emancipim të mëtejshëm të shoqërisë shqiptare, në kahe të një mendësie kritike[32].

Rrjeti i papërbirueshëm i marrëdhënieve jetë a vdekje

Vepra për të cilën po flasim, anipse është e mbushur me mjaft detaje teatrore dhe me shumë ngjarje vërtetë dinamike e të cilat faktikisht edhe ndërtohen ndërmjet dy realiteteve dramatike, apo të atyre që H. Mulliqi i quan edhe si histori parateatrore, pa shumë elementë butaforikë, disi e inicion tek lexuesi, apo edhe tek shikuesi ndjesinë për vetë botën si një – lojë e egër dhe tinëzare. Ndërsa: … uniteti në këtë dramë të historisë dhe fatit njerëzor ndodhë para pamjes së botës pa mbështetje të mëdha dhe forma të përhershme, me forca të panjohura kundër, të emërtuara apo edhe të paemërtuara[33].

Këtu, edhe pse Pjetër Bogdani shfaqet drejtpërsëdrejti në skenë tek te pjesa e gjashtë e dramës, nuk do mend se ndikimi i tij tek ngjarjet, çështjet dhe kontekstet e veprës, nuk dalin për asnjëherë nga orbita e tij dramatike. Pra, duke qenë se personazhet tjera të dramës janë të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe të tërthortë nga të bërat, filozofia, vizionet por edhe simbolika e personazhit kryesor ët veprës, pra At Bogdanit, ndikimi i këtij personazhi, edhe në mungesë fizike tek aspektet që ndërlidhen me dinamikën e veprimit fizik janë, të thuash absolute.

Bile këtu mund të flasim për disa gjetje mjaft interesannte, por edhe kreative të Teki Dërvishit, meqë, qasja e tij, mënyra e ndërtimit dhe e kompozimit të kësaj vepre bashkë me ndërtimin e karakterit të personazhit kryesor të dramës, edhe pse nuk është edhe gjithaq marshtrim tipik për një teksti dramatik bashkëkohor, megjithatë, rezulton të arrijë një lloj ekuivalence me atë që Dr. Rexhaj tek studimi i tij e cilëson si “strukturën motivacionale të kryeheroi, me afinitetin meditativ dhe prirjen kontempluse.”[34]

Duke e fragmentarizuar në masë të konsiderueshme edhe strukturën dramatike të veprës, e që pa dyshim ka një lloj ndikimi edhe tek përmbajtja e veprës, duke krijuar edhe një lëndë motivore në një tërsi të ngjeshur dhe mjaft sublime të dramës, që përbëhet edhe nga shumë njësi tjera, si dhe përmes procedimit të vetë ideve madhore të kryepersonazhit e që kanë peshë të madhe edhe në kohën të cilën po e jetojmë ne, drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit përqëndrohet tek elementi i reminishencës, madje duke nxjerrë në plan të parë edhe situata halucinante dramatike që shfrytëzohen për ta sforcuar dramaticitetin e veprës dhe për t’iu shmangur, për aq sa ishte e undshme narrativës në vepër si dhe deskriptivës në të. Sidomos kjo del në pah kur kemi të bëjmë me Bogdanin, me ç’rast autori arrinë deri tek një dimension i thellë i fantazmagorive dhe përfytyrimeve mitologjike që ndërlidhen me ekzistencën, jo vetëm të priftit të shquar shqiptar, por edhe të popullit që ka vendosur t’i prijë ai.

Kjo është arsyeja se përse mbindërtimi strukturor në këtë dramë thellohet në situata ekzistenciale përmes një synimit këmbëngulës të realizimit të gjakimeve në një kohë të caktuar. Kjo vjen edhe përmes antonomive restriktive të asaj kohe, si dhe përmes krijimit të një rrjeti të papërbirueshëm të marrëdhënieve: jetë a vdekje – liri robëri; e të cilat janë frymëzim suprem për kryepersonazhin.

Dhe, ja si na vinjë këto përmes gojës dhe fjalëve të At Bogdanit:

O, bijtë e mi! Ta shlyejmë edhe gjykimin e dënimit të amshuar që e merituam me mëkatet tona, ne – që lejuam të na e shkelin fe, nënë e atdhe – këmba e blasfemosur e pushtuesit. Ma mirë na bie t’i dorëzohemi vdekjes që na lëshon në duart e mëshirshme të Zotit, se sa të durojmë jetën e padenjë të robit![35]

Siç mund ta kuptojmë edhe nga ky fragment nga monologu i Bogdanit, në këto linja ekzistencialiste këtu bëhet edhe seleksionimi dhe kondensimi i nukleusit dramatik të kësaj drame. Madje, po këtu, disa bërthama kuptimore nga vetë lënda motivore shpërthejnë me fuqi zjarri duke e ravijëzuar karakterin e P. Bogdanit. Për këtë, , sikundër e vë në pah diku më lart në këtë punim edhe profesori nga Tirana, Josif Papagjoni, kjo dramë e Teki Dërvishit, në një mënyrë apo tjetrën, ia del që t’i sublimojë elementët e poetikës së vuajtjes si dhe ato të përballjes së njerëzve me sfida të mëdha dhe shumë dramatike të një kohe konkrete, e që është e kushtëzuar që të dinamizohet nga elementë determinuese të lloj-llojshëm, e që kanë të bëjnë me momente, personazhe dhe ngjarje historike të cilat, sikudnër ajo e kryengritjes së madhe shqiptare kundër Perandorisë Otomane nga viti 1689, në Kosovë, vjen në kohën tonë me shumë recidiva edhe sot, për shkak të “përvetësimit” të pavetëdishëm dhe, gjithsesi edhe jokritik të modeleve të huaja të jetës, të kulturës, etj., që edhe sot e ëksaj dite shpiejnë në deformitete të shumëta për një vend dhe për një popull[36].

Nëse do ta lexonim me vëmendje edhe sugjestionin në lëndën nëntekstore të monologut që e shfrytëzuam si shembull nga kjo dramë, por edhe të monologëve të tjerë të Bogdanit, dhe nëse atë që kuptojmë së andejmie e krahasojmë edhe me ngjarjet e kësokohëshme, kur hordhi parapolitike dhe paraqytetruese mëtojnë ta përdhosin çdo vlerë kombëtare shqiptare, e me këtë edhe çdo figurë të rëndësishme për shqiptarët (duke përfshirë këtu edhe figurën e ndritur të At Pjetër Bogdanit bashkë me atë të Gjergj Kastriotit apo edhe të Nënës Tereze), atëherë gjithçka që ndërlidhet me konceptet filozofike të këtij martiri të atdhetarisë, pra të At Pjetër Bogdanit, të këtij poeti, filozofi dhe luftëtari, del të jetë një lloj profecie, por edhe kumt kundër të keqës, e cila është ringjallur, siç në mitologji ringjallet gjarpëri me shtatë kokë.

Për këtë arsye, në procedimin shkallëzuas të fabules së kësaj drame, antagozmat e shumtë që hasim në të shndërrohen në përplasje të tmerrshme duke shkaktuar dëme të pamatshme, me c’rast, fati i kryeheroit të dramës për të cilën po flasim, pra At Pjetër Bogdani, në një mënyrë apo tjetrën njësohet me fatin e popullit të cilit i përkiste në të dy kohët ai, edhe në kohën e tij, por edhe në kohën tonë duke u shtrirë dhe zënë hapësirë të plotë në atë që mund ta kuptojmë të rëndësihme dhe për përgjithsme për të gjithë ne në mënyrë të vazhdueshme.

Besojmë se kjo sërish mund të na shpie tek Poetika e Aristotelit sipas të cilit bashkëndjenja e kërkon të keqen e caktuar të aktualitetit, duke e theksuar se me një të keqe të hershme të kaluar apo me një të keqe në të ardhmen e largët, fare nuk bashkëndjejmë ose nuk bashkëndjejmë në atë masë sikundër me të keqen e tanishme, ndaj dhe është e domosdoshme që veprimi i cili duhet të zgjojë bashkëndjenjë të pasqyrohet jo në formë narrative, por të duket se po zhvillohet para nesh, në formë dramatike[37].

Sipas këtij modeli, elementët e situatave tragjike në këtë dramë, siç e thekson në studimin e tij edhe profesori Haqif Mulliqit, autori i implikon në mënyrë shumë konkrete, thuajse sipas teorisë së dramës: lufta, faji (studiuesi i referohet fajit tragjik të personazhit – vr. e Sh.M), vuajtja dhe, përfundimisht, vdekja[38].

S’do mend se, të gjitha këto, në dramën e T. Dërvishit vijnë të përputhura me këtë vargan rrethanash si më sipër, anipse te Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, në asnjë mënyrë, nuk flitet për një dramë-tragjedi. Kjo ndodhë kështu ngase, ajo që mund ta quajmë ne liri poetike, apo edhe liri imagjinative e vetë autorit të dramës, paqësohet vetëm në saje të gjuhës aritmetike të veprës, e cila ndërtohet si e këtillë vetëm e vetëm që t’i nënshtrohet ligjeve të domosdoshme të lojës skenike, për çfarë edhe dedikohet shkrimi i dramës[39].

Përfundime

Shikuar në tërësi tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit autori i saj Teki Dërvishi, fillim e fund e ka një synim, që përmes figurës madhështore të poetit, filozofit dhe atdhetarit shqiptar, At Pjetër Bogdani, ta vë në pah historinë e këtij kolosi nga e kaluara shqiptare, respektivisht ta ngacmojë vetëdijen tonë historike e cila në një mënyrë apo tjetrën, është e orientuar që t’i zbulojë apo formulojë kuptimësitë filozofike dhe ekzemplarët e ngjarjeve që na fusin në identitetin tonë të vërtetë, përmes së kaluarës. Kësisoj del se, as vetëdija historike e autorit të dramës nuk është e thjeshtëzuar dhe e thjeshtë dhe e krijuar nga një mendim i vetëm. Ajo, është e shkriftë, e rrjetëzuar për së gjëri e për së gjati në identitetin dhe vetëdijen tonë kombëtare dhe historike. Ndaj dhe përmes kësaj vepre dramatike arrijmë tek përfundimet se – mbrapa akëcilës dramë historike e cila e ka detyruar njeriun që të përcaktohet për diçka dhe të dëshmojë diçka që s’është e ditës, qëndron një mendim më i thellë. Një mendim i cili ndonjëherë na vjen si një ankth i pakapërcyeshëm dhe metafizik, i cili drithëron para fshehtësisë së përjetshme mbi të ekzistuarit.

Vetëdija e këtillë historike, që e gjejmë edhe tek figura e At Pjetër Bogdanit në dramën e T. Dërvishit, nëse do të kundrohej nga pikëshikimi i një “historie universale”, si pjesë e një sistemit të përgjithshëm filozofik, do ta kuptojmë se është vetëdije që vjen si një degëzim i vetëdijes historike evropiane në marrëdhënie me një kohë të caktuar.

Në këtë kuadër, për ta përfunduar, mund të konstatojmë se Teki Dërvishi synon dhe ia del që, përmes figurës së Pjetër Bogdanit edhe vetëdijen tonë kolektive, ta sjell në relacion që krijohet përmes burimeve kryesore të natyrës shpirtërore evropiane të shqiptarëve, duke e trasuar kështu edhe shtegun e gjatë para nesh, shteg të cilin jo vetëm kulturalisht dhe shpirtërisht e trasoi, me jetën e tij At Pjetër Bogdani, një figurë madhore historike e shqiptarëve. Dhe nëse do t’i ndjekim gjurmët e filozofisë së tij, të amoralizmit të tij shqiptarët do të arrijnë në cakun e dëshiruar. Nëse devijojnë këtë rrugë, atëherë udhëtimi nëpër ferrin e pashpresë të ferrit historik do të jetë i pashmangshëm.

Thjeshtë, mendojmë se kjo është ajo të cilën ka synuar ta thotë Dërvishi. /Telegrafi/

_____________

[1] Patris Pavis: “Theatri”, (revistë për dramë dhe teatër, Nr. 2, shkurt 1997), “Drita”, Krushë e Madhe, fq. 49.

[2] Po aty.

[3] Nebi Islami: “Historia dhe poetika e dramës shqiptare” – I, II (1886-1996), “ARTC”, Prishtinë 2003, fq. 52.

[4] Po aty.

[5] Josif Papagjoni, Grishje për/nga letërsia, “Toena”, Tiranë, 2013. Josif Papagjoni, Teatri dhe dramaturgjia shqiptare, Shtëpia Botuese Libri Universitar, Tiranë, 2011, fq. 227.

[6] Këtë temë e gjejmë edhe tek proza e Ismail Kadaresë dhe drama e Jusuf Buxhovit, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit.

[7] Po aty.

[8] Teki Dërvishi, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, NB “Buzuku”, Prishtinë, 1990, fq. 21.

[9] Josif Papagjoni, Grishje për/nga letërsia “Toena”, Tiranë, 2013. Josif Papagjoni, Teatri dhe dramaturgjia shqiptare, Shtëpia Botuese Libri Universitar, Tiranë, 2011, fq. 228.

[10] Teki Dërvishi, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, NB “Buzuku”, Prishtinë, 1990, fq. 16.

[11] Besim Rexhaj, Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1948-2008, “Faik Konica”, Prishtinë, 2009, fq. 196.

[12] Po aty.

[13] Nebi Islami, Historia dhe poetika e dramës shqiptare – I, II (1886-1996), “ARTC”, Prishtinë 2003, fq. 53.

[14] Psikologët e bëjnë një ndarje ndërmjet mbamendjës së shkurtër dhe asaj më të gjatë. Mbamendja e shkurtër zgjatë diku prej 10 deri në 180 sekondave, por është më pak e nënshtruar pengesave se sa mbamendja e gjatë. Ndërsa, mbamendja e gjatë, ndonjëherë ndahet në mbamendje episodike (p.sh., e përqendruar tek ndonjë ngjarje e caktuar). Janë propozuar modele të ndryshme të mbamendjës, që nga idetë iluministe mbi impresionet në indin trunor, si molekulë, apo edhe gjurmët memoristike në shekullin XX (Encyclopedia Britanica, (botimi i përmbledhur), libri numër 6, Narodna knjiga-Politika, Beograd, 2005, fq. 145-146.

[15] Dr Dragan Krstic, Psihološki recnik, ShB “Vuk Karadzic”, Beograd 1988, fq. 64.

[16] Besim Rexhaj, Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1948-2008, “Faik Konica”, Prishtinë, 2009, fq. 196.

[17] Herbert Lindenberger, Historical Drama, The Relation of Literature and Reality, Chicago and London 1975.

[18] Aristoteli, Poetika, “Buzuku”, Prishtinë, 1998.

[19] Libri i apostrofuar, fq. 85.

[20] Dr Marta Frajnd, Istorija u drami, drama u istoriji, Prometej -Institut za knizevnost -Sterijino pozorje, Novi Sad -Beograd 1996, fq. 10-16.

[21] Dr Marta Frajnd, vepra e cituar, fq. 34-35.

[22] Po aty.

[23] https://drive.google.com/a/teatrikombetar.eu/file/d/0Bz1NpApIa1A6eFN0OËVLb1Q1RnM/vieë

[24] Po aty.

[25] Po aty.

[26] Abdullah Zeneli, nga pasthënia e dramës Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, botuar nga SHB “Buzuku”, Prishtinë, 1990, f. 100.

[27] Po aty.

[28] Abdullah Zeneli, nga pasthënia e dramës Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, botuar nga SHB “Buzuku”, Prishtinë, 1990, f. 100.

[29] https://drive.google.com/a/teatrikombetar.eu/file/d/0Bz1NpApIa1A6eFN0OËVLb1Q1RnM/vieë

[30] Po aty.

[31] Josif Papagjoni, Enciklopedi, Teatri & kinematografia shqiptare, “Toena”, 2009, fq. 81.

[32] Po aty.

[33] Haqif Mulliqi: Metafiksioni dhe njohja e skepticizmit, tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, ese, “Kosova sot”, Prishtinë, 2012.

[34] Besim Rexhaj: Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1948-2008, “Faik Konica”, Prishtinë, f. 197-198.

[35]Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Botoi, NB “Buzuku”, Prishtinë, 1990, fq. 62-63.

[36] Josif Papagjoni, Josif Papagjoni, fq. 227.

[37] Gotthold Ephraim, Lessing: Hamburška dramaturgija, Drzavno izdavačko poduzeće Hrvatske, Zagreb, 1950, f. 92.

[38] Mulliqi, Haqif: Metafiksioni dhe njohja e skepticizmit, tek drama Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, ese, “Kosova sot”, Prishtinë, 2012.

[39] Po aty.