Loja dhe papërgjegjësia e Ministrisë së Arsimit

Si filloi kjo lojë, e dijmë të gjithë, pasi që jemi dëshmitarë dhe akterë të këtyre ngjarjeve, herë me dashje, herë pa dije e besa nganjëherë edhe me forcë. E them me forcë sepse kjo lojë është luajtur “ nga lojtarë të pushtetit “ në kurriz të njerëzve të pafajshëm, dhe jo rastësisht thuhet në popull se “ i forti t’rreh e s’të len me kajtë”.
Qeveria e Republikës së Kosovës në krye të së cilës është z. Hashim THAÇI,vitin e kaluar, ka marrë vendim (Nr.03/27, të datës 16.07.2008 ) për mos lejimin e pranimit të studentëve të rinj në Institucionet Private të Arsimit të Lartë ( IPAL), për shkak të mos akreditimit të institucioneve në fjalë, i cili shkoj në tërësi në disfavor të nxënësve të cilët kishin kryer shkollimin e mesëm dhe prisnin që të fillonin studimet.
Një vendim i tillë ndikoi negativisht edhe për UP- në, pasi që e ngarkoi me më shumë studentë se sa që ka kapacitet, sepse Ministria e Arsimit (MASHT) ndërhyri në punët e UP – së, rriti numrin e studentëve, duke mos pyetur fare Rektoratin e këtij Universiteti, duke mos i interesuar fare për ”Lirinë akademike ” e cila është e përcaktuar në Ligjin Mbi Arsimin e Lartë, pra, u shkel e u nëpërkëmb Ligji në fjalë dhe askush nuk dha përgjegjësi.
Një vendim i tillë ” i keqkuptuar“ nga Ministria e Arsimit, bëri që kjo e fundit në mënyrë arbitrare t’ua humb vitin të diplomuarve në IPAL duke mos i lejuar të regjistrohen për studime Master vetëm pse kanë studiuar në IPAL. Ndërsa, në anën tjetër të diplomuarve në UP u lejohet vazhdimi i studimeve në Master. Edhe pse Ligji Mbi Arsimin e Lartë i trajton njëjtë si institucionin publik ashtu edhe institucionet private.
Shkruaj ”i keqkuptuar “ pasi që pika pesë e vendimit të Kryeministrit decidivisht thotë që asnjë Bartës i Institucionit Privat të Arsimit të Lartë nuk i plotëson kushtet për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2008/2009.
“Studentë të rinj”, ne të diplomuarit në IPAL nuk jemi studentë të rinj, ne jemi të diplomuar dhe kërkonim vetëm vazhdimësinë e studimeve në nivelin Master dhe atë duke u bazuar në Kartën e Bolonjës.
Në këtë rast Ministria e Arsimit shkeli vendimin e Kryeministrit, të drejtat e njeriut, diskriminoi, shkeli Ligjin Mbi Arsimin e Lartë dhe përsëri askush nuk dha përgjegjësi.
Tani që Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AAK) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit, ka akredituar Institucionet Private të Arsimit të Lartë (disa nga këto) me emërtimin Kolegj duke shkelur Ligjin Mbi Arsimin e Lartë sepse në Ligjin në fjalë askund nuk përmendet fjala Kolegj, dhe këtu përsëri shkelet ligji dhe askush nuk jep përgjegjësi.
Ndërsa, Ministria e Arsimit dhe vetë Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj , gjithmonë është thirrur dhe thirret në respektimin dhe zbatimin e ligjit, ku është Ligji në këtë rast?!
Sipas vendimit të Qeverisë Nr. 01/73, të datës 07.07.2009, kolegjet nuk kanë të drejtë të pranojnë më shumë se 500 studentë në nivelin themelor (Bachelor) dhe 50 studentë në nivelin Master, kuptohet në të gjitha drejtimet e akredituara, ndërsa në anën tjetër Ministria e Arsimit (sipas televizionit RTK, Lajmet qendrore të datës 21.08.2009) do ta rrisë numrin për pranimin e studentëve të rinj edhe për katër mijë në UP.
Ky veprim i Ministrisë, është e vërtet që shkon në favor të maturantëve të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në afatin e parë, por shtrohet pyetja sa do ta ngarkoj UP- në edhe ashtu të stërngarkuar me numër të studentëve, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendet UP – ja, në këtë rast MASHT është duke u treguar jo parimore dhe jo racionale, duke u munduar t’ia ngritë kredibilitetin UP-së po tenton t’ia ulë kredibilitetin (besueshmërinë) kolegjeve.
Thënë të drejtën, tash për tash nuk dua të jem i njëanshëm dhe të deklarohem se në cilat institucione të Arsimit të Lartë është cilësia më e mirë, sepse ende nuk ka parametra matës në këtë drejtim. Por, deklaroj me përgjegjësi të plotë se në një të ardhme shumë të afërt, cilësia e studimit do të jetë shumë më e mirë në Institucionet Private të Arsimit të Lartë.
Ministria e Arsimit, nuk e respekton dhe zbaton Ligjin Mbi Arsimin e Lartë, edhe kur është në pyetje financimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Ministria në fjalë është e njëanshme, sepse financon vetëm UP – në, ndërsa Institucionet Private të Arsimit të Lartë vazhdon t’i diskriminojë në këtë drejtim. Ja, kjo është drejtësia e Ministrisë së Arsimit?!
Kuptohet që numri i maturantëve që dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet në këtë vit është shumë më i madh, por kur kësaj i shtohet edhe numri i atyre studentëve të vitit të kaluar që nuk patën mundësi të regjistrohen për shkak të vendimit të Nr. 03/27, atëherë lirisht mund të konkludojmë se UP nuk ka kapacitet që t’i pranojë të gjithë as në këtë vit akademik.
Nuk është brenga ime vetëm numri i kufizuar i studentëve në këto kolegje, por brenga ime më madhe është që shumë maturantë do të mbeten pa u regjistruar dhe se stduentët e regjistruar në këto institucione nuk do të mund përballojnë këtë gjendje të krijuar sepse do të përballen me dyfishim të tarifave për të studiuar dhe me pamundësinë për të vazhduar shkollimin më tutje. A thhua vallë është kjo ekonomi e lirë e tregut apo ç’ka?!
Kështu që, është më mirë që Qeveria e Kosovës respektivisht Ministria e Arsimit të mendoj më racionalisht (arsyeshëm) dhe t’ua bëj të mundshme që Institucionet Private të Arsimit të Lartë të pranojnë numër më të madh të studentëve në të dy nivelet më qëllim që të krijoj stabilitet në Arsimin e Lartë në Kosovë.
Në të kundërtën me politika të tilla do të krijojnë pabarazi kushtetuese, jo stabilitet, paqëndrueshmëri dhe do të prodhoj më shumë kuantitet se sa kualitet në Arsimin e Lartë, gjë që do të ndikoj drejtpërdrejt në stagnimin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Kosovës.
(Autori i shkrimit është përfaqësues i Asociacionit të Diplomuarve në Institucionet e Private të Arsimit të Lartë-ADIPAL)




































