Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të kontribuojë në uljen e tensioneve nëse del me një emër konkret për kandidat.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Lladrovci ka kritikuar mungesën e marrëveshjes dhe konsensusit mes subjekteve parlamentare, duke thënë se në politikën kosovare duket “i largët” koncepti i bashkëpunimit.


Ai ka theksuar se spekulimet dhe kërcënimi i zgjedhjeve mund të ndalen nëse partitë arrijnë të propozojnë një kandidat të vetëm konsensual.

“Po, mund të bëhet befasi nga tri partitë politike, duke e emëruar një kandidat konsensual e jo tre, i cili mund të dilte si emër deri në mbrëmje dhe të ndaleshin spekulimet për Presidentin dhe kërcënimi i zgjedhjeve. Një kandidat si Murat Jashari, do të ishte kandidat përtej matematikave ekzistuese”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në të kundërtën “keqpërdorimi i zgjedhjeve për motive të dobëta” do të mbetet kryefjalë e udhëheqësve të katër partive në Kuvend, ndonëse shton se PDK, sipas vlerësimit të tij, ka më pak përgjegjësi.

“Pa dashur të bëj gjykatësin, PDK është me më pak faj, megjithëse mund të ulë tensionet, duke dhënë emrin e kandidatit për president”, ka përfunduar Lladrovci.