LAJMI I FUNDIT:

Lista Serbe hesht për rolin e Radoiçiqit në sulmin në Banjskë

Lista Serbe hesht për rolin e Radoiçiqit në sulmin në Banjskë

Derisa autoritetet e Kosovës çdo ditë prezantojnë prova se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë, kjo parti – më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk është deklaruar.

Kjo nuk ka qenë një praktikë e zakonshme deri më tani, sepse kur ndonjë nga zyrtarët kosovarë e ka përmendur Radoiçiqin në kontekst negativ, Lista Serbe do të shfaqte qëndrimin në mbrojtje të nënkryetarit të saj.


A po distancohet këtë herë Lista Serbe, përmes heshtjes, nga Milan Radoiçiqi?

Lidhur me këtë pyetje, Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka mundur të marrë përgjigje nga zyrtari i kësaj partie. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zëvendësi i tij, Igor Simiq, nuk përgjigjen në telefon dhe as ndaj mesazheve. As zyrtarët tjerë të kësaj partie, nga komuna të ndryshme me shumicë serbe, nuk ishin të qasshëm.

Në një prononcim për REL-in, Ognjen Gogiq, politolog nga Beogradi, vlerëson se Lista Serbe kësaj radhe nuk është deklaruar, për shkak se “nuk ka çfarë të thotë” dhe se “ende nuk di se si të pozicionohet ndaj tij”.

Autoritetet e Kosovës e cilësuan Milan Radoiçiqin si organizator dhe pjesëmarrës të sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator. Një grup personash të armatosur dhe të maskuar, vranë policin Afrim Bunjaku dhe më pas policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb.

Mirëpo, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Lista Serbe si parti politike nuk mund t’i bartë pasojat e veprimeve të individëve, në qoftë se distancohet prej tyre.

Pse nuk reagon Lista Serbe?

Politologu Ognjen Gogiq thekson se Lista Serbe nuk merr vendime në mënyrë të pavarur dhe se në fakt po pret që Beogradi zyrtar të shprehë fillimisht qëndrimin e tij për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në Banjskë.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Që atëherë, me mbi 90 për qind të mbështetjes, ajo ka fituar pothuajse në të gjitha zgjedhjet lokale apo parlamentare në Kosovë.

“Kur Beogradi të vendosë se si do të pozicionohet ndaj Milanit (Radoiçiq), ashtu do të pozicionohet dhe do të reagojë edhe Lista Serbe. Ajo që e dallon këtë situatë nga të gjitha të tjerat është se kemi prova, pra, është shfaqur një video, në të cilën shihet qartë Milan Radoiçiqi në portën e manastirit, me uniformë”, thekson ai.

Vuçiq e pranoi se Radoiçiq ishte në grupin terrorist që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit
Lexo po ashtu Vuçiq e pranoi se Radoiçiq ishte në grupin terrorist që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, më 26 shtator publikoi një video të bërë nga droni me pretendimet se tregon rolin e Radoiçiqit në konfliktin e armatosur me policinë në Banjskë.

Një ditë më herët, duke folur për sasinë e madhe të armëve të gjetura, Sveçla tha gjithashtu se policia ka gjetur dokumente që vërtetojnë lidhjen dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radoiçiqit në aksion.

Gogiç nënvizon se Lista Serbe dhe Beogradi nuk mund të mohojnë më se Milan Radoiçiq nuk është i lidhur me formacione paraushtarake.

“Ai është i njohur për publikun si politikan dhe biznesmen, por tashmë kemi edhe prova se ai është i përfshirë në veprimtari të paligjshme, që është posedimi i armëve. Tani, të gjithë ne kemi parë se ai bën gjëra të tilla. Në të vërtetë, nuk ka asnjë mënyrë për të mbrojtur diçka që nuk mbrohet, që të mohohet përfshirja e tij në një formacion paraushtarak”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Për Milan Radoiçiqin në Kosovë ka një fletarrestim për “kanosje të dëshmitarëve” në rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me ndërtimet ilegale dhe korrupsionin. Ai dyshohet si i ndërlidhur edhe me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.

SHBA-ja e vendosi Radoiçiqin në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tij në krimin ndërkombëtar dhe korrupsionin.

A do të ketë pasoja për Listën Serbe?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për transmetues publik të Kosovës, më 27 shtator, ka thënë se do të merren masa ndaj Listës Serbe dhe se për këtë do të diskutojë me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Paraprakisht, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, tha se Lista Serbe duhet shpallur “jokushtetuese” dhe “t’i ndalohet veprimtaria politike”.

“Terrorizmi nuk është një organizatë individuale, në këtë rast Lista Serbe qëndron pas organizimit të sulmeve fashiste ndaj policisë së Kosovës, më 24 shtator, dhe është përgjegjëse për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku”, shkroi Qorrolli në Facebook.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, sqaron se “në bazë të standardeve të vendosura ndërkombëtare, një parti politike në tërësi nuk mund të mbajë përgjegjësi për sjelljen individuale të anëtarëve të saj, të cilën partia nuk e ka autorizuar të veprojë në emër të saj”.

“Bazuar në Kushtetutën dhe legjislacionin aktual, Kosova është një shoqëri demokratike që përcakton qartë se përgjegjësia penale është përgjegjësi individuale”, thotë Miftaraj.

Megjithatë, Miftaraj thekson se autoritetet e Kosovës kanë obligim ligjor që ta nxjerrin Radoiçiqin para drejtësisë për krimet për të cilat ai akuzohet, si dhe çdo anëtar të Listës Serbe në rast se kryen vepra penale.

“Megjithatë, ndalimi ose shpërbërja me detyrim e partive politike mund të justifikohet vetëm nëse partia mbron përdorimin e dhunës ose përdor dhunën si mjet politik për të shkatërruar rendin kushtetues demokratik, i cili cenon të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë”, saktëson ai.

“Distancimi nga Radoiçiqi, i pasigurt”

Politologu Ognjen Gogiq nuk beson se Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar do të distancohen nga Millan Radoiçiqi dhe thotë se një gjë të tillë tashmë e ka lënë të kuptohet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 27 shtator, Vuçiqi tha se Radoiçiqi gjendet në Serbi dhe se do të merret në pyetje, por ai nuk u distancua konkretisht prej tij.

“Millan Radoiçiq nuk u fsheh asnjëherë, ai nuk kishte turp për rolin e tij… është tjetër gjë ajo që unë mendoj për diçka që ndodhi, e cila përfundimisht nuk ishte e mirë për Serbinë dhe nuk mund t’i sjellë Serbisë asgjë të mirë”, tha ai.

Gogiqi beson se Listës Serbe tani i duhet kohë për të “krijuar një strategji” se si të pozicionohet rreth kësaj çështjeje.

“Ata (nga Lista Serbe) mund të përpiqen të mbrohen, të gjejnë disa justifikime. Ndoshta do ta ‘lëshojnë në ujë tatëpjetë’, por për momentin nuk ka asnjë tregues se çfarë do të ndodhë”, thotë ai.

Çfarë është thënë më parë për Radoiçiqin?

Që kur u zgjodh nënkryetar i Listës Serbe, në vitin 2018, kjo parti shpeshherë është dashur të “mbrojë” Millan Radoiçiqin, sepse autoritetet e Kosovës e kanë lidhur me vrasje, korrupsion, ndërtim barrikadash apo trazira në veri.

Lista Serbe në përgjithësi do ta përshkruante atë si një “hero” ose dikë që punon “për interes dhe mbrojtje” të serbëve në Kosovë.

Në një prej njoftimeve të shumta, Lista Serbe thekson se Prishtina zyrtare “nuk guxon të pranojë se sa autoritet ka Radoiçiqi në mesin e serbëve”.

“Kjo u pa më së miri të dielën, kur zoti Radoiçiq iu bashkua atyre në protesta (barrikada) dhe ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës, për kënaqësinë e përgjithshme të të gjithë të pranishmëve, të cilët atëherë ndiheshin më të sigurt dhe të mbrojtur”, thuhej në një njoftim , në qershorin e vitit të kaluar.

Po ashtu, në gusht të vitit të kaluar, deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se “veriu i Kosovës, në 20 vjetët e kaluar, ishte El Dorado për kriminelët”, shkaktoi një “reagim zinxhir” të zyrtarëve të Listës Serbe nga të dhjetë komunat me shumicë serbe, me qëllim mbrojtjen e Millan Radoiçiqit.

Atë e mbronin rregullisht edhe zyrtarët serbë, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Ata e përshkruajnë atë si dikush që “mbron Serbinë në Kosovë” dhe “qëndron i pari në mbrojtje”. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori