LAJMI I FUNDIT:

Lista e 10 qyteteve më të shtrenjta në botë për emigrantët – 6 prej tyre gjenden në Azi

Gjashtë qytete aziatike janë në mesin e dhjetë vendeve më të shtrenjta për emigrantët. Kështu thuhet në raportin vjetor të kompanisë hulumtuese Mercer.

Për të dytin vit radhazi, Hong Kongu vazhdon të jetë qyteti i më i shtrenjtë në botë, ku sipas raportit kjo vjen si rezultat i kostos së lartë të banimit, përcjell Telegrafi.


Studimi mat koston e 200 gjërave duke përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, sendet shtëpiake dhe argëtimin në 209 qytete të botës.

Vendi i dytë më i kushtueshëm është kryeqyteti i Turkmenistanit, Ashgabat, i cili po përjeton hiperinflacion dhe kosto të lartë për importimin e mallrave dhe lëndëve të para. Kurse, në vend të tretë është Tokio.

Singapori dhe New Yorku gjenden në pozitën e pestë, përkatësisht në atë të gjashtë.

Tre qytete zvicerane, Cyrihu, Berni dhe Gjeneva u renditën në pozitën e katërt, atë të tetën dhe të nëntën. Shanghai dhe Pekini u renditën si qytetet më të shtrenjta, duke u pozicionuar në vendin e shtatë dhe atë të dhjetë.

Sondazhi zbuloi se qyteti më i shtrenjtë në Afrikë ishte Ndjamena në pozitën e 15-të, një pozitë përpara San Franciskos. Kryeqyteti i Nigerisë, Lagos gjendet në vendin e 17-të, vetëm një vend përpara Londrës.

Tel Aviv është qyteti më i shtrenjtë në Lindjen e Mesme në pozitën e 12-të, i ndjekur nga Dubai në pozitën e 23-të. Sipas sondazhit, qytetet më pak të shtrenjta ishin Tunizi dhe Wndhoek.

Studimi i Mercerit përdoret shpesh nga korporatat për të vendosur pagat dhe përfitimet për punonjësit e tyre jashtë shtetit. /Telegrafi/