LAJMI I FUNDIT:

Limaj: Shpresoj të kemi një zgjidhje në përputhje me këshillat e SHBA-së

Limaj: Shpresoj të kemi një zgjidhje në përputhje me këshillat e SHBA-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është edhe bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror në dialogun me Serbinë, se taksa 100 për qind, e vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duhet të jetë pjesë e negocimit në Bruksel dhe nuk duhet të jetë problem për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ai shpreson se lidhur me taksën të ketë një zgjidhje që është në përputhje me kërkesat e SHBA-së.


“Këshillat dhe sugjerimet sa here që na kanë ardhur prej Uashingtonit, kanë qenë në të mirën e kombit tonë dhe në këtë rast edhe të Kosovës, dhe për ketë janë të vetëdijshëm secili, këtë e dinë edhe politikanët. Prandaj edhe shumë seriozisht janë duke i marrë këshillat dhe sugjerimet e miqve tanë, në këtë rast të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shpresoj se do të kemi një zgjidhje e cila është në përputhje me këshillat që na i kanë dhënë SHBA-ja”, ka thënë Limaj për Radion Evropa e Lirë.

Limaj ka thënë tutje se vendosja e taksës, nuk duhet të nënkuptohet si mosdëgjueshmëri ndaj Amerikës.

Sipas tij, Kosova dëshiron të tregojë se është shtet, dhe duhet të trajtohet si të gjithë tjerët.

“Kosova po bën përpjekje për të çuar mesazh se me të vërtet jemi një shtet dhe duam të trajtohemi si të tjerët. Kosova mesazhin që është duke e dërguar, si në rajon po ashtu edhe me gjerë, është se ne nuk po kërkojmë asgjë më tepër, por na trajtoni siç po u trajtojmë ju me respekt. Ky hap i Kosovës pastaj … unë e kuptoj se ka dilema e shqetësime të ndryshme, por asnjë rast nuk duhet parë si mosdëgjueshmëri ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Limaj.

Ai është shprehur, se taksa nuk duhet të jetë pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Zgjidhja është t’i jepet mundësi dialogut, të negociohet taksa dhe të ecet përpara. Nuk guxon taksa të kthehet në pengesë për vazhdimin e dialogut”, ka thënë Fatmir Limaj. /Telegrafi/