LAJMI I FUNDIT:

Ligji i ri për Qeverinë e Kosovës i lë pa punë 300 të emëruar politikë

Ligji i ri për Qeverinë e Kosovës i lë pa punë 300 të emëruar politikë
Foto: Ilustrim

Shpenzimet e shumta në paga, mëditje dhe shërbime të tjera për të emëruarit politikë në Qeverinë Haradinaj pritet të zvogëlohen me Ligjin e ri për Qeverinë. Përveç bartjes ose shuarjes së ministrive dhe dërgimit në 16 sosh, pritet të ulet edhe numri i të emëruarëve politikë, nga 500 sa janë aktualisht, nën 200 të tillë.

Zyrtarët e qeverisë presin që kjo të kursejë buxhetin. Sipas disa përllogaritjeve, ky ligj pritet të kursej rreth 600 mijë euro. Këtë shifër e mohojnë ata që e kanë bërë ligjin, ndërkohë, nuk japin shifër të saktë.


Në parametrat aktual, sipas parashikimeve fiskale të Ministrisë së Financave në shpenzimeve buxhetore për vitin 2019 janë rreth 1 milion e 561 mijë euro për paga, mëditje, mallra dhe shërbime për të emëruarit politik.

Sipas kordinatorit nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, Ligji i ri për Qeverinë do të jetë lehtësim për buxhetin e shtetit, pasi siç thotë ai, kosto buxhetore e pagesave për të emëruar politike do të ulet.

Ndonëse Drafti i Iigjit për qeverinë është përgatitur, ende nuk është vendosur se cilat ministri do të shuhen apo shkrihen në dikastere të ministrive të tjera.

“Ligji përveç që e ulë numrin e ministrive dhe të emëruarve politik, duke përfshirë zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, këshilltarët politikë, po ashtu ulë koston dhe barrën buxhetore mbi buxhetin e Kosovës… Ministria e Financave planifikimin buxhetor e bën mbi parametrat që i ka tash, jo mbi parametrat që një ligj i caktuar mund të hyj në fuqi. Ajo që unë e siguroj publikun është që ky ligj nuk është barrë shtesë për buxhetin e Kosovës, por në fakt është barrë lehtësuese buxhetore për buxhetin e konsoliduar të Kosovës, që nënkupton nuk do të ketë implikacione financiare, por të kundërtën, do të minimizim të shpenzimeve buxhetore në raport me funksionimin e qeverisë”, u shpreh Tahiri.

Edhe Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të financave, Bedri Hamza, beson se Ligji për Qeverinë do të kontribuojë në buxhetin e shtetit. Sipas tij, ulja e numrit të stafit politik nga 500 në 200, pa dyshim se do të ulë edhe shpenzimet buxhetore.

“Deri tani sa janë përafërsisht, ose mund të them lirisht rreth 500 të emëruar politik që me ligjin e ri mos të shihen më shumë se 200 të emëruar, por të jenë nën 200. Vetë ulja e këtij numri, padyshim se e ulë koston e shpenzimeve, qoftë në mallra, shërbime, qoftë në paga, apo në kategori të tjera, kështu që në rast se finalizohet ligji ashtu siç është deri më sot duke u punuar një ligj i mirë. Atëherë unë besoj shumë që edhe pse nuk e kemi koston e parë, padyshim që do të kemi ulje të shpenzimeve”, thotë këshilltari Rafuna.

Skeptike për realizimin e këtij ligji shprehet anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, është pikërisht kjo qeveri që është duke i shkaktuar dëme buxhetit të shtetit me vendimet e saja për rritje të pagave dhe emërimin e shumë zyrtarëve politik.

“ Ligji për Qeverinë është shumë i rëndësishëm, sidomos për situatën çfarë jemi aktualisht me qeverisjen PAN, ku jemi dëshmitar që në mënyrë abuzive kanë keqpërdorur buxhetin e vendit duke emëruar numër enorm të numrit të zëvendësministrave, këshilltarëve, kordinatorëve e kështu me radhë…me këtë qeveri, e cila që prej ardhjes njëra ndër vendimet e para i ka pasur vendimin për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, nuk është që presim diçka shumë të mirë. Një gjë tjetër është që duhet pasur parasysh është që mos të ndodh si me ligjet e kaluara”, tha deputetja Nagavci.

Por Besnik Tahiri, i cili ka udhëhequr me ekipin për draftim të këtij ligji, shpreh bindjen se ky ligj do të gjejë zbatim brenda mandatit të qeverisë Haradinaj. Përkundër se do të ulen numri i ministrave, ai theksoi se ka pajtueshmëri brenda të gjithëve që të ulet numri i tyre.

Të domosdoshëm e sheh këtë ligj dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, i cili thotë se përveç që do të ketë kursime buxhetore, do të ketë implikime dhe në krijimin e një mjedisi më të favorshëm institucional.

Sipas tij, kjo është një pikënisje që do të thellon procesin e reformave në sektorin e administratës publike dhe sektorin e shërbyesve civil.

“Ky ligj do të ketë implikime në kursimet buxhetore. Do të ketë implikime në krijimin e një mjedisi në të favorshëm institucional për inkurajimin e investimeve të jashtme. Sepse duhem të them që tani për tani investimet e huaja shkojnë në ato vende, ku nuk ka barriera edhe pengesa më të ulëta administrative. Prandaj kjo është një pikënisje që të thellohet procesi në sektorin e administratës publike, në sektorin e shërbyesve civil”, tha ai.

Ligji për Qeverinë pritet të kalojë në Qeveri për votim në fund të muajit maj, ndërsa në dy javët e ardhshme do të dal në konsultim publik./kp/Telegrafi/