“Liga e Mbretërve” mund të ketë Lionel Messin? Pique ndez imagjinatën e tifozëve

Ikona e Barcelonës, Gerard Pique, ka pranuar se do të ishte një ëndërr e vërtetë nëse Lionel Messi do të shfaqej ndonjëherë në formatin e tij të “Ligës së Mbretërve”.
Ish-qendërmbrojtësi spanjoll foli para finales së Kupës së Botës për Kombëtare të “Ligës së Mbretërve”, që po zhvillohet në Sao Paulo, duke reaguar ndaj sugjerimit të Neymarit se Messi mund të marrë pjesë në këtë turne.
“Pyeteni Neymarin, ai ishte ai që e hodhi idenë”, u shpreh Pique me buzëqeshje.
“Do të shohim nëse ndonjëherë do të ketë një mundësi që ai të përfshihet me Ligën e Mbretërve. Për mua, padyshim që do të ishte një ëndërr”.
Pique nuk e fshehu admirimin për ish-shokun e tij të skuadrës, duke theksuar rëndësinë që do të kishte një paraqitje e Messit në këtë projekt.

“Ai është më i miri në historinë e këtij sporti, kështu që ta kishim mes nesh do të ishte diçka e jashtëzakonshme”.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës la të hapur edhe mundësinë që në të ardhmen të përfshihen lojtarë të tjerë të njohur, veçanërisht pas përfundimit të karrierës së tyre aktive.
“Kur je ende duke luajtur, është më e ndërlikuar, por kur karriera përfundon, është një histori tjetër”.
Finalja e “Ligës së Mbretërve” mes Brazilit dhe Kilit pritet të zhvillohet përpara një stadiumi të mbushur plot, me rreth 40 mijë tifozë, duke konfirmuar rritjen e madhe të interesimit për këtë format të ri të futbollit./Telegrafi




















































