LAJMI I FUNDIT:

Liderët e G7 do të takohen virtualisht për të diskutuar rreth COVID-19

Liderët e G7 do të takohen virtualisht për të diskutuar rreth COVID-19

Udhëheqësit e G7 do të takohen përmes një video-linku ku do të diskutojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar rreth shpërndarjes së vaksinave dhe rikuperimit nga pandemia e COVID-19.

Britania e Madhe, si kryesuese e G7, do të organizojë takimin virtual të mbledhjes së parë të liderëve të G7 që nga prilli i vitit 2020, në prag të samitit i cili do të mbahet nga 11 deri më 13 qershor të këtij viti në Cornwall të Anglisë jugperëndimore.


Sipas një postimi në Twitter, kryeministri britanik Boris Johnson “do të inkurajojë udhëheqësit e G7 që të angazhohen më shumë për vaksinimin global ndërsa ai angazhohet që Britania e Madhe të ofrojë tepricën e vaksinave për programin COVAX për të mbështetur vendet në zhvillim”.

“Ai gjithashtu do t’u bëjë thirrje udhëheqësve të mbështesin traktatin mbi gatishmërinë e pandemisë përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndërsa bëjmë parandalimin e krizave të ardhshme shëndetësore pjesë thelbësore të Presidencës britanike të G7”, shtoi ai, transmeton Anadolu Agency.

Takimi virtual do të jetë gjithashtu takimi i parë i presidentit të SHBA-së, Joe Biden me udhëheqësit global që nga marrja e detyrës, ku ai do të diskutojë mbi përpjekjet globale për vaksinimin kundër COVID-19, ekonominë dhe Kinën.

G7 është grupi i fuqive më të mëdha ekonomike në botë, e cila përbëhet nga SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Rusia gjithashtu u bë pjesë e grupit që nga viti 1998, i cili atëherë u emërua G8, por vendi u hoq në vitin 2014 për shkak se Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina.