LAJMI I FUNDIT:

Liberalizimi i vizave, Shasha: “Kushtëzimin e Francës” duhet marrë me urtësi

Liberalizimi i vizave, Shasha: “Kushtëzimin e Francës” duhet marrë me urtësi

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, thotë se lajmi për kushtëzimin e Francës duhet marrë me urtësi pasi ende nuk dihet me saktësi se çfarë është diskutuar në takimin e sotëm brenda grupit punues të Këshillit të BE-së për vizat.

Shasha, përmes një postimi në Facebook, tha se nesër do të vazhdojë diskutimi, e kështu edhe pasnesër edhe gjatë ditëve në vijim, prandaj është e rëndësishme që të mos nxirren përfundime.


“Të mos ngutemi me nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme, por të presim të zhvillohen këto diskutime dhe më pastaj të kuptojmë më saktë çfarë është rezultati i tyre”, tha ai pas publikimit të lajmit se Franca, me mbështetjen edhe të disa vendeve të tjera, ka kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Postimi i plotë i Shashës:

“Tonat kryhen veç saber e selamet. Duhet marr me urtësi këtë lajmin për “kushtëzimin e Francës” për liberalizimin e vizave, pasi që nuk kemi ide se çfarë më saktësisht është diskutuar gjatë takimit të sotëm brenda grupit punues për viza të Këshillit të BE-së. Takimi i sotëm ka qenë takimi i parë. Nesër do të vazhdoj diskutimi, e kështu edhe pasnesër e edhe gjatë ditëve në vijim. Prandaj, mesazhi i parë – të mos ngutemi me nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme, por të presim të zhvillohen këto diskutime dhe më pastaj të kuptojmë më saktë çfarë është rezultati i tyre.

E dyta, sa i përket sistemit ETIAS, nuk arrijë të shoh asnjë problem. Kjo nuk është kusht, është obligim. Pra, çdo qytetar i Kosovës sikur çdo qytetar tjetër në botë do të jetë i obliguar të merr autorizimin për udhëtim brenda zonës Shengen nga sistemi i ETIAS-it. Pak a shumë njëjtë sikur tani që ka filluar të zbatohet për udhëtime në SHBA sistemi ESTA. Por sistemi ETIAS do të fillon së punuari nga nëntori 2023 dhe nuk e kuptoj saktë çfarë punë ka Kosova me këtë, pasi që ky është sistem i BE-së. Sa i përket kyçjes së Kosovës në sistemin ETIAS besoj është kohë më se e mjaftueshme nga sot deri në nëntor 2023 të bëhen përgatitjet për ndërlidhshmerinë e sistemeve të sigurisë. Njëjtë sikur ne do të përgatiten të gjitha vendet në botë, pasi që ETIAS-i do vlejë për të gjithë”, ka shkruar Shasha.

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten Grupi Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian, ka propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti. /Telegrafi/