LAJMI I FUNDIT:

“Leve Palestina” – si arriti që një këngë suedeze e viteve 70-ta të bëhej një himn i ri palestinez

“Leve Palestina” – si arriti që një këngë suedeze e viteve 70-ta të bëhej një himn i ri palestinez

Një këngë suedeze e viteve 70-ta “Leve Palestina”, që do të thotë “Rroftë Palestina”, është bërë një himn tubimi për demonstruesit që dolën në vende të shumta të Evropës për të protestuar kundër bombardimeve në Rripin e Gazës.

Kënga e grupit Kofia dikur u tentua të censurohej nga autoritetet suedeze, të cilët ishin të afërt me njerëz që mbronin politikat sioniste, megjithatë tani është bërë përsëri një himn për palestinezët dhe aleatët e tyre për të shprehur rezistencën, transmeton Telegrafi.

“E kam nisur këtë grup muzikor (Kofia) me qëllim që t’u tregoj njerëzve historinë e vendit tim”, tha themeluesi i grupit George Totari, 77 vjeç, në një intervistë për TRT World.


“Kur erdha këtu në Suedi në vitin 1967, e kuptova se nuk mund ta kritikoja Izraelin aq hapur sa munda në Palestinë. Dhe shumica e njerëzve, qofshin në të majtë apo të djathtë, nuk dinin asgjë për Palestinën”.

Dhe kështu erdhi teksti;

Shkëmbinj dhe ullinj

“Dhe ne kemi kultivuar tokën”

“Dhe ne kemi korrur grurin”

“Ne kemi mbledhur limonët

“Dhe kemi shtypur ullinjtë”

“Dhe e gjithë bota e njeh tokën tonë”.

Totari lindi në Nazaret në vitin 1946 dy vjet përpara se të krijohej shteti i Izraelit. Ai emigroi në Suedi pas luftës së vitit 1967, në të cilën Izraeli pushtoi pjesë të mëdha të tokës palestineze.

“Suedia ishte më sioniste se vetë Izraeli në atë kohë”, thotë ai.

Anëtarët e grupit Kofia duke kënduar me muzikantë iranianë, në Iran 1980.

Dëbimi i palestinezëve dhe pushtimi i tokave të tyre e detyruan Totarin të formonte grupin e quajtur Kofia, që përkthehet në suedisht nga fjala “keffiyeh” (shalli simbol i palestinezëve). Grupin e formoi në qytetin e Goteborgut së bashku me palestinezë të tjerë dhe muzikantë të majtë suedez.

Ishte një mënyrë për ta përdorur narrativën muzikore për të treguar qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë për vuajtjet e palestinezëve.

Rreth kohës kur grupi filloi të bënte muzikë, politikanët e shquar suedezë hezituan të kritikonin pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli dhe në vitin 1971 disa prej tyre madje i uruan mirëseardhjen kryeministres izraelite Golda Meir, të cilën palestinezët e konsiderojnë si fashiste.

Totari, i cili ishte një i krishterë palestinez, thotë se ka gjetur frymëzim në kujtimet e tij nga vendlindja e Nazaretit, duke kujtuar momente të këndimit në një kishë dhe në festa. Ai i kanalizoi ato kujtime për t’i rezistuar shtypjes izraelite.

Një ndikim i qëndrueshëm

Gjatë dekadave, diaspora palestinez ka nxjerrë disa muzikantë dhe artistë me famë. Por ajo që e veçon Kofian është përqafimi i saj i një gjuhe perëndimore për të përcjellë mesazhin.

“Duke shkruar tekste të thjeshta por të fuqishme dygjuhëshe me modele melodike të përsëritura të rrënjosura në traditën muzikore të makamit (një fazë shpirtërore që nga mistikët muslimanë që çon në vizionin dhe bashkimin me Zotin) grupi krijoi diçka unike”, thotë Dr Louis Brehony, autori i librit “Muzika palestineze në mërgim”.

“Në atë kohë, kishte shumë grupe dhe muzikantë palestinezë në mbarë botën, dhe shumica dërrmuese e tyre, do të thoja, po i këndonin drejtpërdrejt popullit palestinez”, theksoi ai.

Por qasja unike e Kofias për të përdorur muzikën si një mjet për të informuar popullin suedez dhe për të përcjellë mesazhin e rezistencës palestineze te evropianët në një gjuhë të tyre, i bëri ata të dallohen, thotë ai për TRT World.

Anëtarët e grupit Kofia të veshur me shallin ‘keffiyeh’ në Teheran, Iran 1980.

Brehony është gjithashtu regjisor i dokumentarit të shkurtër të vlerësuar me çmime, “A Revolution Through Music”, i cili ka në qendër veprat e Kofias.

“Ata mendonin se ishte detyra e tyre ta përcillnin atë mesazh në një gjuhë që suedezët mund ta kuptonin gjithashtu. Ata kënduan në suedisht dhe arabisht, madje duke u mësuar këngëtarëve suedezë të këndojnë në arabisht”, shtoi ai.

Përveçse i treguan botës për vuajtjen e palestinezëve me këngët e tyre suedeze, Kofia iu afrua edhe njerëzve të tjerë të shtypur, duke bërë aleatë.

Të bashkuar në solidaritet

“Dhe ne kemi hedhur gurë tek ushtarët dhe policët”

“Dhe ne kemi lëshuar raketa tek armiqtë tanë”

Në vitet 1970, kur opozita ndaj Luftës së Vietnamit dhe ‘aparteidit’ të Afrikës së Jugut ishte në kulmin e saj, Goteborgu ishte një pikë qendrore për aktivistët e klasës punëtore, të cilët shpejt përqafuan bandën suedeze-palestineze.

Kofia këndonte në mënyrë rutinore në demonstrata.

“Sa herë që kishte një protestë për ndonjë çështje në Goteborg, Kofia do të ishte aty”, thotë Brehony.

Angazhimi i grupit shtrihej përtej kauzave individuale, deklaroi ai.

https://www.youtube.com/watch?v=p8L89S5rZzM&ab_channel=exploretheworld%F0%9F%8C%8D

​​“Nëpërmjet këtyre përpjekjeve, ata u bënë si një zë i spikatur dhe radikal që mbron jo vetëm kauzën palestineze në Suedi, por edhe lëvizje të tjera”, potencoi Brehony.

Kofia dhe “Leve Palestina”

Që nga formimi i saj në vitin 1972 deri në fillimin e Intifadës në Palestinë në vitin 1987, Kofia krijoi në mënyrë të pavarur katër albume, tre disqe dhe një kasetë, pa vëmendje të konsiderueshme të labelit.

Nëpër këto katër albume të lansuara në mënyrë të pavarur – “Palestine Toka ime” (1976), “Toka e Atdheut tim” (1978), “Mawwal për familjen time dhe të dashurit” (1984) dhe “Rroftë Palestina” (1988) – Kofia thur një rrëfim palestinez që i kapërcen kufijtë.

Megjithatë, kënga “Leve Palestina” gëzoi një vëmendje të veçantë.

Kur u pyet për reflektimet e tij për një këngë që ai shkroi pothuajse 50 vjet më parë, që u bë virale në platforma si TikTok dhe Instagram, Totari thotë: “Jam krenar për këngën sepse është përhapur në të gjithë botën”.

Ringjallja e “Leve Palestina” ka të bëjë gjithashtu me një mesazh të qëndrueshëm për t’i rezistuar shtypjes në çdo kohë.

“Përvoja e Kofias nuk i përket së shkuarës”, thotë Totari.

Deri më tani, përpjekjet për të ndaluar këngën nën akuzën e antisemitizmit kanë dështuar.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në vitin 2019, në një demonstratë në Malmo, Suedi, aktivistët pro-palestinezë kënduan këngën “Leve Palestina”. Pavarësisht se ishte pjesë e marshimit vjetor të punëtorëve, akti u dënua si nga shtypi i krahut të djathtë ashtu edhe nga Partia Social Demokratike (SAP) në pushtet në parlamentin suedez.

“Dhe qeveria socialdemokrate rekomandoi që kjo këngë të ndalohej dhe të censurohej. Dhe kjo inkurajoi në mënyrë aktive policinë që të dilte dhe të arrestonte njerëzit që panë duke kënduar këtë këngë”, thotë Brehony.

Megjithatë, këto përpjekje për të heshtur muzikën palestineze nuk arritën. Mijëra suedezë kanë marrë pjesë në tubimet pro-palestineze, duke kënduar këngën “Leve Palestina”.

“Dhe nuk ka asnjë mënyrë që policia suedeze të jetë në gjendje të ndalojë një turmë prej dhjetë, njëzet, ose edhe tridhjetë mijë njerëz që këndojnë këtë këngë të hapur të rezistencës”, potencon Brehony.

“Dhe për mua, mendoj se kjo përfaqëson një fitore mbi forcat që përpiqen të heshin mesazhin e anti-sionizmit”. /Telegrafi/