LAJMI I FUNDIT:

Let’s Dance: Të vallëzojmë dhe t’i japim një mundësi secilit fëmijë

Let’s Dance: Të vallëzojmë dhe t’i japim një mundësi secilit fëmijë

Nga: L.Baleta – Vullnetare nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë

Ndërkohë që jeni duke lexuar këtë tekst, një fëmijë në Kosovë po lufton me sëmundje që i rrezikon jetën.

Dikur, ky fëmijë ishte Mali Desku. I lindur para kohe dhe pas një procesi lindjeje të vështirë, Mali kishte vështirësi në frymëmarrje dhe probleme me mushkëritë. Ai iu nënshtrua trajtimit intensiv, për të cilin nevojitej përdorimi i pajisjeve të posaçme për frymëmarrje, që mundësojnë lëvizjen e oksigjenit drejt mushkërive të foshnjes. Pyetja e rëndë që bënte secili në famijen e Malit ishte: çfarë do të ndodhë me të?

“Një ditë pas disa javësh, isha ulur pranë derës së dhomës në spital, duke kërkuar fytyrën e djalit tim. Kur e pashe me sy të hapur, më kërceu zemra nga gëzimi. Me mendje, bërtita fort “Ja ku është djali im!”, thotë nëna e Malit, duke risjell në kujtesë përvojën e djalit të saj në javët e para të jetës. Ja një video që tregon historinë e tij: https://youtu.be/-XTD5SLXyxI      

Mali ishte vetëm tre vjeç kur Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizoi në dhjetor të vitit 2015 ngjarjen e parë Let’s Dance që të mblidheshin fonde për të mbështetur më shumë programe për të ulur vdekshmërinë foshnjore, për të luftuar lindjet e parakohshme dhe gjendje të tjera shëndetësore, si dhe për t’i përkrahur familjet në aspektin financiar dhe emocional. E gjithë kjo punë bëhet në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet shëndetësore në Kosovë.

“Ajo çka është arritur në këto tre vite që nga ngjarja e parë Let’s Dance është thjesht e mrekullueshme. Me rreth €80,000 të mbledhura nga tri ngjarjet Let’s Dance, lista e rezultateve është e mirë dhe vazhdon të zgjatet”, thotē Linda Baleta, eksperte e PR dhe vullnetare e ekipit organizativ “Let’s Dance”. Shkurtimisht, disa nga këto rezultate janë:

Është bërë furnizimi me 800 shishe me medikamentin Survanta, që është esencial për zhvillimin e mushkërive të foshnjeve të lindura para kohe dhe që u mundëson atyre të marrim frymë si duhet. Furnizimi vjetor me Survanta i repartit të neonatologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është i domosdoshëm për të përmbushur nevojat për një vit të tërë!

Reparti i kujdesit intensiv në neonatologji është furnizuar me 5 llampa për fototerapi, që përdoren për trajtimin e verdhëzës tek foshnjet dhe me 5 monitorë kardio-pulmonarë që mundësojnë matjen e të rrahurave të zemrës. Po ashtu, ka nisur programi për transportimin e foshnjeve dhe autoambulanca është pajisur si duhet.

Janë hapur pesë Qendra Informuese për Shëndetin e Grave në Shtërpce, Mitrovicë, Kaçanik, Prizren dhe Dragash. Këto qendra organizojnë klasa për nënat që presin të lindin se si të kenë shtatzani të shëndetshme dhe si të përgatiten për lindjen. Është lansuar dhe zgjeruar programi për kontrollin për kancerin e qafës së mitrës për herë të parë në Kosovë.

Është zgjeruar poashtu funksionimi i shitores Teshavesha ku shiten veshje me çmime të përballueshme për të gjithë. Fitimet nga Teshavesha shkojnë për linjat e programeve shëndetësore të Fondacionit, për t’iu përgjigjur nevojave për kujdes mjekësor special për fëmijët në Kosovë, duke iu dhënë kështu të gjithëve mundësinë për të përmbushur të ardhmen e tyre si të rritur.

“Kjo është fuqia e përkrahjes nga komuniteti”, vazhdon Linda Baleta.

“Mora vesh se pajisja CPAP që ia shpëtoi jetën djalit tim ishte mundësuar falë bujarisë së miqve dhe donatorëve të shumtë të Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Dua t’i falenderoj të gjithë që më shpëtuan djalin,” thotë nëna e Malit. Tani, ai është 6 vjeç dhe shkon në shkollë.

 Këtë vit, ngjarja për mbledhjen e fondeve Let’s Dance mbahet më 1 nëntor 2018 në Sheshi 21 në Prishtinë, Kosovë. Për të marrë pjesë ose për të dhënë kontributin tuaj ju lutemi të kontaktoni me Fondacionin Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në adresën e email-it info@amchealth.org ose përmes telefonit në numrat +38649685943 ose +38138748309 ose të jepni donacion online përmes platformës https://www.amchealth.org/amchealth/

Bëhu një “letsdancer” dhe ndihmoji një fëmije në nevojë! /Telegrafi/