Letrat e Fan Nolit dërguar së motrës Sulltanës gjatë viteve 1923-1960 dhe ndihma financiare e vazhdueshme që ai dërgonte për familjen e saj…
Sulltana, motra e vogël me të cilën ndau fëmijërinë e tij në Ibrik Tepe (fshatin e lindjes), do të mbetej gjithë jetën pika e dobët e Fan Nolit. Vajza e cila shfaqet në një foto të vitit 1911 në Sofje, përkrah të vëllait Theofan dhe së ëmës Maria, e veshur me një fustan të zi të gjatë, me flokët e mbledhura pas kokës, qe gjatë gjithë jetës përkrahësja më e madhe e dëshirave të tij, dëgjuesja e heshtur e shqetësimeve dhe e aktivitetit të tij politik e fetar.
Kjo foto (sipër) që është bërë gjatë kohës që Noli ka qenë në Sofje i ftuar për të meshuar një herë në gjuhën shqipe. Ishte koha kur Noli kishte shkuar në shumë koloni shqiptare ku kish meshuar shqip dhe me këtë mënyrë kisha ortodokse ishte futur në rrugën e një kishe autoqefale e po bëhej kisha kombëtare e shqiptarëve. Ndoshta motrat dhe nëna e tij Maria kanë qenë të pranishme në meshën që u mbajt në gjuhën shqipe. Në një shkrim të Polikseni Luarasit, e pranishme në këtë meshë, thuhet: “Si shoqet e mia ashtu dhe unë, duke dëgjuar Fan Nolin të fliste aq bukur, lëshuam lotë mallëngjimi dhe kërkuan të gjitha të mblidheshim rreth kishës kombëtare, të kishim një fe të përbashkët – shqiptarizmin. Fan Noli me të motrën më bënë një vizitë në shtëpinë time, ku u mblodhën dhe shumë shqiptarë të tjerë për t’i uruar…”.
Pra Sulltana ka qenë e pranishme në aktivitetin e rëndësishëm të vëllait për çështjen shqiptare në Sofje… Por njohja me Athanasin, martesa, rritja e fëmijëve, luftërat ballkanike, do t’i bënin gjithnjë e më të rralla takimet e saj me të vëllain, derisa për vite të tëra nuk do të shiheshin më. Takimet e tyre do të ishin vetëm përmes letrave…
Sulltana ndante çdo gjë që ndodhte me jetën e saj me të vëllain. Mbrëmjeve, pasi kishte vendosur fëmijët në gjumë, ajo ulej e shkruante në tryezën e thjeshtë atë çfarë kishte ndodhur, për ta nisur në adresë të vëllait. Nëse letrat e saj niseshin nga një shtëpi e thjeshtë, ku ajo ndante jetën me të shoqin, përgjatë viteve që ato u shkruan, destinacionet e mbërritjes ishin të ndryshme. Durrës, Tiranë, selia e Kryeministrisë, Berlin, Romë, SHBA… Në të gjitha shtetet ku ndalonte, Fan Noli nuk harronte të lajmëronte të motrën. Ajo duhet ta dinte gjithnjë adresën e tij të saktë…
Në ditët e mbërritjes së tij në Durrës dhe qëndrimit në qytetin bregdetar, Noli e nënshkruan letrën në fund me humor “durrësaku”. Letrat e tij janë të shkurtra, më shumë telegrafike, po përmes tyre mund të shohësh përkushtimin e tij për të ndihmuar të motrën, e cila sipas përgjigjeve të shkruara prej Nolit, duket se po kalon kohë jo të mira financiare. Në çdo letër të dërguar ai e lajmëron për shumën e parave që i ka dërguar… Noli nuk reshti asnjëherë së ndihmuari të motrën edhe atëherë kur drejtonte qeverinë, apo dhe atëherë kur vetë nuk ishte mirë ekonomikisht dhe endej rrugëve të Evropës…
Letrat e Sulltanës nuk janë të ruajtura, por shkrimi duket se ka qenë një pasion i hershëm i vajzës që do ta linte atë për t’iu përkushtuar rritjes së fëmijëve. Duke lexuar këto letra shohim se ajo është martuar me Athanasin, dhe sipas informacioneve në shtypin e kohës, ajo ka jetuar në Greqi, në qytezën e Feres afër kufirit greko-turk. Në qershor të vitit 1924, Sulltana humb bijën e saj, Marinën. Kjo është një periudhë e trishtë në jetën e saj, të cilën nuk mund të rrijë pa e ndarë me të vëllanë. Ajo i shkruan atij pafundësisht për dhimbjen që ndjen dhe ai nga larg i jep kurajë për ta përballuar këtë dhimbje.
Noli është i pranishëm në çdo ngjarje të familjes së Sulltanës. Ai përpiqet ta ndihmojë nga larg, por dhe t’i “japë durim” kur gjendja vjen e përkeqësohet. Në kohën kur dhe vetë Noli nuk është mirë nga financat, ai i shkruan: “Tani për tani nuk kam, porse me rastin e parë kur të kem më tepër të holla, do t’ju përkujtoj përsëri patjetër. Sa i përket ndërtimit të shtëpisë suaj, unë e dëshiroj me gjithë zemër, por është e pamundur t’ju ndihmoj, sepse siç e dini nuk jam as i pasur dhe as që kam shpresë se do të pasurohem në vitet e moshuara. Me fat, Viti i Madh dhe përqafime për të gjithë”.
Në këto letra shohim dhe shqetësimin e Nolit, për të shkolluar nipërit e tij. Ai është i bindur t’i ndihmojë ata për t’u shkolluar. Letrat e Nolit drejtuar së motrës shtrihen në harkun kohor 1926-1960, pesë vjet para se të largohej nga jeta. Pavarësisht angazhimeve të tij, Noli nuk reshti asnjëherë së shkruari së motrës dhe së kujdesuri për të. Nga llojet e parave që ai shkruan në letër se po i dërgon, mësojmë dhe vendet ku Noli ndodhet në periudha të ndryshme ku janë shkruar këto letra. Më 24 tetor 1924, Noli ka qenë në Amerikë, pasi shkruan në letër “do të dërgoj 20 dollarë për fëmijët e tu”. Më 11 nëntor 1929 ai ndodhet në Gjermani, pasi në letër shkruan “të dërgoj përmes postës 1000 drahma”. Më 15 mars 1926, ai ndodhet në Itali pasi shkruan “po të dërgoj 15 franga italiane”…
Sulltana ka jetuar deri pas moshës 80 vjeçe, në qytezën e Ferës, Greqi. Të afërmit e Nolit, motrat, nipërit, dhe mbesat kanë jetuar dhe jetojnë në Selanik, në Kavallë e qytete të tjera të Greqisë veriore.
Në Romë, 10 (XI) 1923
E dashura, motër,
Këtu brenda të dërgoj një çek, prej 1.000 frangash italiane për të cilën mendoj se nuk do të kesh vështirësi ta ndërrosh përmes ndonjë personi të njohur. Nesër nisem për në Vlorë dhe Korçë ku do të qëndroj deri në fund të dhjetorit. Përqafime për bashkëshortin tënd dhe fëmijët e tu.
Vëllai yt
Theofanis
Post scriptum. Një çek tjetër prej 1.000 frangash italiane që ua dërgova në korrik a e keni marrë apo jo.
Theofanis
Adresa ime: Monsignor F.S Noli
Presse Legarione Albanese
92. Casso Italia
Roma, Italia.
***
Vlorë, 12 qershor 1924
E dashura, motër
E mora letrën tënde dhe u trondita shumë për vdekjen e Marinës së vogël, (vajzës së Sulltanës) dhe për sëmundjen që e keni vuajtur. Të shkuara. Këtu brenda të dërgoj një çek me 1.500 franga italiane me qëllim që të mos vuani. Sonte kthehem në Durrës. Shumë përqafime.
Vëllai yt
Theofan Durrësaku
***
Tiranë, 5/XII 1924
Zyra e kryeministrit
E dashura, motër,
Në zarfë të dërgoj valutën në shumë prej 1.000 frangash italiane për Kërshëndellat dhe për Vitin e Ri. Sot i dërgova nipit tim në Kavallë shpenzimet për udhëtim, për të ardhur këtu së bashku me motrën. Të lutem shumë t’iu krijoni lehtësime për udhëtimin e tyre. Dëshiroj t’i dërgoj që të dy në shkollë.
Përshëndetje Athanasit dhe fëmijëve. Urime për Këshëndella dhe Vitin e Ri.
Vëllai yt
Theofan Durrësaku.
***
15.3.1926
E dashura motër,
E mora letrën tënde dhe shumë u bezëdisa se vështirë po kaloni dhe se shumë po vuani. Durim. Këtu brenda t’i dërgoj 15 franga italiane. Tani për tani nuk kam, porse me rastin e parë kur të kem më tepër të holla do t’ju përkujtoj përsëri patjetër. Sa i përket ndërtimit të shtëpisë suaj, unë e dëshiroj me gjithë zemër, por është e pamundur t’ju ndihmoj, sepse siç e dini nuk jam as i pasur, dhe as që kam shpresë se do të pasurohem në vitet e moshuara. Me fat Viti i Madh dhe përqafime për të gjithë.
Në shërbim të Zotit
Theofanis.
***
24.10.1927
E dashura motër
Këtu brenda të dërgoj 20 dollarë për fëmijët e tu. Përqafime prej meje dhe urimet më të mira e të zotit për të gjithë.
Në shërbim të Zotit
Theofanis.
***
22.6.1929
E dashura ime motër,
Adresa ime pas një jave do të jetë si më poshtë. Përshëndetje për tërë familjen.
Vëllai yt
Theofanis
Adresa: Mgr. F.S Noli
Bei Borshi, Schliessfach 4, Berlin M.9 (Allemagne).
***
11.XI.1929
E dashura ime motër
Të dërgoj përmes postës 1.000 drahma. Më vjen keq që nuk mund t’ju ndihmoj rregullisht, meqë edhe unë vetë vuaj nga varfëria. Mirëpo, duhet të jesh e sigurt se nuk do të harroj aq lehtë. Përshëndetje bashkëshortit tënd dhe fëmijëve. Urime për Kërshëndella.
Theofanis
Adresa: Mgr, Fan S. Noli
Poste restante
Hamburg–Allemagne,
***
22.IV.1930
E dashura motër,
Këtë javë shkoj për në Amerikë ku do të qëndroj 5-6 muaj. Adresa ime do të jetë si më poshtë: Përqafime
Vëllai yt
Theofanis
Adresa: Mgr. Fan S. Noli
Mr. K. Kirka
469 Columbus Avenue
Boston Mss
U.S America
Kryekisha e Shqiptarëvet “Shën Gjergji”. 20 Emerald Street
***
Boston, Mbas 18 korrik 1930
E dashura motër,
Sot të kam dërguar një letër me vlerë 20 dollarësh.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje