LAJMI I FUNDIT:

Letra e “hedhur” në det pak orë para tragjedisë së madhe

Letra e “hedhur” në det pak orë para tragjedisë së madhe

Një mesazh në shishe, që dyshohet se mund të jetë shkruar disa orë përpara përmbytjes së Titanikut, po hetohet nga shkencëtarët për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një mashtrim, apo kemi të bëjnë me një artifakt nga tragjedia historike.

Një letër që mbante datën 13 Prill 1912, me emrin e 12-vjeçares franceze, Mathilde Lefebvre, u gjet në brigjet e Kanadasë, më shumë se 100 vjet pas përmbytjes së Titanikut.


“Po e hedh këtë shishe në det, në mes të Atlantikut. Pritet që të arrijmë në Nju-Jork për pak ditë. Nëse dikush e gjen këtë letër, njoftoni familjen Lefebvre në Lievin”, shkruhej në gjuhën frënge.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, ajo po udhëtonte drejt Nju-Jorkut me të ëmën Marie, për t’u bashkuar me babanë dhe vëllezërit e motrat. Ky bashkim nuk ndodhi kurrë. Mathilde dhe nëna e saj nuk u panë më kurrë. Sipas raportimeve, ato vdiqën së bashku me 1 500 personat e tjerë, kur anija goditi ajsbergun, më 14 prill 1912.

Një grup kërkuesish po hetojnë autenticitetin e kësaj letre në Universitetin e Kuebekut.

“Shishja mund të jetë artefakti i parë i Titanikut, i gjetur në brigjet amerikane”, tha Maxime Gohier.

Ekspertët shprehen se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që të sugjerojë se letra është sajesë.

Letra u gjet në rërë nga një familje në Gjirin Fandi më 2017. Ajo u bë publike nga studiuesit të cilët apeluan këdo që kishte informacion për Titanikun apo për vajzën që kishte shkruar mesazhin.

Studiuesit besojnë se letra i përket asaj periudhe, por ata kanë frikë mos është mashtrim pasi dikush mund ta ketë shkruar pas tragjedisë për të tërhequr vëmendje.

Ajo që duket se i bën ekspertët skeptikë është fakti se shkrimi në letër nuk përputhet me atë që mësonin në atë kohë nxënësit në shkollat franceze. Emri i vajzës që shkroi letrën u zbulua të ishte e bija e personit Franck Lefebvre, i cili ishte minator në veri të Francës dhe u largua drejt Amerikës për të provuar fatin e tij.

Ai gjeti një punë në një minierë në Ajova, ku po jetonte së bashku me katër fëmijët e tij. Më pas thirri bashkëshorten bashkë me katër fëmijët e tjerë të vegjël, përfshirë Mathilden, që t’i bashkoheshin. Megjithatë, ekspertët thonë se informacioni për familjen nuk është i mjaftueshëm për të dalë në konkluzionin se letra u hodh nga Titaniku. Sipas të dhënave që disponohen, në Titanik kishte një pasagjere që quhej Mathilde Lefebvre.