LAJMI I FUNDIT:

Letër e hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Procesi i ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, po mbahet i mbyllur

Letër e hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Procesi i ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, po mbahet i mbyllur
Foto: Arkiv

Grupi i organizatave të shoqërisë civile, i kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që konform kompetencave që ua garanton Kushtetuta, të kërkojnë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas një njoftimi për media, në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Kosovës, në kundërshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës 750/13 të datës 12 dhjetor 2017, i rikonfirmuar me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit 72/2018 i datës 13 dhjetor 2018, si dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.318/17 të datës 10 prill 2019, Ministria e Zhvillimit Ekonomik refuzon publikimin e dokumenteve që ndërlidhen me procesin e tenderimit të termocentralit “Kosova e Re”.


“Organizatat e lartëshënuara përmes dhjetëra kërkesave nga që viti 2011 e deri tani, kemi kërkuar në vazhdimësi transparencë në procesin tenderues të termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe vazhdimisht kemi marr përgjigje refuzuese. Në qershor 2013 dhe në shkurt 2017, kemi parashtruar padi kundër MZHE-së për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për qasje në dokumente publike. Gjykata Themelore e Prishtinës ka gjetur fajtor MZHE-në në të dy rastet, madje njëri rast duke u konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Por, përkundër vendimeve gjyqësore, MZHE vazhdon të mbajë fshehur dokumentet që ndërlidhen me këtë proces”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet tutje, ata kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që konform të drejtave dhe obligimeve që ua garanton Kushtetuta, të detyrojnë MZHE-në të respektojë vendimet e gjykatave dhe të bëjë publike këto dokumente: Thirrjen finale për aplikim e cila i është dërguar kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, të gjitha vendimet për ndryshimin e kushteve tenderuese që janë marr nga viti 2011 e deri në kontratën finale për ndërtim të “Kosovës së Re” dhe procesverbalet e takimeve të Komitetit Drejtues për projektin “Kosova e Re”.

Publikimi i këtyre dokumenteve është me rëndësi për publikun dhe Kuvendin e Kosovës ngase ne besojmë se gjatë procesit të tenderimit, MZHE dhe Komiteti Drejtues kanë bërë shkelje ligjore, duke ndryshuar vazhdimisht kushtet tenderuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës 03-V-272 të 1 prillit 2010 për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009-2018.

Organizatat e lartshënuara janë në procese gjyqësore ndaj MZHE që nga viti 2013 dhe përkundër vendimeve të vonuara të gjykatave, prapë se prapë MZHE refuzon qasjen e publikut në këto dokumente.

Andaj, me qëllim që të sigurohet se procesi i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” është zhvilluar konform ligjeve në fuqi, kërkojmë nga deputetët që të angazhohen në sigurimin e transparencës për këtë projekt, para se të fillohet ndërtimi i termocentralit.

“Ju rikujtojmë se organizatat tona kanë parashtruar padi ndaj MZHE edhe për procesin tenderues të KEDS dhe katër vite pas privatizimit të rrjetit të energjisë, Gjykata ka obliguar MZHE-në që të bëjë publike asetet e privatizimit, ashtu siç i kemi kërkuar para se ato të privatizoheshin. Në rast se MZHE do të bënte publike asetet e privatizimit të KEDS para se procesi i shitjes të përmbyllej, do të shpëtoheshin së paku katër hidrocentrale të cilat janë shitur bashkë me asetet e rrjetit dhe do të shpëtohej shkatërrimi i pasurisë publike. Tani, rasti i KEDS është në proces gjyqësor, por dëmi është bërë”, thuhet në njoftimin e organizatave të shoqërisë civile.

Me qëllim që të parandalohet e njëjta edhe në projektin “Kosova e Re”, sipas njoftimit ata kërkojnë angazhimin e deputetëve në mbrojtjen e interesit publik.

Kësaj letre i bashkangjesin edhe:

  • Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.750/13 të datës 12 dhjetor 2017,
  • Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit nr.72/2018 i datës 13 dhjetor 2018;
  • Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nr.318/17 të datës 10 prill 2019,

Me respekt,

Visar Azemi – Balkan Green Foundation

Nora Latifi-Jashari – Instituti GAP

Arberesha Loxha – Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Burim Ejupi – Instituti për Politika Zhvillimore. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Haradinaj: Ne e ruanim Asociacionin për njohje të Serbisë ose për anëtarësim në NATO, Kurti e dha për Këshillin e Evropës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Kalo në kategori