LAJMI I FUNDIT:

Beteja e heshtur

Beteja e heshtur
Ilustrim

Fitore, sado e gjatë dhe e vështirë të jetë rruga … pa fitore nuk ka mbijetesë – Winston Churchill

Inteligjenca (informacioni sekret) efektive e ka ndihmuar Presidentin Biden të mobilizojë dhe të mbajë të bashkuar një koalicion vendesh në mbështetje të Ukrainës dhe veprimtaria e z. Burns, në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (Central Intelligence Agency – CIA), u ka kthyer Shteteve të Bashkuara përparësinë ndaj presidentit Putin. Administrata Biden i ka vënë shefat e vet të spiunazhit në qendër të vëmendjes edhe pse ata, zakonisht, qëndrojnë në hije.


“Memorandumi i 36 yjeve”

Në prill 2021, nëntë gjeneralë amerikanë, komandantë ushtarakë rajonalë, i kërkuan komunitetit të inteligjencës amerikane t’u ofronte më shumë informacione të paklasifikuara për t’i bërë publike sepse, në këtë mënyrë, ata do të mbronin më mirë ShBA-në, aleatët dhe partnerët e vet, për të fituar pa luftuar, për të luftuar në të ashtuquajturat zona gri dhe për t’u armatosur kundër dezinformimit. Vetëm duke thënë të vërtetën, publikisht, kundër sfiduesve të rendit demokratik ndërkombëtar, Uashingtoni do të jetë në gjendje të mbështesë dhe të mbështetet nga aleatët.

Praktikat tepër të rrepta të fshehtësisë, vijojnë gjeneralët, i pengojnë të konkurrojnë në betejën e ideve. Kësisoj, deklasifikimi i kujdesshëm, strategjik i disa sekreteve, pjesë e një strategjie të re të ndjekur nga ShBA-ja dhe qeveria britanike – aleat shumë i ngushtë – ekspozoi dezinformimin rus, shkatërroi narrativat e rreme të Putinit dhe, sipas ekspertëve, i mori atij përparësinë. Ky deklasifikim, thekson z. Burns, nuk rrezikon burimet apo metodat e përdorura për të mbledhur inteligjencën, por mënjanon me maturi vetështrëngimin për të mbajtur gjithçka të fshehtë.

Bashkëpunim strategjik

Për më shumë se një dhjetëvjeçar, ShBA-ja ka ndërtuar me Ukrainën një partneritet të ngushtë në zbulimin sekret. Agjencitë amerikane e kanë transformuar inteligjencën ukrainase, që shihej si tërësisht e kompromentuar nga Rusia, në një nga partnerët më të rëndësishëm të Uashingtonit kundër luftës pushtuese të Kremlinit. Ato ofrojnë inteligjencë për sulmet ajrore, detare, lëvizjet e trupave dhe për mbështetjen e rrjeteve të spiunazhit. Sot, nga ky partneritet buron aftësia e Ukrainës për të mbrojtur veten.

Më 2016, CIA filloi të dërgojë pajisje të posaçme në Ukrainë, për përgjimin e komunikimeve sekrete të armikut dhe të trajnojë një forcë elite komando – Njësia 2245 – e cila zbulon dronët rusë dhe pajisjet e komunikimit duke ua dhënë mundësi teknikëve të CIA-s t’ua modifikojnë trajektoren dhe të thyejnë sistemet e kriptimit të Moskës. Gjatë kësaj periudhe, CIA ka ngritur 12 apo 14 baza sekrete përgjatë kufirit rus. Nga çdo bazë, oficerët ukrainas drejtuan rrjete agjentësh që merrnin inteligjencë brenda Rusisë (Operacioni Peshku i Artë). Po kështu, CIA trajnoi një gjeneratë të re të spiunëve ukrainas që veprojnë në Rusi, në Evropë, në Kubë dhe në vende të tjera, ku rusët kanë prani të madhe agjentësh. “Pa ata (CIA-n), ne nuk do të kishim asnjë mundësi t’u rezistonim rusëve, ose t’i mundnim ata”, vëren ish-kreu i agjencisë të brendshme të inteligjencës të Ukrainës. Tani, ky rrjet inteligjence është më i rëndësishëm se kurrë, pasi Rusia është në ofensivë dhe Ukraina është më e varur nga sabotazhet dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi, që kërkojnë spiunë përtej linjave të armikut.

“Ky është vendi ynë”

Më 2016, spiunët ukrainas zbuluan se rusët po rreshtonin helikopterë sulmues në një pistë ajrore në gadishullin e pushtuar të Krimesë. Gjenerali Kondratiuk (ish-drejtori i inteligjencës ushtarake), pa njoftuar CIA-n vendosi të dërgonte në Krime një ekip për të vënë eksplozivë në pistë, të shpërthente nëse helikopterët do të ngriheshin për të sulmuar. Komandot ukrainase, të maskuar me uniforma ruse, zbritën natën në Krime ku i priste një njësi elitare e komandove rusë. Ukrainasit u kundërpërgjigjën dhe vranë disa syresh. Operacioni ishte dështim i plotë dhe nxiti një reagim të ashpër publik të presidentit Putin, i cili i akuzoi ukrainasit për planifikimin e një sulmi terrorist dhe premtoi të hakmerrej për vdekjen e luftëtarëve rusë.

Në Uashington, disa nga këshilltarët e presidentit Obama donin t’i jepnin fund programit të CIA-s, e cila nuk i mbështet sulmet vdekjeprurëse: “Ne bëjmë një dallim midis operacioneve të mbledhjes së inteligjencës dhe gjërave shpërthyese”, vërente një ish-zyrtar i lartë amerikan. Z. Brennan, ish-drejtori i Agjencisë, i bindi ata se një gjë e tillë do të ishte vetëshkatërruese, edhe pse gjenerali ukrainas i zëmëruar iu kundërpërgjigj ish-drejtorit të CIA-s: “Ky është vendi ynë. Kjo është lufta jonë dhe ne duhet të luftojmë”.

Zgjedhja e z. Trump i shqetësoi ukrainasit dhe partnerët e tyre në CIA. Por, edhe pse presidenti Trump vlerësoi z. Putin dhe mohoi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, M. Pompeo, si drejtori i CIA-s, dhe J. Bolton, si këshilltar për sigurinë kombëtare, vizituan Kievin për të theksuar mbështetjen e tyre të plotë për partneritetin sekret, ndërsa drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes të Operacioneve ndaj Rusisë, në CIA, organizoi një takim sekret në Hagë me përfaqësues nga CIA, MI6-shi britanik, HUR-i ukrainas, shërbimi holandez dhe nga agjenci të tjera të cilët ranë dakord të ndanin me njëri-tjetrin më shumë inteligjencë për Rusinë. Si përfundim, u ngrit një koalicion i fshehtë kundër Rusisë dhe ukrainasit ishin anëtarë jetikë të tij.

Pa kufizim

Në nëntor 2021 dhe në vijim, CIA dhe MI6 njoftuan partnerët ukrainas se Rusia po përgatitej për të pushtuar Ukrainën, për të rrëzuar qeverinë dhe për të instaluar në Kiev një qeveri kukull që do të komandohej nga Kremlini. Informacioni përmbante edhe emrat e zyrtarëve ukrainas të cilët rusët planifikonin t’i vrisnin ose t’i kapnin, si dhe të atyre që Kremlini shpresonte t’i vendoste në pushtet. Presidenti Zelensky dhe disa nga këshilltarët e tij kryesorë nuk besuan, ata nuk u bindën as në janar 2022 kur drejtori Burns vajti nxitimthi në Kiev për t’i kthjelluar. Në këtë kohë, Shtëpia e Bardhë i mënjanoi pengesat e vjetra dhe autorizoi agjencitë e spiunazhit t’u ofronin gjegjësve ukrainas informacion edhe për operacionet me pasoja të rënda që kryheshin në Ukrainë dhe, brenda disa javësh, CIA dërgoi shumë oficerë të rinj për të ndihmuar kolegët ukrainas.

Tani që republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kanë arritur ende të miratojnë ndihmën miliarda dollarëshe (60) për Ukrainën, zbulimi ukrainas është i shqetësuar. Vizita e drejtorit Burns në Kiev, më 22 shkurt, flet qartas për vendosmërinë e ShBA-së për të mbrojtur Ukrainën. Falë ndihmës së CIA-s, sot HUR-i është në gjendje të mbledhë dhe të prodhojë më shumë inteligjencë se në çdo kohë të luftës.

Rrjedhje informacioni

Britania dhe aleatët e tjerë të NATO-s jenë të shqetësuar nga rrjedhja e informacionit prej komandantëve të ushtrisë gjermane: më 19 shkurt, Rusia përgjoi një konferencë telefonike të gjatë (38’) ndërmjet gjenerallejtnantit Ingo Gerhartz, komandant i Forcave Ajrore Gjermane, dhe tre oficerëve të lartë të Forcave Ajrore të Gjermanisë, që diskutonin për vendosjen në Ukrainë të raketave gjermane Taurus dhe kundërshtimet që ngre koalicioni i Kancelarit Scholz për këtë vendim. Nëpërmjet këtij përgjimi, inteligjenca ruse është në gjendje të zbulojë metodat e shpërndarjes të raketave britanike, franceze dhe gjermane, të gjurmojë transportimin dhe vendosjen e tyre, si dhe të zbulojë objektivat, që ukrainasit mund të godasin me këto raketa.

Kancelari gjerman, shumë i shqetësuar vëren se ky përgjim, që po përdoret nga Rusia si një triumf propagandistik, është “çështje shumë serioze”, ndërsa Tobias Ellwood, ish-kryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Parlamentit britanik, tha se rusët kishin publikuar përgjimin për të pështjelluar politikën gjermane, duke theksuar ndarjen midis ushtrisë e cila është e përgatitur të dërgojë raketat dhe kancelarit Scholz që po i bllokon.

Rimëkëmbje e spiunazhit rus

Në prill të vitit 2023, u arrestua në Milano, për t’u ekstraduar në ShBA, një biznesmen rus me lidhje të dyshimta me inteligjencën ruse. Ai kishte trafikuar ilegalisht në Rusi gjysmëpërçues për të prodhuar raketa balistike dhe një sërë armësh të tjera, që disa syresh po përdoren kundër Ukrainës. Por, sipas shtypit, një bandë kriminale serbe e liroi fshehurazi dhe e dërgoi në Rusi. Kjo arratisje, pjesë e një serie incidentesh të kohëve të fundit, tregon se forcat e inteligjencës ruse janë rigjallëruar nga goditja që pësuan në pranverën e vitit 2022, kur vendet evropiane dëbuan rreth 600 diplomatë (si spiunë) rusë.

Sot, rrjeti i inteligjencës të Rusisë po bëhet më inovativ. Presidenti Putin po riforcon gjithnjë e më shumë agjencitë ruse të spiunazhit, sipas modeleve të mëparshme sovjetike, duke synuar të rivendosë lavdinë e shërbimit të frikshëm sekret të Stalinit. Ai, theksojnë ekspertët, ka qasje fleksibile dhe pragmatike ndaj shërbimeve të veta të inteligjencës: luan me frikën e spastrimeve dhe inkurajimin për të qenë më inovativë në rifitimin e terrenit në Perëndim. Kësisoj, gjatë vitit të kaluar, vihet re një rritje e dukshme e operacioneve ambicioze jashtë Rusisë, përfshirë operacionet e supozuara sabotuese, rrëmbime dhe shtimin e përpjekjeve për rekrutim në disa vende të NATO-s, siç është edhe rasti i një anëtari të agjencisë gjermane të inteligjencës, BND, apo i europarlamentares letoneze.

Studiuesit vërejnë se zbulimi rus po mbështetet gjithnjë e më shumë te qytetarët e vendeve evropiane, jo vetëm për spiunim dhe gjurmimin e dërgesave të armëve në Ukrainë, por edhe për të ushtruar trysni në rritje ndaj mërgimtarëve rusë dhe kundërshtarëve të regjimit. Tani, agjencitë ruse të inteligjencës, e dinë se Kremlini i mbështet, ndan paranojën dhe paragjykimet e tyre. Ky realitet dëshmon, gjithashtu, se shërbimet e spiunazhit rus besojnë në mbrojtjen e Kremlinit.

Rigjallërimi i aparatit të spiunazhit të Moskës e përball Perëndimin me operacione dhe ndërhyrje më kërcënuese të inteligjencës ruse në Evropë dhe gjetkë. Në Evropën Juglindore dhe në Ballkan, këto implikime përfshijnë taktikat ruse të manipulimit, si politike: nxitje të separatizmit, organizim ose nxitje protestash, tërheqje nga marrëveshje apo aleanca, mbështetje për kandidatë apo parti politike, infiltrim në pozicione me pushtet etj.; ekonomike: ndërprerje apo subvencione për gaz, lehtësimin e borxhit, mbështetje financiare për qeverinë, figura politike, grupime separatiste etj.; informim: disinformim, trillime kundër politikave perëndimore, kërcënime etj.; ushtarake: mbështetje për forcat proruse me personel dhe furnizime ushtarake; mbrojtje ushtarake për shkëputje, si dhe kulturore: theksim i lidhjeve me Rusinë, përdorimi i Kishës Ortodokse Ruse për ndërhyrje politike etj.

Epilog

Çelësi i suksesit të Ukrainës qëndron te ndihma e Perëndimit. Nëse republikanët në Kongres i japin fund financimit ushtarak për Kievin, rrjedhimisht edhe mbështetja e CIA-s do të zvogëlohej dhe agjentët e HUR-it do të jenë gjithnjë e më shumë në rrezik. Largimi i Shteteve të Bashkuara nga konflikti në këtë moment vendimtar dhe ndërprerja e ndihmës do të ishte një autogol me përmasa historike, thotë drejtori i CIA-s.