Ditë më parë, persona të panjohur, kanë gërmuar në themelet e Kishës së Shën Anës në Dunav, përkatësisht në këndin e djathtë të pjesës ballore të kishës. Sipas të gjitha gjasave, kërkimet janë bërë për gjetjen e ndonjë thesari, pasi në këto anë qarkullojnë legjenda për fshehjen e qypave të arit.

Objekti i kishës i përket trashëgimisë kulturore që nga viti 2005. Prej kohës së luftës e këndej, fshati Dunav është boshatisur gati në tërësi.


Përndryshe, në Karadak ka legjenda edhe për “Vrellën e Pidiqëve”. Sipas legjendës, diku sipër fshatit, dikur kishte ekzistuar një fushë e gjerë, me një liqe të bukur në mes, ku pinin ujë bagëtia dhe freskoheshin demat e lodhur nga dyluftimi që bënin mes vete.

Legjenda thotë se herë pas here në liqe shfaqej një dem i zi, trupmadh, që tmerronte banorët kur e shihnin, ndërsa kafshët nuk guxonin t`i afroheshin ujit. Për të shpëtuar nga ky ankth, banorët e kishin vrarë demin e zi një ditë dhe ai duke u fundosur, e kishte mbyllur grykën e liqenit me trupin e tij të madh.

Prej asaj dite, liqeni ishte tharë pikë për pikë. Ujët, për habi të banorëve, kishte shpërthyer disa metra më poshtë, mbi fshatin Pidiq. Rreth këtij burimi janë krijuar edhe rrëfime të ndryshme. Disa besojnë se është ujë që shëron, disa edhe e kanë provuar vetë, por ka edhe të atillë që nuk besojnë në këto gjera.

Banorët thonë se te burimi del ujë i ngrohtë, por më poshtë ai të mërdhin nga të ftohtit. Është i mirë për sëmundje të lëkurës, për hemorroide, për sëmundje tjera. Djemtë e vajzat, dikur e vizitonin këtë krua për të ndryshuar fatin.

Në afërsi të kroit, gjenden disa themele të vjetra, që thuhet se aty dikur kishte pasur një kishë. Legjenda që përflitet nga banorët e zonës, thotë se dikur, në afërsi të kësaj zone ishte vendosur me shator një ekspert serb nga Beogradi. Ai kishte jetuar disa ditë në këtë vend, ku kishte kryer hulumtime.

Banorët thonë se pas disa ditësh, eksperti serb ishte zhdukur, ndërsa ata kishin vërejtur disa shpime në themelet e kishës, të cilat i kishte lënë pas vete, nga nxitimi për t`u larguar me qypat e lirave, që besohet t`i ketë gjetur aty. Besohet se ai kishte ardhur për t`i kërkuar lirat, që e dinte se ekzistonin.

Legjenda të tilla ka edhe në zonat tjera të Gjilanit, ku gjenden themele kalash e kishash. /gjilani.info/