LAJMI I FUNDIT:

Legjenda për emrin Shqiptar

Legjenda për emrin Shqiptar

Pirroja ishte sundimtari më i shquar i Epirit. Sipas legjendave, ishte pasardhës i largët i Akilit, biri i Akidit, kushëriri i Aleksandrit të Molosisë që sundoi molosët e Janinës…

Akidi u ngatërrua në një grindje politike familjare e krahinore dhe, si rrjedhoje, në fillim humbi mbretërinë e pastaj edhe jetën në vitin 313 p.e.s..


I biri tij, Pirroja, në atë kohë vetëm gjashtë vjeç, u shpëtua nga Glauku, princi i fisit Ilir të taulantëve. Në moshë të re hipi në fron për një kohë të shkurtër, por u rrëzua shpejt dhe filloi karrierën ushtarake me Antigonin e Maqedonisë, komandantin veteran që kishte shërbyer me Lekën e Madh. Në njërën nga betejat ai u kap rob dhe u dërgua si peng në Aleksandri.

Aty fitoi admirimin e Ptolemit, i cili i dha për grua të bijën dhe në vitin 296 p.e.s. e vuri përsëri në fronin e mbretërisë së tij. Pirro gëzonte nam për fisnikërinë dhe trimërinë e tij në betejë. Epirotët e quanin “Shqiponjë”.

Sipas një tradite shqiptare, pretendohet se emërtimi “Shqiptarë” (Bij të Shqipes) e ka origjinën nga thënie e Pirros. Kur dikush lëvdonte zhdërvjelltësinë e lëvizjes së trupave të tij, ai i përgjigjej me krenari se një gjë e tillë ishte normale, pasi ushtarët e tij ishin “Bijtë e shqipes”. Sipas një versioni tjetër, disi të ndryshëm, kur ushtarët e tij u thurnin lëvdata sulmeve të tija të guximshme e të shpejta ata e quanin “Shqiponjë”, ai iu përgjigjej se ata ishin krahët e tija që bënin të mundur fluturimin e shpejtë të shqiponjës .

Thuhet se kjo çoi në adoptimin e këtij emri, të cilin populli shqiptar e përdor edhe sot e kësaj dite. Pra jo “Albanë” por “Shqiptarë” ose “Bij të shqipes”.