Legjenda e futbollit, fituesi i dyfishtë i Topit të Artë, Kevin Keegan diagnostikohet me kancer

Legjenda e futbollit anglez, Kevin Keegan, 74 vjeç, është diagnostikuar me kancer, njoftoi familja e tij në një deklaratë zyrtare.
Ish-sulmuesi dhe trajneri i kombëtares së Anglisë u shtrua së fundmi në spital për shkak të problemeve të gjatë me barkun, dhe testet zbuluan kancerin për të cilin ai së shpejti do të fillojë trajtimin.
Familja e Keegan shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor për veprimin e tyre të shpejtë dhe kujdesin e vazhdueshëm, duke kërkuar gjithashtu privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Këto teste zbuluan një diagnozë të kancerit, për të cilën Kevin do të marrë trajtim. Ai është mirënjohës ekipit mjekësor për ndërhyrjen dhe kujdesin e tyre të vazhdueshëm. Gjatë kësaj kohe të vështirë, familja kërkon privatësi dhe nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejshëm,” thuhet në deklaratë.

Reagimi i Newcastle United
Newcastle United, klubi me të cilin Keegan lidhet ngushtë si lojtar dhe trajner, reagoi menjëherë duke publikuar një mesazh mbështetjeje në rrjetet sociale.
"Ish-lojtari dhe trajneri ynë Kevin Keegan do të fillojë trajtimin pas një diagnoze me kancer, pas shtrimit në spital për vlerësim të mëtejshëm të simptomave të barkut që kanë ekzistuar prej kohësh. Mbreti Kev, ne jemi me ty në çdo hap të rrugës. Të urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë".
Keegan ka një lidhje të veçantë me Newcastlen, ku ka luajtur dhe ka drejtuar ekipin mes viteve 1992–1997 dhe më pas në vitin 2008. Lajmi i diagnostikimit të tij ka nxitur reagime mbështetëse nga tifozët dhe komuniteti i futbollit anglez, të cilët kujtojnë karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Our former player & manager, Kevin Keegan will undergo treatment after being diagnosed with cancer having been admitted to hospital for further evaluation of ongoing abdominal symptoms.
King Kev. We're with you every step of the way. Hoping for a full and speedy recovery 🙏🖤🤍 pic.twitter.com/yLVSJWMrKf
— Newcastle United (@NUFC) January 7, 2026
Një karrierë e jashtëzakonshme
Kevin Keegan lindi më 14 shkurt 1951 në Armthorpe dhe konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të futbollit anglez. Ai e filloi karrierën e tij profesionale në Scunthorpe, duke u bërë yll në Liverpool (1971–1977), ku fitoi tre tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh dhe dy Kupa UEFA.
Në vitin 1977, ai u transferua te Hamburger SV në Gjermani, ku fitoi dy herë Topin e Artë (1978 dhe 1979), Bundesligën dhe luajti në finalen e Ligës së Kampionëve.

Më pas, ai luajti për Southampton, Newcastle United dhe Blacktown City, ku përfundoi karrierën e tij të pasur.
Keegan luajti gjithsej 63 herë për Anglinë, duke shënuar 21 gola, dhe mori pjesë në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.
Si trajner, ai udhëhoqi Newcastle United drejt dy vendeve të dyta radhazi në Ligën (1995/96 dhe 1996/97), dhe gjithashtu ka qenë trajner i kombëtares së Anglisë nga viti 1999 deri në 2000. /Telegrafi/

















































