LDK kritikon miratimin e buxhetit 2026 nga Qeveria në detyrë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për miratimin e buxhetit për vitin 2026. Sipas LDK-së, miratimi i buxhetit nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet përbën një akt politik dhe institucional të paprecedent.
Në komunikatën për media, LDK thekson se vendimi është marrë në kohë kur procesi zgjedhor për balotazhin e zgjedhjeve komunale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare është në zhvillim, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për ndikim elektoral, raporton Telegrafi.
Partia e konsideron veprimin e Qeverisë në detyrë si jashtë normave demokratike dhe si uzurpim të kompetencave shtetërore, duke potencuar se buxheti është dokumenti më i rëndësishëm financiar i vendit dhe duhet të miratohet nga një qeveri e legjitimuar nga qytetarët.
LDK gjithashtu paralajmëron qytetarët për çdo përdorim të buxhetit si instrument politik dhe thekson se mbështetja sociale duhet të jetë rezultat i politikave të qëndrueshme dhe planifikimit afatgjatë, jo vendimeve të marrë në fund të mandatit të qeverisë në largim.
Partia thekson se do të vazhdojë të monitorojë proceset institucionale dhe do të punojë për rikthimin e besimit qytetar dhe qeverisjes së përgjegjshme në vend. /Telegrafi/








































