LAJMI I FUNDIT:

LB: Vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte

LB: Vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte

Lëvizja për Bashkim (LB) ka reaguar pasi Dhomat e Specializuara me seli në Hagë sot shpallën dënimin drakonik ndaj luftëtarit të lirisë, Sali Mustafës.

Në reagimin e LB thuhet se “që nga mënyra e krijimit, – nga presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës dhe mbi përfaqësues të saj, nga kërcënimi publik se ‘nëse nuk e formojmë ne, e formon Rusia në kuadër të OKB-së’, e deri te qëllimi i hapur i saj (‘të dy palët fajtore’ dhe ‘pajtimi i palëve’), – ka qenë e qartë se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por do të shpallë vetëm vendime politike. Kjo edhe ndodhi sot”.

“Lëvizja për Bashkim, pa asnjë luhatje, që nga fillimi ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, e veçanërisht jo para se ta marrë dënimin e merituar agresori dhe mekanizmat e tij, të cilët janë përgjegjës për shumë masakra të tmerrshme në Kosovë dhe për mijëra dhunime e për shkretimin e plotë të Kosovës”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.


“Lëvizja për Bashkim mbetet e paluhatur dhe e bindur thellë se, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë e të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta njollosur atë, lufta jonë ka qenë e drejtë e çlirimtare!”, thotë LB.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë. /Telegrafi/