LAJMI I FUNDIT:

Largohen nga tregu punimet prej ari dhe argjendi që janë shitur në kundërshtim me ligjin

Largohen nga tregu punimet prej ari dhe argjendi që janë shitur në kundërshtim me ligjin

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë muajit Dhjetor 2021 ka inspektuar disa Operator Ekonomik të cilët merren me tregtinë e punimeve nga metalet e çmuara (Ari dhe Argjendi).

Me këtë rast Inspektorati i Tregut i MINT, ka larguar nga tregu një numër të konsiderueshëm të punimeve nga metalet e çmuara, të cilat janë vendosur në treg për konsumator në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr.04/L-154 Për Punimet nga Metalet e Çmuara.


Operatorët Ekonomik para vendosjes në treg të punimeve nga metalet e çmuara, kanë për obligim që punimet të kontrollojnë dhe të shënojnë me shenjën e harmonizimit (e cila vërteton saktësinë e pastërtisë së punimit nga metali i çmuar). Shenja e harmonizmit vendoset në Laboratorin e Punimeve nga Metalet e Çmuara në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës/MINT.

Inspektorati i Tregut do të vazhdojë inspektimet në bashkëpunim me Doganën e Republikës së Kosovës, derisa të sigurohemi që të gjithë Operatorët Ekonomik të cilët merren me tregtimin e Punimeve nga Metalet e Çmuara, janë duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje konsumatorëve që gjatë blerjes së punimeve nga metalet e çmuara (Ari dhe Argjendi), të kërkojnë nga Operatori Ekonomik të dëshmojë që punimet janë të shënuara me shenjën e harmonizimit. Në rast se punimi nga metali i çmuar nuk është i shënuar, luten konsumatorët të refuzojnë blerjet dhe të njoftojnë inspektoratin e tregut në MINT.

Inspektorati i Tregut, ka iniciuar kërkesat për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për Operatorët Ekonomik dhe pritet që këto lëndë të trajtohet konform dispozitave ligjore në fuqi.

MINT dhe Inspektorati i Tregut janë të përkushtuar përherë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës të drejtë në treg.