LAJMI I FUNDIT:

Lansohet fushata “Shijo djathin e vërtetë”

Lansohet fushata “Shijo djathin e vërtetë”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka filluar fushatën për promovimin e djathit vendor të prodhuar 100 për qind nga qumështi, e realizuar në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, AUV, Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Qumështorëve të Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i AUV-së, Valdet Gjinovci, tha se kampanja do të bazohet në punë cilësore, djathë tërësisht nga qumështi dhe përfitime shëndetësore.

Mes tjerash, ai tha se industria e qumështit në Kosovë është lider, falë mbështetjes institucionale, USAID-it, si dhe AUV, të fokusuara në mbrojtje e shëndetit dhe ngritjen e vetëdijes për ushqim cilësor.

“Kjo fushatë do të fokusohet në informimin e konsumatorëve për vlerën ushqyese të djathit të bërë 100 për qind nga qumështi , cilësinë e lartë të tij, dhe përfitimet shëndetësore. AUV do të kontribuojë me testimin e prodhimeve të qumështit”, tha ai.

Gjinovic bëri të ditur se janë duke bërë vaksinimin e gjedhëve kundër sëmundjes gungore të gjedhit.

“Kosova është ndër vendet e para të rajonit që përfshihet në vaksinimin e kafshëve të egra nga ajri”, tha ai.

Brian Martalus, drejtor i Zyrës për zhvillim ekonomik të USAID-it në Kosovë, tha se qëllimi kryesor i kësaj kampanje është që njerëzit të informohen për djathin e vërtetë, që sipas tij konsiston në ngritjen e vetëdijes për dallimin midis djathit të prodhuar tërësisht nga qumështi dhe djathit nga vajrat me bazë bimore.

Isuf Cakiqi nga Ministria e Bujqësisë tha se kjo ministri në fokus të veçantë ka sektorin e blegtorisë, gjegjësisht fushën e qumështit dhe se përveç përkrahjes së sektorit të blegtorisë, ajo ka marrë edhe iniciativa për promovimin e produkteve të qumështit, me qëllim që të konsumohet djathi i vërtetë nga qumështi.

Milazim Berisha nga SHPQK, ka përgëzuar këtë fushatë, duke u shprehur optimist se do të ndikojë në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve.

“Kjo fushatë ka qenë e domosdoshme sidomos bë dyshimet që kanë qenë në prodhimet e qumështit. Kjo fushatë për të pasur efektin e vet, të gjithë akterët duhet të kryejnë punën e vet”, u shpreh ai.

Ndërsa, Gani Durmishi, kryetar i SHQK-së, tha se janë të fokusuar në ofrimin e produkteve vendore për të zëvendësuar ato që importohen.

“Ky djathë do të jetë pak më i shtrenjtë, por konsumatori e ka mundësinë të zgjedhë nëse dëshiron djathë cilësor, tërësisht me origjinë shtazore, apo djathë tjetër”, tha ai. /Telegrafi/