LAJMI I FUNDIT:

Lajçak për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Ju takon palëve ta përcaktojnë epilogun e dialogut

Lajçak për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Ju takon palëve ta përcaktojnë epilogun e dialogut

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ju takon palëve ta përcaktojnë marrëveshjen finale dhe se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit e dialogut.

Këto deklarata ai i bëri para mediave të shtunën në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.


“Për këtë duhet të vendosin Kosova dhe Serbia… nuk është se vendosi unë për ju dhe për këtë është dialogu”, ka thënë ai, pasi është pyetur nga gazetarët lidhur me marrëveshjen finale për të cilën së fundmi janë shtuar diskutimet se ajo mund të mos përfshijë njohjen reciproke.

Ai tutje ka thënë se diskutimet me Kurtin ishin konstruktive dhe të dobishme, ndërsa ka pranuar se kanë biseduar edhe për propozimin franko-gjerman.

“Natyrisht që e diskutuam dhe kjo është arsyeja pse vi në baza javore këtu. Por, më mirëkuptoni që nuk i ndihmon procesit nëse lëshohem ne detaje”.

I pyetur për vendimin e Qeverisë së Kosovës që më 31 tetor të përfundojë afati për kthimin e targave nga ilegale në RKS, ka refuzuar të komentojë duke thënë se kjo çështje i takon kryeministrit Kurti.

“Takimi dhe biseda me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktive dhe e dobishme. Po bëjmë progres në diskutimet tona dhe kjo është çfarë mund të them tani. Lidhur me targat, ne e diskutuam këtë çështje dhe i takon kryeministrit Kurti të vendos, kemi pasur diskutim të hapur”.

“Ne jemi këtu të ndihmojmë dhe brenga jonë është që të mos ketë tensione dhe dhunë. Kjo nuk është në interes të Kosovës, sidomos në këtë periudhë të rëndësishme të proceseve, siç janë diskutimet për liberalizmit të vizave dhe çështja e anëtarësimit në Këshill të Evropës. Gjëja e fundit që Kosova do të kishte nevojë është dhuna”, ka deklaruar Lajçak të shtunën.

Lajçak ka folur edhe për draftin e fundit i publikuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se për këtë çështje është informuar nga mediat.

“Për draftin e Asociacionit kam mësuar në fakt nga mediat…Nuk kam qenë më parë i informuar për këtë. Kushdo që dëshiron të shkruajë drafte është i mirëpritur, por ne nuk i kemi kërkuar askujt ta bëjë këtë”. /Telegrafi/