LAJMI I FUNDIT:

Lajçak flet për takimin me Vuçiqin: Për të njëjtat tema do të diskutoj së shpejti edhe me Kurtin

Lajçak flet për takimin me Vuçiqin: Për të njëjtat tema do të diskutoj së shpejti edhe me Kurtin
Foto: Arkiv

Miroslav Lajçak, i dërguar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka njoftuar për takimin e zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Twitter, Lajçak ka shkruar se ka filluar një javë të ngarkuar me Vuçiqin për dialogun Kosovë-Serbi.


Ndërsa thotë se gjatë javës do të diskutojë të njëjtat çështje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Duke filluar një javë të ngarkuar të Ballkanit Perëndimor në Bruksel u takova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe punën që na pret. Më vonë gjatë kësaj jave unë do të diskutoj të njëjtat çështje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, ka thënë Lajçak.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ditë më parë tha se Kurti në Bruksel nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe  Vuciq”, u shpreh Kryeziu.

Pesidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një letër që i ka shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë letër, Biden ka theksuar se ShBA mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përqendrohet në njohje reciproke.

Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve.

“E di që për të arritur këtë duhet fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës dhe SHBA-ja do të jetë partner i juaj në çdo hap”, ka thënë Biden. /Telegrafi/