La Liga merr raportin mjekësor të Ter Stegenit – vendimi pritet brenda pak ditësh

La Liga ka marrë raportin mjekësor mbi operacionin e fundit të Marc-Andre Ter Stegen, i cili është autorizuar nga vetë portieri të premten në mbrëmje, sipas raportimeve të Mundo Deportivo. Ky raport përfshin miratimin e kapitenit të Barcelonës.
Komisioni Mjekësor me katër anëtarë i La Ligës, i përbërë nga specialistët e traumave me përvojë: Dr. Fernandez Jaen, Baro Pazos, Perez San Roque dhe Ardevol, do të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur.
Megjithatë, Ardevol pritet të përmbahet nga pjesëmarrja për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me klubin e Barcelonës.
Zakonisht, secili anëtar i komisionit merr nga dy deri në katër ditë për të analizuar dokumentet dhe për të dhënë vendimin. Në shumicën e rasteve, vendimi është unanim.
Nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive, La Liga mund të japë vendimin përfundimtar deri të martën ose të mërkurën, dhe do ta njoftojë menjëherë Barcelonën.
Vetëm në rast se ndonjë prej mjekëve jep një raport negativ, atëherë do të thirret një takim i posaçëm për të marrë një vendim përfundimtar, një skenar që konsiderohet i pamundur, por që do ta vononte procesin.
Gjithashtu, ekziston mundësia që Ter Stegen të thirret për një kontroll mjekësor të drejtpërdrejtë në rast se lindin paqartësi apo kontradikta në rezultatet e testimeve.
Në të tilla raste, lojtari është i detyruar të paraqesë të gjitha ekzaminimet shtesë që mund të kërkojë La Liga.
Pavarësisht se 15 gushti është festë zyrtare, aktiviteti i La Ligës nuk do të ndalet, pasi do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me klubet përpara fillimit të kampionatit dhe për përfundimin e regjistrimeve të fundit të lojtarëve./Telegrafi/













































