LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë eurove nga Marrëveshja financiare IPA 2017

Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë eurove nga Marrëveshja financiare IPA 2017

Deputetët e Kuvendit me 86 vota ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit numër një të Marrëveshjes financiare IPA 2017 pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes të cilit mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara.

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka arsyetuar këtë Projektligj, derisa ka treguar se çka do të përfitohet me anë të saj.


“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është që të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara dhe kursime në kuadër të veprimit të programit, përkatësisht instrumentit të përafrimit e Bashkimit Evropian dhe përmes kësaj të mundësohet kontraktimi i kësaj shume në kontrata ekzistuese brenda afatit kontraktual prej tre viteve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes origjinale e që data origjinale ka qenë 22 tetor 2018″, tha Bilsimi.

“Rialokimi do të shtojë 2.3 milionë euro në veprimin numër një instrumenti i përafrimit dhe Bashkimit Evropian, nga veprimi numër dy mbështetja në pjesëmarrje të programeve të BE-së dhe atë në shumën e 300 mijë eurove. Nga veprimi numër tre, mbështetja e Bashkimit Evropian për përparësitë politike dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në shumën e 1.9 milionë eurove dhe nga veprimi numër pesë mbështetja e Bashkimit Evropian për sistemin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë 0.1 milion euro”, ka shtuar ai.

Ai tha se shumat e marra nga këto projekte janë kursime dhe do të përdoren për të mbështetur zbatimin e projekteve tjera, siç është ndërrimi i filtrave të Kosovës B dhe për ndërtimin e shkollave të parapara me marrëveshjen financiare paraprake.

Mbështetje i kanë dhënë edhe partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës. /KP/