LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Shqipërisë voton sot kërkesën për arrestimin e Ahmetajt

Kuvendi i Shqipërisë voton sot kërkesën për arrestimin e Ahmetajt

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot në një seancë të jashtëzakonshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Mazhoranca kërkonte që ky votim të bëhej ditën e hënë pas miratimit dhe të raporteve në Këshillin e Mandateve, por pas debateve të ashpra në sallën e Kuvendit, u vendos që kërkesa për arrestimin dhe kontrollin në banesën e Ahmetajt të lihej për të premten.

Paraprakisht, si mazhoranca ashtu edhe opozita kishin dhënë dakordësinë në Këshillin e Mandateve për të miratuar kërkesën e SPAK, por ndaheshin vetëm në çështjen e ditës kur ajo do të votohej, një lëvizje kjo, që sipas pakicës po bëhej për t’i dhënë kohë Ahmetaj që të rregullonte provat.


Debate në Kuvend, Berisha: Ahmetaj ia mbathi si një hajdut ordiner
Lexo po ashtu Debate në Kuvend, Berisha: Ahmetaj ia mbathi si një hajdut ordiner

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash. Ai aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri dhe mendohet të jetë larguar disa orë përpara se kërkesa e SPAK të mbërrinte në kryesinë e Kuvendit.

Hetimet nxorrën në pah lidhjet e tij me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë. /Telegrafi/