LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi nuk e miraton raportin e Këshillit për Shërbimin Civil

Kuvendi nuk e miraton raportin e Këshillit për Shërbimin Civil
Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës, sot nuk e miratoi raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021. Deputetët e partisë në pushtet votuan kundër këtij raporti, ndërsa vetëm 3 vota ishin për dhe 3 abstenime.

Raporti vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ishte shqyrtuar nga komisioni dy komisione, me ç’rast, ai për Buxhet rekomandoi miratimin e tij, ndërsa komisioni i Administratës Publike vlerësoi që i njëjti nuk duhet të miratohet.


Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Fitim Haziri tha se nuk e përkrahin këtë raport.

“Gjithashtu grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta miratojë këtë raport, arsyeja e mosmiratimit të këtij raport i ka të bëjë me mosparaqitjen e informatave të duhura dhe përmbajtjesore në lidhje me atë se çfarë është paraqitur në këtë raport. Raporti është gjithsej 47 faqe ku 26 faqe prej tyre janë të mbushura me tabela sa që ta marrë mendja që je duke lexuar një raport statistikor e jo raport pune të njërit ndër këshillat më të rëndësishëm të shërbimit civil”, tha ai.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje raportit dhe sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë presion politik mbi këtë Këshill.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ka bërë një punë të mirë përkundër presionit të madh politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër shkarkimit të atëhershëm duke shkelur Kushtetutën e Kosovës këshilli ka punuar shumë dhe ka realizuar planin e vet vjetor. Raporti i Këshillit është real me të dhëna të detajuara për çdo gjë duke prezantuar me tabela çdo ankesë e vendim”, tha deputeti i LDK-së, Agim Veliu, raporton KP.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kritikoi partinë në pushtet që sipas tij, po degradon shërbyesit civilë.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se mazhoranca nuk është e interesuar për raportin, por sipas tij, synon të shkatërrojë punën e bërë tash e 20 vjet.

E kryetari i Komisionit për buxhet, Armend Muja, që është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se miratimi i një raporti ku ka vetëm ekzekutim pagash nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në aspektin funksional.