LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi miraton raportin e ARKEP-it për vitin 2016

Kuvendi miraton raportin e ARKEP-it për vitin 2016

Deputetët e Kuvendit me 47 vota për, 18 kundër dhe 6 abstenime, kanë miratuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Megjithatë, gjatë shqyrtimit të tij, opozita pati kritika të shumta, sidomos rreth operimit të operatorëve ilegal serbë në Veri.


Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka kritikuar përdorimin e objekteve fetare dhe arsimore për aktivitetet ilegale të operatorëve serbë në Kosovë.

Ai kërkoi ndërprerjen e funksionimit të këtyre operatorëve ilegal serb në Kosovë.

“Shembull për Telekom Serbia thotë se i ka 22 vendburime prej nga e transmeton frekuencën dhe këtu thuhet që janë edhe nëpër manastire fetare. Kjo është e paprecedentë dhe duhet të kritikohet. Qysh është e mundshme që të shfrytëzohen objektet fetare për gjëra të tilla ku ka ushtrim ilegal të aktiviteteve të cilat janë edhe vepra penale. Bile nga fusha e sovranitetit dhe integritetit territorial kjo është një vepër e rëndë penale. Ta ushtrosh një aktivitet të tillë kudo nëpër botë dënohen, a në Kosovë vendosen antena e burme të ndryshme edhe nëpër kisha e manastire. Kjo duhet të ndërpritet. Një rast në Gorazhdevc aty shfrytëzohet në shkollë, në shkollë është operatori, shkolla që është krejt destinacion tjetër, është për t’i mësuar nxënësit, aty kemi një strehim të një aktiviteti ilegal të papranueshëm dhe që duhet të ndalohet”, theksoi Konjufc a.

Mirëpo, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se në veri nuk ka operator ilegal që nga marsi i vitit të kaluar. Lluka; Nuk ka operator ilegal në Veri (Video) “Që nga 1 marsi i vitit të kaluar të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile kanë ndërprerë ndërsa posta vepron, vazhdon të jetë ashtu, mirëpo ka qenë pjesë e negociatave për të vazhduar, ashtu ka qenë edhe marrëveshja”, tha Lluka.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur të pa efektshëm shqyrtimin e këtij raporti.

“Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve elektronike dhe postare për vitin 2016 tani në janar të vitit 2018 u tha edhe më herët nuk ka pothuajse asnjë efekt pozitiv, kjo e para për dy arsyeje sepse edhe rekomandimet e dhëna nga Komisioni Funksional, Komisioni për Buxhet dhe Financa këto që japim sot në këtë seancë plenare nuk merren parasysh dhe nuk kanë kurrfarë efekti, në fakt ne presim që pas disa muajsh të vijë edhe raporti i vitit 2017. E dyta është fatkeqësi edhe sot e kësaj dite që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur ta rishikoj rregulloren e punës së vetë me të cilën do të përcaktoheshin çartë penalltitë për Agjencitë e Pavarura në rast se një raport i punës i cili do institucioni të pavarur nuk aprovohet për shkak të përformancës së dobët”, tha ajo. /KP/Telegrafi/