LAJMI I FUNDIT:

Kush hesht siç heshta unë, nuk vdes dot pa thënë gjithçka

Kush hesht siç heshta unë, nuk vdes dot pa thënë gjithçka

Nga: José Saramago
Përktheu: Bajram Karabolli

Rreth njëzet vjet më parë – atëherë, dyzet vjeçar dhe i zhytur në një krizë që nuk do të guxoja ta quaja ekzistenciale nga frika e një fjale kaq të rëndë – shkrova një poezi, në të cilën ishin edhe këto vargje:


Kush hesht siç heshta unë
nuk vdes dot pa thënë gjithçka.

Kërcënimi ishte i qartë dhe kalova te bëmat; qysh atëherë, kam botuar shtatëmbëdhjetë libra. Përgjigjja që do të doja të jepja përse shkruaj, është shumë e thjeshtë: Sepse kam qëndruar memec për një kohë të gjatë. Asgjë tjetër. Për sa i përket shpresës që të jesh i aftë të thuash gjithçka, jam duke e humbur, pak nga pak, në çdo libër; dhe, më në fund, e kam kuptuar se kjo ambicie, përveçse është e pamundur nga ana njerëzore, është edhe e padëshirueshme nga ana shoqërore. Kufizohem të them atë që mundem.