LAJMI I FUNDIT:

Kush është Xhemati Ahmedia në Kosovë?

Kush është Xhemati Ahmedia në Kosovë?

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka ngritur shqetësime se në Kosovë janë duke u shpërndarë në mënyrë të fshehur dy deri në tri lloje të kopjeve të ndryshme të paautorizuara të Kuranit – librit të shenjtë të fesë Islame.

Sipas BIK-ut, këtë po e bëjnë persona që i takojnë sektit Ahmedi, për të cilët BIK-u thotë se janë “përçarës”. BIK-u shton se pjesëtarët e këtij grupi mohojnë se profeti Muhamed është profeti i fundit, siç besojnë besimtarët myslimanë.

Nga Xhemati Mysliman Ahmedia në Kosovë, mohojnë se po shpërndajnë libra të paautorizuar, duke shtuar se ata shpërndajnë literaturën që reflekton mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit. Ky xhemat në Kosovë vepron edhe përmes organizatës së bamirësisë, Humanity First.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët duhet të kenë kujdes se çfarë Kurani po lexojnë.

Sipas tij, vetëm librat fetarë për myslimanë, të cilat ka emblemën, logon apo vulën e BIK-ut, janë “librat e duhur”, kurse përkthim i Kuranit dhe librave të tjerë, sipas BIK-ut, janë të devijuara nga koncepti.

Siç thuhet ne ueb-faqen e tyre, Xhemati Mysliman Ahmedia është “bashkësi botërore dinamike, me rritje të jashtëzakonshme brenda Islamit”, i cili predikon “mësimet e vërteta të Islamit dhe mesazhin e paqes”. Është themeluar nga Mirza Ghulam Ahmed nga India në vitin 1889. Aty thuhet po ashtu se “myslimanët ahmedianë besojnë se ai është Mesihu i shumëpritur dhe Imam Mehdiu, të cilin e parashikoi vetë Profeti Muhamed”. Udhëheqës aktual është Mirza Masrur Ahmed nga Pakistani, kalifi i pestë i këtij xhemati. Qendra aktuale e Xhematit ndodhet në Angli, ku banon edhe Mirza Masrur Ahmed. Kjo organizatë pretendon se numëron 10 milionë njerëz në 210 shtete të botës. Thuhet se është organizatë e vetëfinancuar, pa qëllime politike.

Xhemati Mysliman Ahmedia në botë vepron edhe përmes organizatës së bamirësisë, Humanity First, që tashmë vepron edhe në Kosovë.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora, për Xhematin Mysliman Ahmedia në Kosovë thotë se “nuk përfaqësojnë as Bashkësinë Islame, as myslimanët në përgjithësi”.

“Janë një sekt që prejardhjen e kanë nga India dhe janë të shpërndarë në disa vende të Evropës. Por, ndoshta kanë menduar që të gjejnë një truall të pëlleshëm këtu në Kosovë. Unë kërkoj nga organet e sigurisë së Kosovës që të kenë vëmendje për këto grupe e sekte”, tha Bajgora.

“Ata e mohojnë se profeti Muhamed është profeti i fundit, siç e besojmë ne myslimanët dhe me këtë rast, ata i japin vetes të drejtë, duke thënë se Ahmedi apo themeluesi i këtij sekti, është profeti i fundit dhe profeti që do të lumturojë botën me këshillat e tij”, tha Bajgora.

Bajgora tha se qëllimi i këtij sekti, me përkthimin e librave, është që të habisin njerëzit dhe krijojnë konspiracione, si ato se Kurani përmban simbole dhe paralajmëron gjëra të ndryshme.

“Ka shumë ndryshime, mohimin e Kuranit, fjalë e fundit e Zotit që ne e kemi besuar. Mohimin e Muhamedit si i dërguar i Zotit, do të thotë japin shifra, japin vite se gjoja kur mund të ndodhë kiameti ose dita e gjykimit, duke futur frikë në mendjen e njerëzve”, theksoi Bajgora.

Ai shtoi se shpërndarja e literaturës së tyre, mund të krijojë përçarje në mesin e popullatës dhe mund të fusë edhe ide që nuk përkojnë me atë çka synon zyrtarisht Bashkësia Islame e Kosovës.

Kosova nuk e ndali botimin e librave fetare

Bajgora deklaron se BIK-u ka kërkuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare që të bëhet kontroll mbi botimin e çdo libri fetar që botohet në Kosovë, gjë për të cilën, tha ai, nuk është hasur në mirëkuptim me arsyetimin se diçka e tillë do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut apo lexuesve.

“Mendojmë se më e nevojshme do të ishte të mbrohet dhe të ruhet popullata nga idetë e propagandat e ndryshme që janë anti-fetare sepse në asnjë mënyrë nuk duam të na përsëritet Siria e viteve 2012-2014, ku në Kosovë mbretëronte një kaos i vërtetë dhe shkuarjes së të rinjve tanë në ato luftëra të pakuptimta”, tha Bajgora.

Objekti ku vepron Xhemati Mysliman Ahmedia gjendet në një nga lagjet e Prishtinës, në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Për këtë objekt është në dijeni edhe Policia e Kosovës”, tha Bajgora.

Xhemati Ahmedia: Predikojmë përmbushjen e detyrimeve ndaj Allahut

Nga Xhemati Ahmedia nuk kanë pranuar të intervistohen për Radion Evropa e Lirë, por janë përgjigjur me shkrim, përmes postës elektronike.

Sipas tyre, Ahmadiyya Muslim Jama’at (AMJ) është një organizatë joqeveritare, e regjistruar në Republikën e Kosovës, që ka një statut të miratuar nga shteti i Kosovës dhe se vepron në përputhje me të, duke shtuar se nuk janë një grup apo sekt përçarës.

“AMJ e Kosovës është e angazhuar tërësisht në përhapjen e mesazhit paqësor të Islamit me motonë e saj famëmadhe ‘Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd’”, thuhet në përgjigje me shkrim për REL-in.

Ata pretendojnë se nuk shpërndajnë as Kuran e as literaturë tjetër në mënyrë të fshehtë, dhe se “çdo pretendim i kundërt, qoftë nga BIK-u apo nga dikush tjetër, është shpifje dhe gënjeshtër”. Sipas tyre, ata bëjnë shpërndarjen e literaturës që reflekton mësimet e vërteta dhe paqësore të Islamit.

Nga Ahmadiyya Muslim Jama’at, shtojnë se proklamojnë fuqishëm se xhihadi me armë nuk lejohet më dhe se myslimanët nuk duhet të bëjnë më luftë fetare përmes armëve kundër asnjë grupi, feje apo shteti në botë.

“Kjo është e shprehur qartazi në literaturën e Xhematit Mysliman Ahmedia, të botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe, edhe në përkthimin në shqip të Kuranit të bërë nga Xhemati Mysliman Ahmedia të Gjermanisë”, thuhet në përgjigje.

“AMJ beson në mënyrë palëkundur në pesë shtyllat e Islamit dhe gjashtë shtyllat e besimit. Gjithashtu, libri ynë hyjnor është Kurani i shenjtë dhe profeti ynë i dashur është Hazret Muhamedi a.s.. Kurani i botuar nga Xhemati Mysliman Ahmedia nga a-ja të zh-ja (në arabisht) është identik me çdo botim tjetër të Kuranit në botë. Përkthimi i Kuranit në shqip ndryshon sipas nivelit dhe stilit të përkthyesit. Ndryshim në konceptet bazike (pesë shtyllat e Islamit dhe gjashtë shtyllat e besimit), nuk ka aspak. Xhemati Mysliman Ahmedia beson fuqimishëm se për të fituar pëlqimin e Krijuesit, duhet të ndihmojmë krijesat pa dallim, siç përmendet që në fillim të Kuranit të shenjtë ‘Lavdia i takon Allahut, Zotit të krejt botëve’”, thuhet pos tjerash në përgjigje.

Xhemati Mysliman Ahmedia ka pranuar se kanë organizatë humanitare që quhet Humanity First, që siç thonë, është në përputhje me statutin e miratuar të tij, dhe përpiqet t’u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë në tërë Kosovën.

“Si nga emri, ashtu edhe nga veprimtaria, synon t’i japë përparësi humanizimit mbi çdo gjë tjetër. AMJ e Kosovës bashkëvepron me Humanity First të Gjermanisë dhe ka realizuar me sukses një sërë projektesh me organet shtetërore dhe komunale të Republikës së Kosovës, por edhe me institucione të tjera joqeveritare”, thuhet në përgjigje.

Në profilin e Facebook-ut të tyre shihet se në muajt e fundit kanë bërë një sërë donacionesh në komunat e Kosovës, duke takuar kryetarët e komunave, siç janë Shpend Ahmeti nga Prishtina, Qendron Kastrati nga Kamenica, komunave të cilave, kjo organizatë u ka dhuruar pajisje elektronike dhe tunele dezinfektuese kundër COVID-19 si dhe ka ndihmuar shkollat me kompjuterë. Gjithashtu, përfaqësuesit e organizatës janë takuar edhe me ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe personalitete të tjera.

Pak metra nga selia kryesore e Xhematit Ahmedia, ndodhet xhamia “Bedri Kamberi”.

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi, tha për Radion Evropa e Lirë se sekti Ahmedia me të ardhur në këtë pjesë të kryeqytetit, ka filluar të shtrijë aktivitetin e tij fetar dhe humanitar në “emër të fesë Islame” dhe objektin ku qëndrojnë pjesëtarët e këtij sekti, e quajnë xhami.

“Ata mundohen vazhdimisht t’i joshin banorët e lagjes me ndihma ekonomike, dhe studentët nevojtarë po ashtu, me qëllim që t’i afrojnë me sektin e tyre. Atë që sekti Ahmedia propagandon, bie ndesh me Islamin tradicional që kemi pasur me shekuj në trojet tona. Kuranin e përkthyer në gjuhën shqipe që ky sekt e shpërndan, është me plotë devijime e sajesa, dhe të tillët janë duke futur dilema e dyshime, si dhe po shkaktojnë huti e përçarje te populli ynë”, tha Maliqi.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një përgjigje nga Policia e Kosovës, lidhur me punën dhe veprimtarinë e këtij sekti në Kosovë, por deri më tash, policia nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Në BIK thonë se askush nuk është për atakimin e asnjë bindjeje fetare, dhe sipas tyre, gjithkush ka të drejtë të besojë në atë çka dëshiron, por Kosova duhet të mbahet larg nga idetë ekstremiste e përçarëse.

“Për këtë nën qiell,[ky sekt] është i rrezikshëm sepse me këtë atakohet ajo toleranca, që ka qenë ndërfetare në Kosovë, që është kultivuar me shekuj”, u shpreh Sabri Bajgora nga BIK.

Nga ana tjetër, sociologu, Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se të gjitha botimet që janë jashtë kontrollit të një institucioni të caktuar, mund të paraqesin problem për shoqërinë apo grupe të caktuara.

“Nëse [librat] janë në kundërshtim apo jashtë kontrollit, duhet të merren me dyshim ose me skepticizëm, sepse mund të ketë edhe infiltrime të përmbajtjes ideologjike që mund të jenë radikale ekstreme dhe përçarëse brenda bashkësisë. Mund të jenë të rrezikshme për formimin e gjeneratës së re edhe besimtarëve e qytetarëve”, tha Krasniqi.

Raporti për liritë fetare ndërkombëtare për vitin 2020 i Departamentit amerikan të Shtetit, thotë se “të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë, duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste (pesë komunitetet ‘tradicionale’ fetare), do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar me këtë ligj.[Ligji për lirinë fetare në Kosovë]”.

Kushtetuta parashikon të drejta dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët, përfshirë mirëmbajtjen, zhvillimin dhe ruajtjen e fesë së tyre duke përdorur gjuhën e tyre.

Kushtetuta e Kosovës gjithashtu thotë se bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirësie me mundësinë e financimit me ndihmë financiare të qeverisë “në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare”. /rel/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori