LAJMI I FUNDIT:

Kush është “dezhurni” në Qiell?

Kush është “dezhurni” në Qiell?

E dini përse të shumtën e rasteve nuk dëgjohen lutjet e juaja, të cilat i drejtoni në Qiell? Varet kush qëllon kujdestar atje lartë. Zoti i juaj apo i tyre?! Kjo natyrisht është veç një barsoletë, nga koha kur ende mund të bëhej shaka me Qiellin.

Ju mund të luteni për shi dhe mbi kokën tuaj të bien bomba! Pra, kujdes, nuk ka më shaka me Qiellin. Gjithçka është bërë tmerrësisht serioze. Besimtarët e kanë humbur besimin në fuqinë e Krijuesit. Ata janë shndërruar në ushtarë për me e mbrojt atë.

Ka edhe dilema të tjera. Disa mendojnë se zoti i tyre e ka krijuar universin, ndërkohë që të tjerët kanë bërë qejf…! Kështu i bie që shumë mjeshtër kanë punuar njëkohësisht për me kriju Universin. Tash është hapur lufta për të sunduar.

Le krejt, nuk po e tjerrim më hollë! Zoti është një, pajtohen pothuajse të gjithë. Ajo për çka nuk pajtohen është se i kujt është ai: i yni apo i atyre? Kush duhet të flasë dhe të sundoj në Tokë, në emër të Tij? Të tjerët ose duhet të nënshtrohen, ose të mos shkojnë në xhami, diskotekë apo … kurrkund vëlla. Nëse nuk je me ata, mos shko askund pa e menduar çdo lëvizjen tënde si veprim luftarak.

Pra, në emër të Totit të tij, një fanatik godet me automatik besimtarët që i luten në xhami, zotit të tyre, sepse “këta” më herët kishin goditur qytetarët duke ngrënë pica, apo në diskotekë në një vend tjetër të botës, derisa po kënaqeshin. Por, po kënaqeshin në mënyrën e gabuar?

Duket e komplikuar kjo logjikë? Jo vetëm se duket. Është!

Ditë më parë, Zelanda e largët i mbushi faqet e gazetave globale. Portalet, televizionet janë mbushur me habi, hidhërim dhe gjykim. Kjo po cilësohet si hakmarrje e tmerrshme për aktet e ngjashme ndaj civilëve në Perëndim. Civilizimet po përplasen jo vetëm në Tokë, por edhe në Qiell, dhe për Qiellin. Kush e sundon Qiellin, e sundon edhe Tokën, pretendojnë ata dhe vishen në uniforma maskuese.

Por, ka krime edhe më të tmerrshme se këto. Krimi më i madh se ai me armë është ai që bëhet prej intelektualëve apo politikanëve të cilët një krim e arsyetojnë me krimin e tjetrit, një vepër të keqe e bëjnë të mirë sepse pala tjetër paska bërë njëjtë ose edhe më keq!

Padyshim, vrasja e besimtarëve në Zelandën e Re është tronditëse, krim i tmerrshëm, është hakmarrje individuale mbi njerëzit e pafajshëm për krimet që dikush tjetër i ka bërë në emër të tyre. Fanatikë anembanë botës, në emër të Allahut godasin caqe. Pasojat e një lufte arkaike të humbur në front po barten në kulturë, në lagjet, në shtëpitë e njerëzve të zakonshëm, në jetën e tyre të përditshme, në kokat e tyre dhe për pasojë sjellin reaksionin, kundërveprimin, ku e keqja luftohet edhe me më të keqe.

Ideologët, klerikët të shndërruar në liderë politikë e ushtarakë, me mendësi mesjetare, menduan se e kanë gjetur armën për me shkatërruar demokracinë dhe Perëndimin përmes njerëzve të thjesht, anonimë, të cilët në një moment shndërrohen në luftëtarë dhe të cilët në mënyra krejtësisht të paparashikueshme godasin mbi qytetarët e zakonshëm nëpër shëtitore, rrugë, kafene, diskoteka, kudo. Kështu, brenda natës, njerëzit e thjeshtë duke ndërmarrë akte lufte, shndërrohen në ushtarë e zakonisht edhe në martirë të fesë duke vrarë apo masakruar fqinjët apo bashkëqytetarët e tyre në vendin mikpritës.

Por, numri i madh i viktimave, pasiguria që sjell te njerëzit e zakonshëm në Perëndim dhe sidomos pafuqia e shteteve për me u përballë me qytetarët e thjeshtë të shndërruar në luftëtarë, ishte çështje kohe kur do të sillte reaksionin e pritshëm dhe lindjen e (vet)iniciativës luftarake nga pala tjetër. Kur shteti nuk arrin të e mbrojë, njeriu i thjeshtë, fillon me e mbrojt veten dhe shtetin. E kur sulmohet “zoti” i tij, bëhet ushtarë të tij.

Përderisa shteti dhe Zoti nuk arrijnë me i dalë zot vetes, njeriu i thjesht e merr situatën në dorë dhe kështu lufta bartet në lagjet tona, duke krijuar situatën kur të dalësh për me e ngrënë një hamburger duhet menduar kujdesshëm si veprim luftarak.

Frika dhe urrejtja për çdo besimtar, i cili përmes idesë së goditjes kudo dhe ndaj kujtdo që nuk është mysliman, e cila u praktikua pas rënies së Shtetit Islamik, ishte çështje kohe kur do të ndërtonte modelin perëndimor të goditjes mbi caqet “islamike” kudo që ndodhen dhe kjo të legjitimohet si mbrojtje. Si të mbrohemi nga “mbrojtësit” tonë, të cilët në mendjet e tyre përjashtuese, na rreshtuan në taborë lufte, pa na pyetur? Me çfarë të drejte na bëjnë caqe ?

Krimi, padyshim, nuk luftohet me krim! Krimi dhe hakmarrja krijojnë zinxhirin e dhunës ndaj civilëve. Prandaj, bashkësitë fetare, si formë e organizimit të besimtarëve, por edhe klerikët, intelektualët, politikanët, pro jetës, kudo dhe menjëherë duhet të ndërtojnë lëvizjen kundër-terror e cila e mbron jetën dhe qytetarin nga fanatikët. Mbrojtja e jetës është vlera më e lartë e cila duhet të na bashkojë të gjithë, përpara se çmenduria të përfshij planetin tonë të vetmuar në univers.

Shteti nuk mundet suksesshëm me e mbrojt qytetarin prej këtyre krimeve që burojnë nga iniciativat individuale, të individëve të zakonshëm të cilët në një moment ndiejnë thirrjen për hakmarrje, apo për të quar në vend fjalën e “zotit” të tij.

Vetëm komuniteti mundet me e luftua këtë çmenduri në radhët e veta, pa e shndërruar në hakmarrje të ligjshme për palën tjetër. Nuk ka asgjë, asnjë mision, që vlen më shumë se mbrojtja e jetës dhe komunitetit. Goditja e caqeve civile e cila është e ndaluar në luftë dhe nuk guxon të legjitimohet në paqe! Kjo luftë nuk fitohet në front. Kjo luftë fitohet me zemër dhe humanizëm.

Në Tokë duhet të sundojë vullneti i qytetarëve, e në Qiell … ku e dimë ne kush e sundon Universin. Ne e dimë vetë se çfarë emri i kemi vënë Krijuesit, asgjë më tepër!