Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të rritet numri i prokurorëve të Prokurorisë Sepciale, teksa përmendi se janë bërë ndryshime për të lehtësuar punën e institucioneve për gjykimin e kriminelëve të luftës.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se janë mbushur “dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë”.

“Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës”, theksoi Kurti.

Ai po ashtu konfirmoi se po punohet ”edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale”.

“Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë. Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur”, shkruan Kurti. /Telegrafi/