LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Punësimi i të rinjve po rritet, mbi 2 mijë marrëdhënie pune përmes ‘Super Puna’

Kurti: Punësimi i të rinjve po rritet, mbi 2 mijë marrëdhënie pune përmes ‘Super Puna’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se punësimi i të rinjve është duke u rritur dhe se së fundmi programit “Super Puna” mbi 2 mijë marrëdhënie pune janë lidhur në një kohë të shkurtër.

Këtë deklarim ai e ka bërë të martën, teksa ka marrë pjesë në prezantimin e procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.


Në fjalën hyrëse, Kurti është shprehur se orientimi i kësaj qeverisjeje synon të përmblidhet në dy fjalë: punë dhe drejtësi.

“Punë do të thotë më shumë aktivitet e inovacion ekonomik, arsim më cilësor, më shumë investime të huaja. Drejtësi do të thotë barazi, mirëqenie, siguri e besim në institucione. Duke folur për hartimin e Strategjisë, ai tha se ka ardhur koha të bëhet një investim serioz edhe në vendin tonë dhe Strategjia Shtetërore për Rini është mjeti; mjeti që do sjell në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Strategjia Shtetërore për Rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikë-bërje ndër-sektoriale karshi rinisë”, ka deklaruar kryeministri.

Ai tutje ka thënë se universiteti tashmë është falas për afër 43 mijë studentë, ndërsa janë ndarë mbi 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit.

“Këtë vit do ndahen 2 milionë euro për 2,000 bursa vetëm në fushat STEM, pra Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Në shëndetësi, buxheti është 100 milionë euro më shumë këtë vit: 296 milionë euro sot nga 198 milionë euro në vitin 2022”.

“Kryeministri Kurti, po ashtu tha se janë ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë, rini dhe sport, derisa potencoi se mbështetja për librin në të kaluarën ishte maksimalisht 150 mijë euro në vit, ndërsa sivjet janë ndarë 1 milion euro”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Me këtë rast, kryeministri ka ftuar të rinjtë dhe të rejat ta përqafojnë optimizmin, duke thënë se Kosova kurrë s’ka qëndruar më mirë në indikatorët kyç./Telegrafi/