LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Në dy vitet e fundit, eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120 për qind

Kurti: Në dy vitet e fundit, eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120 për qind

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Austrisë kanë shënuar trend pozitiv.

Sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit (2020-2022), eksportet drejt Austrisë janë rritur për 120 për qind, ndërkohë që investimet e huaja direkte vitin e kaluar, pra në vitin 2022 ishin dyfish më shumë sesa në vitin pararendës 2021.


Këto deklarime Kurti i ka bërë të martën në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së re të Miqësisë, Kosovë – Austri.

Pamje nga ceremonia

Më tej, kryeministri ka theksuar se Austria ka ofruar mbështetje ndër vite për Kosovën përmes ekspertëve duke ndihmuar në forcimin e institucioneve tona dhe promovimin e qeverisjes së mirë.

“Megjithatë, partneriteti ynë me Austrinë është më shumë se thjesht një komoditet apo mall. Ai bazohet në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ne ndajmë një vizion për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar, ku të gjithë kombet dhe popujt zhvillohen dhe janë të barabartë”, është shprehur ai, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu dhe pas pavarësimit të vendit, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash; nga zhvillimi ekonomik e deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit, bashkë me 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shënuam edhe 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Austria ishte ndër shtetet e para që mirëpriti dhe mbështeti aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe ndër shtetet që me votë ka dëshmuar mbështetjen e saj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/

Pamje nga ceremonia