LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Kam informacione se në veri po përgatiten protesta

Kurti: Kam informacione se në veri po përgatiten protesta

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media, ka thënë se ka informacione se në veri po përgatiten protesta.

Kurti tha se aspak nuk lë shije të mirë që mbrëmë në Beograd mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, kurse sot në mëngjes lëshohen thirrje për protesta në një shtet tjetër.


“Unë e pash mbrëmë që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd. Sot me erdhi informacioni që po përgatitën protesta për pasnesër, unë nuk mendoj që protestat janë të nevojshme”, tha Kurti.

“Do t’i kuptoja plotësisht qytetarët serbë të Republikës së Kosovës nëse do të protestonin kundër korrupsionit, për arsim më të mirë, për shëndetësi por të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë që të mbahen në objektet shkollore nuk është e drejt”.

“Andaj u bëj thirrje qytetarëve serb ne Kosovë që të mos organizojnë e të marrin pjesë në protesta të tilla. Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, por më besoni se, me kompetencë jo vetëm nga përvoja, por edhe nga rrethanat politike, që ndodhemi e gjeopolitike që janë bërë të sigurisë, protestat nuk janë gjëja e duhur”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kryeministri më tej tha se cili është kuptimi që një shtet mban mbledhje të Këshillit të Sigurisë, e pastaj jepen instruksione për protestë në një shtet tjetër.

“Kjo nuk i kontribuon marrëdhënieve të mira ndërmjet dy shteteve”, tha Kurti.

Kryeministri është përgjigjur edhe në pyetjen e gazetarëve rreth takimit të serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ku ndër të tjera është raportuar se pjesëmarrës ishin edhe gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

“Unë nuk jam në dijeni të kësaj të dhëne ose nuk e kam njohur në fotografi ose nuk ndodhet në fotografi…ka mundësi nuk e njoh si duket gjykatësja… do ta verifikoj…

Qeveria e Republikës së Kosovës respekton ligjin dhe Kushtetutën por janë organet e shtetit që merren me të gjithë atë që nuk e bëjnë këtë gjë. Dhe ju përket atyre që të përgjigjen për këtë çështje….”, tha Kurti.

Ndryshe, të martën, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. /Telegrafi/