Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili tha se kursimet prej 16.41 euro të deklaruara nga kryeministri Albin Kurti janë “hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare”.

Në seancë plenare, ai tha se kjo shifër është manipulim i varfërisë, që siç shtoi, nga një njeri i cili nuk jeton si i varfër po sillet si i tillë.


“16.41 euro- qysh është e mundur që një shifër kaq e vogël të flet kaq shumë. Të pasqyrojë shumë, të jetë kaq e dukshme por të kalojë disi në heshtje. 16 euro e 41 cent. Ka një arrogancë në këtë shifër dhe në fund pikërisht kjo arrogancë më ka shtyrë me fol sot. Shifra 16 euro e 41 cent e kursimeve të kryeministrit nuk është një shifër që e ngjall pasigurinë për të, që ngjall ndjenjën e solidaritetit që të bën të bashkëndjesh apo që gjeneron keqardhje. 16 euro e 41 cent e kryeministrit është një hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare. E që shtiret se jeta e tij është e vështirë e po ja del me vështirësi e s’po ankohet. Manipulimi është një karakteristikë e rrezikshme dhe e dëmshme e secilit do udhëheqës dhe 16 euro e 41 cent është moment klasik i manipulimit të varfërisë nga një njeri që nuk jeton në varfëri por sillet si i tillë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se kryeministri nuk ka kokëçarje të varfërisë.

“Kryeministri nuk ka kokëçarje të varfërisë, mos u mërzitni. Realitetin që mund të besohet është se as pare në kuletë nuk mban. A e din kush tjetër s’ka pare në kuletë? Një familjar që barnat e kancerit po duhet me i ble për shkak të mungesave të mëdha ose atyre që ju duhen 200 euro në ditë për barnat që po i blejnë me kontrabandë për shkak se Qeveria e kryeministrit nuk i siguron. Një kryeministër si ti nuk ka problem financiar se çfarë sjell dita, java apo muaji. Një kryeministër si ti nuk mund të barazohet me një baba që në mes të muajit futet në shtëpinë e tij e sheh familjen e tij dhe mbi supet e tij qëndron një barrë që sa nuk e shemb”, shtoi ai, raporton kp.