LAJMI I FUNDIT:

Kurrë mos besoni se Putini është i pandalshëm

Kurrë mos besoni se Putini është i pandalshëm

Nga: Masha Alekhina (Pussy Riot) / The Guardian (titulli origjinal: Never believe Putin is unstoppable – after Navalny, this is how a new global opposition can bring him down)
Përkthimi: Telegrafi.com

Alexei Navalny ishte një nga të parët që doli në mbështetje të [grupit protestues pank-rok, feminist dhe anti-Putin] Pussy Riot, pas arrestimit tonë në vitin 2012. Telegrami i tij i urimit të ditëlindjes, në burgun tim mbërriti më shpejt se i kujtdo tjetër. Duke përqeshur armiqtë, duke e dashur jetën, ai ishte përplot vitalitet. Më 16 shkurt u vra në koloninë penale të Ujkut Polar, në veri të Rrethit Arktik.


Në mënyrë të neveritshme, larg syve tanë, u vra zëri më i fuqishëm, më i qarti dhe më i ndritshmi kundër regjimit të Vladimir Putinit. Para vrasjes së tij, u torturua për tre vjet; një e treta e kësaj kohe kaloi në izolim, pa ushqim dhe pa veshjen e duhur. Navalny u vra një muaj para të ashtuquajturave “zgjedhje”. Putini e vrau atë, ashtu siç e vrau Boris Nemtsovin. Që të dy ata i vrau nga zilia – nga zilia për dashurinë e popullit të cilën tirani i vogël nga KGB-ja kurrë nuk do ta gëzojë.

Është menduar të jetë sinjal – e vramë më të famshmit prej jush, kështu që tash nuk e kemi problem të vrasim çdo të burgosur politik në Rusi, një nga një, secilin prej jush që është kundër Putinit dhe kundër luftës. Është sinjal për Perëndim, nga Putini – ju nuk mund të na prekni; do t’i vrasim rusët që nuk pajtohen me ne dhe do t’i bombardojmë dhe do t’i vrasim ukrainasit. Dhe, cila është gjëja më e madhe që mund ta bëni si reagim? Të jini thellësisht të shqetësuar.

E mbaj mend shumë mirë ditën e 17 janarit 2021, kur Navalny u kthye në Rusi. Se si shkuam në aeroport, se si u përpoqëm më vonë të shkojmë në Kremlin, se si na ndaluan, se si u rrahën njerëzit përreth nesh dhe se si u shqyen maskat e tyre të koronavirusit. Se si ato maskat të bardha me pika gjaku shtriheshin në borën e pistë. Dhe, se si kjo demonstratë u shndërrua në një mori të çështjeve kriminale ku një larmi e gjerë e njerëzve, përfshirë mua, u akuzuam.

Ka mbaruar koha e vëzhguesve “thellësisht të shqetësuar”. Shqetësimi i thellë nuk mjafton. Nuk mjafton kërkimi për hetimin e plotë të rrethanave të vdekjes së Navalnyt. Nuk mjaftojnë thirrjet për lirimin e të burgosurve politikë. Kemi nevojë për veprim.

Lufta po ndodh. Por, edhe nëse flasim për “luftën”, kjo – për shkak të censurës ushtarake të Rusisë – mund të të çojë në dënimin me burg. Gjatë dy viteve të luftës në shkallë të gjerë, asnjë person i vetëm nga ata që kanë folur kundër luftës, që kanë folur kundër Putinit, nuk është liruar përmes shkëmbimit të të burgosurve me Perëndimin. Në burg ende është Alexei Gorinovi, këshilltari i opozitës i cili ishte njëri nga të parët që u dënua sipas rregullave të reja për kritikën ndaj luftës në Ukrainë. Janë edhe Ilya Yashin, Aleksandra Skochilenko, Bogdan Ziza, Artyom Kamardin, Alexei Moskalev, Evgenia Berkovich, Svetlana Petriychuk dhe shumë të tjerë. Në fillim të këtij muaji, ministrat e Mbretërisë së Bashkuar e përjashtuan mundësinë e shkëmbimit të të burgosurve – për figurën e opozitës Vladimir Kara-Murza, pavarësisht frikës së shtuar për jetën e tij pas vdekjes së Navalnyt. Vetë Navalny duhej të dërgohej në Gjermani përpara vrasjes së tij, përmes një shkëmbimi, thotë bashkëpunëtorja e tij Maria Pevchikh.

Që nga 24 shkurti i vitit 2022 ka pasur 19 855 arrestime për qëndrimin kundër luftës; 8 526 raste të “diskreditimit të ushtrisë” dhe “informacioneve të rreme”; 835 persona të burgosur për qëndrim kundër luftës. Gjatë këtyre viteve, shumë të tjerë kanë kaluar nëpër këtë regjim represiv. Disa nuk mbijetuan, disa e vranë veten pas lirimit, ndërsa disa shkuan të luftojnë – për ta ndaluar Putinin në pushtimin e territoreve të reja dhe kthimin e tyre në mish për top, në gulag.

Njerëzit më pyesin se kush do të veprojë si opozitë në Rusi, tani që Navalny ka vdekur. Barra u bie atyre që kanë mbetur në Rusi, për të kuptuar se si ta heqin qafesh Putinin në kushtet e censurës ushtarake – në kushtet në të cilat rusët që flasin kundër kësaj lufte, kundër Putinit, burgosen, torturohen dhe vriten. Ndërkohë, në mes të luftës, në vitin 2023, vendet e BE-së blenë 40 përqind më shumë gaz rus sesa në periudhën e paraluftës. Në janar, në buxhetin e shtetit të Rusisë Apple pagoi gjobën antitrust në shumën e 1.18 miliardë rublave (afro 12 milionë euro). Këtë muaj, një burrë erdhi në Rusi, nga ShBA-ja, për ta intervistuar Putinin dhe për ta xhiruar një video për metronë e pastër të Moskës dhe për mungesën e admirueshme të njerëzve të pastrehë në qytet. Tucker Carlson, a e di ti se çfarë tjetër synohet të pastrohet në Rusi? Kamerat prapa ekzekutimit nga Putini.

Shpeshherë më pyesin se cilën të ardhme e pret Rusia. Një burrë që solli lule në kujtim të Navalnyt, e kishte armën në kokë dhe u pyet ku i bleu lulet, kujt i përkiste Krimea dhe nëse ishte homoseksual. Kjo ndodhi në Surgut të Siberisë – dhe ne nuk e dimë se çfarë ndodh me njerëzit në territoret e okupuara.

Kur Navalny u vra, shumë njerëz në Rusi ndjenë se shpresa e tyre vdiq bashkë me të. Prandaj, është jetike që ne ta mbështesim Yulia Navalnayan e cila njoftoi se do të vazhdojë të luftojë për kauzën e burrit të saj. Ajo na kërkoi që jo vetëm ta ndajmë pikëllimin e saj, por edhe zemërimin e saj.

Nëse e keqja nuk ndalet me kohë, ajo lulëzon. Për ta pasur një Rusi pa Putinin, së bashku duhet ta ndalojmë atë. Të gjithë e ndërtojmë të ardhmen, për çdo ditë. Populli i Rusisë nuk kërkon që njerëzit në Perëndim ta sakrifikojnë jetën e vet, siç bëri Navalny; kërkojmë ta shpëtoni jetën e njerëzve që kanë mbetur. Kërkojmë të luftoni me ne për ata që janë në burg sepse e kanë thënë të vërtetën. Për ta ndaluar blerjen e mallrave ruse si nafta dhe gazi – ato janë lëndët djegëse të vrasjeve të ardhshme. Jepjani Ukrainës aq armë sa i duhen, përndryshe kjo luftë e poshtër dhe frikacake do të vazhdojë të rritet, duke shkatërruar gjithçka që është e gjallë në territoret e pushtuara. Dhe, bashkohuni! Ju bëjmë thirrje që të bashkoheni. Putini ka gjetur aleatë në Korenë e Veriut dhe në Iran dhe ky koalicion i regjimeve totalitare është i rrezikshëm për të gjithë – jo vetëm për Ukrainën.

Për ta shpëtuar Rusinë, duhet të punojmë së bashku, të mos heshtim dhe të mos kemi frikë. Dhe, duhet ta bëjmë këtë në kujtim të atyre që dhanë jetën në luftën kundër kësaj të keqeje. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

Premier League
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Magazina
Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Premier League
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë

"Je surpriza e këtij Big Brother" - Meriton Mjekiqi emocionohet nga mesazhi që merr në 'Big Love'

Magazina
Kalo në kategori