LAJMI I FUNDIT:

Kur pritet të anëtarësohet Kosova në INTERPOL?

Kur pritet të anëtarësohet Kosova në INTERPOL?

Kosova mbetet në pritje të anëtarësimit në INTERPOL, si pasojë e sfidave politike dhe diplomatike që përballon.

Kështu ka vlerësuar, Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, teksa ka theksuar se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si INTERPOL është i pamundur.


Ai po ashtu ka thënë se Kosova ka plotësuar kriteret teknike për anëtarësim, por sfidat vijnë nga qëndrimet politike të disa shteteve.

Sipas tij, vendimet në lidhje me anëtarësimin në INTERPOL ndikohen shumë nga diplomacia e jashtme dhe marrëdhëniet politike.

Osmani flet për synimin drejt INTEROPL-it: Nga mos anëtarësimi i Kosovës përfitojnë grupet kriminale transnacionale
Lexo po ashtu Osmani flet për synimin drejt INTEROPL-it: Nga mos anëtarësimi i Kosovës përfitojnë grupet kriminale transnacionale

“Çdo zyrtar i lartë i shtetit tonë kërkon ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti SHBA-së sepse pa ndihmës e tyre është e pamundur që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL. Në aspektin politik flas, sepse kriteret teknike që nga shpallja e Pavarësisë të gjitha i ka plotësuar Policia e Kosovës, përkatësisht Qeveria. Dhe është pritur shumë që në vitin 2017 të anëtarësohemi, është lobuar shumë, ka pasur premtime serioze që do të anëtarësohemi megjithatë disa shtete në fund kanë ndërruar qëndrim dhe janë tërheq, sepse anëtarësimi  në INTERPOL bëhet vetëm më dy të tratat e shteteve anëtare. Është kryekëput çështje politike, në parim është çështje e sigurisë por votimi bëhet me dy të tretat e anëtarëve pjesëmarrës dhe shtet pra kanë një diplomaci të jashtme”, ka deklaruar Hoxha në RTV Dukagjini.

Ai gjithashtu ka theksuar se për shkak të këtyre sfidave, në vitin 2017, kur Kosova nuk u pranua, Palestina u pranua në vend të saj, ndërsa sot po ky vend vazhdon të ketë pengesa të theksuara të sigurisë.

Në anën tjetër, Refki Morina, ish-nënkolonel i Policisë së Kosovës, ka thënë se pengesat për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kanë origjinë politike, me Serbinë si një prej kundërshtarëve kryesore, të përkrahur nga Rusia dhe Kina.

“Kjo është bashkëpunim policor, pro shumicën e herëve është në aspektin politik. Pengesat të cilat Kosova vazhdimisht i ka pas që të angazhohet në Interpol ka qenë nga Serbia sidomos nga Serbia përmes Rusisë dhe Kinës… Ata nga frika që nëse anëtarësohemi në INTERPOL dhe paraqesim flet arreste për kriminelët serb, atëherë ata bëjnë çmos që të mos angazhohemi në INTERPOL”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se një Kosovë stabile do të krijojë një Ballkan më të qetë dhe se anëtarësimi në INTERPOL është thelbësor për të adresuar krimet në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë identifikimin e personave të kërkuar dhe parandalimin e tranzitit të kriminelëve nëpërmjet vendit.