LAJMI I FUNDIT:

Kur Majko martonte vëllain në Prishtinë, krushk ishte Meta e SHBA-të “trembeshin” nga dasma (Foto)

Kur Majko martonte vëllain në Prishtinë, krushk ishte Meta e SHBA-të “trembeshin” nga dasma (Foto)

Më 22 Gusht 1999, revista Klan botoi këtë shkrim të gazetares Rudina Xhunga, që tregonte një dasmë shqiptare e cila po “trembte” Departamentin e Shtetit. Ishte dasma e një vajze të Kosovës dhe vëllait të Kryeministrit Majko.

Laura Ismaili rrëfeu dashurinë e saj dhe si ishte të bëhesh nuse tek Majkot. Tregoi të gjithë historinë e saj të dashurisë. Nga puthja e parë e deri tek fejesa në Prishtinë. Të cilën dritare.net po e sjell të plotë.


Ky shkrim i asaj kohe i njohu shqiptarët me një nyjë tjetër të kryeministrit Majko, që e lidhte me Kosovën. Krushqi ia vinte vulën emrit që kishte marrë Majko, si kryeministri i gjithë shqiptarëve.

Majko kryeministër ka qenë ndër më të pëlqyerit e të ngjashmëve dhe mesa duket kjo i lëndoi ata që e donin: ai hyri në hije, pas një humbjeje në garë, si çdo humbje, si çdo garë, dhe me largimin nga miqtë dhe aleatët natyralë, nuk i shërbeu as vetes, as Partisë, as socialistëve…

Shkrimin mund ta lexoni të plotë më poshtë:

Ditën e parë kur erdhi në Tiranë, ajo ndjeu një boshllëk të tmerrshëm midis stomakut dhe kraharorit. Bridhte sytë nëpër apartamentin e mobiluar keq pranë ministrisë së Jashtme shqiptare dhe provonte vetëm dëshirë për të qarë. Në Prishtinë kishte lënë gjithçka, punën, miqtë, një jetë mbyllur në tre dhomat e lagjes Dardania, që s’ishte e sigurt që do t’i gjente sërish, nëse kthehej dot ndonjëherë.

Kishte arritur një ditë me shi, në qytetin e përhimët, që quhej Tiranë, ku asgjë s’i dukej e saja.

“Mos m’i sjelltë njeri eshtrat në këtë qyet”, i kishte folur më shumë vetes se të ëmës atë pasdarke, kur gjithçka i dukej e shëmtuar. Besa Ismaili, i kishte përkëdhelur kryet së bijës pa folur dhe nënë e bijë kishin qarë bashkë në heshtje.

Por jo të gjitha të këqijat vijnë për keq dhe kështu ndodhi edhe me Laurën. Njërën prej atyre ditëve që mundohej t’i vriste në kafe, kishte qëlluar dita e shansit për të, sikundër mendon tani Laura. Ishte ulur tek “Eva”, kafja aq e zhurmshme e kryeqytetit shqiptar me vështrimin e humbur nëpër njerëz të panjohur dhe nën muzikën e fortë greke. Befas e kishte ndalur shikimin tek dy sy që e kundronin jo krej pa interes. E pat mbajtur për një çast vështrimin, pa e hequr nga ata sy dhe shpejt kuptoi se nuk po iu shkëputej dot. I kujtohet që ai vështrim i çuditshëm pati një efekt të veçantë mbi të. “Po, qenka djalë i bukur”, i tha vetës pas pak çastesh dhe mandej iu kthye sërish bisedës rutinë me mikeshat. E ngriti kokën sërish drejt djalit dhe i pëlqeu që ai gjithashtu po e shikonte. Këtë garë shikimesh, që dukej se atë natë do të vazhdonte pambarim, e theu ai, i cili kur u çua, tregoi se kishte edhe trup të bukur. “Do pini një kafe me ne vajza?”. Laura u shkund nga mendimet e ëmbla dhe tha “po” pa vetëdije. Sigurisht ajo nuk dinte gjë se atë natë Altin Majko kishte fituar një bast.

BASTI I MAJKOS SË VOGËL

Nuk ishte bast seksi, por bast thjeshtë gjeografik. “Si thoni ju nga janë ato vajzat tek tavolina përballë?”, i kishte pyetur Altini shokët e tavolinës atë mbrëmje. Nga Kosova ia pat kthyer njëri. “Kjo kuptohet nga e folura, por prej cilit qytet?”. Ndërsa dy të tjerët rreshtonin qytete kosovare që iu vinin ndërmend, Altini ndali tek kryeqyteti. “Janë nga Prishtina dhe vëmë bast po të doni”. Pa e zgjatur Altini ishte çuar vrik dhe pasi vajzat ishin ulur në tavolinë me ta, për t’i sqaruar menjëherë se ishin nga Prishtina, Altini kishte buzëqeshur i kënaqur.

Atë natë kishin folur deri vonë duke pirë birra e coca cola. Pastaj djemtë xhentilë të kryeqytetit tjetër, i kishin përcjellë në shtëpi vetëm pasi patën marrë premtimin për t’i takuar sërish. Laura kujton se kur kishte vënë kokën në jastëk, kishte pëshpëritur me vete: “Një si ai bën…”. Megjithatë ajo betohet se nuk e mësoi as atë ditë, e as ditë më pas se Altin Majko ishte vëllai i vogël dhe i vetmi i kryeministrit shqiptar, që Laura edhe pse e pa interesuar për politikë e dinte se quhej Pandeli Majko dhe gëzonte simpatinë e gjithë bashkatdhetarëve të saj të shpërngulur në tokën amë.

THAÇI? NUK E NJOH

“Nuk më ka interesuar kurrë politika. Ne jemi ndryshe nga ju, pak lexojmë gazeta, pak interesohemi për politikanët. Kam qeshur kur më thanë se në revistën tuaj, është pyetur se nëse isha me Thaçin apo me Rugovën. Me humor sigurisht. Unë në të vërtetë nuk njoh ndonjë politikan përveç Rugovës dhe Millosheviçit, për të cilët është folur në vite aq shumë, sa s’mund të mos di diçka. Për të tjerët, s’di ç’të them. Kam mësuar se tani është Thaçi kryeministër, por është e kotë të bëj ndonjë koment se nuk e njoh. Kam përshtypjen se nuk është nga Prishtina. Megjithatë nuk di çfarë t’ju them, se kam për t’u ngatërruar keqazi. Sinqerisht nuk më pëlqen dhe nuk e dua politikën”, pohon prerazi vajza, fejesa e së cilës pikërisht nga politika ka për t’u komentuar gjerë e gjatë.

24 vjeçarja që preferon të mos bëj komente politike, është vajza e dy juristëve, Besa dhe Osmani, lindur krejt rastësisht në Manastir të Maqedonisë, por që me krenari tregon se është nga Prishtina. Aty ka kaluar fëmijërinë, ka përfunduar shkollën e mesme dhe vazhdon fakultetin juridik. Gjatë kohës që ka qenë student nuk është shkëputur dhe nga puna, që për të tanimë është zanati i vërtetë:Më pëlqen kontabiliteti”, shpjegon Laura dhe nuk i mungojnë fjalët ndërsa tregon për firmën kozmetike ku është ekonomiste dhe e ka ndihmuar të punojë në Shkup dhe Beograd, si dhe i ka siguruar të ardhura të nevojshme për të kaluar herë pas herë pushimet në Greqi. “Thashë kontabiliteti, por jo kozmetika”, vazhdon ajo dhe ndërsa heq syzet i dalin në pah dy sy të mrekullueshëm, fare pak të lyer. “Nuk më pëlqen të lyhem rëndë, madje fare”, pohon e vetëdijshme se edhe krejt e palyer është shume bukur.

“E rëndësishme është jo aq të jesh e bukur, sesa të pëlqesh dhe ta duash veten, trupin tënd, fytyrën tënde, mendjen tënde dhe jetën tënde…Oh po mos u merrni kaq gjatë me mua. Dhe Altini është shumë i mirë. Është i ëmbël dhe i butë”, thotë Laura duke dashur të largojë vëmendjen e syve që janë përqendruar nga ajo, ndërsa flet. Dhe teksa zgjatet drejt të dashurit duke e përkëdhelur, Altini ia kthen se veç i ëmbël dhe i butë, s’mund të quhet.

“Por të kam shndërruar unë në të tillë”, i drejtohet Laura, duke kujtuar se në ditët e para të njohjes së afërt, ajo e ndjente në ajër vetëkontrollin e tepruar të djalit bukurosh që ndonëse hiqej për shumë i shpenguar, nuk qe i tillë. “Çlirohu, qetësohu, c’tendosu”, kujton t’i ketë thënë në një prej atyre ditëve. E ndërsa Laura ka dëshirë të vazhdojë të tregojë për gjithë ç’bëri për ta bërë për vete djalin 26 vjeçar, me të cilin ra në dashuri me shikim të parë, Altini nis e ngryset nga pak, duke i shpjeguar se të gjitha nuk janë biseda mes miqsh që do bëhen e mbeten në atë dhomë të katit të katërt të Grand Hotelit në Prishtinë, por do të botohen në një prej të përjavshmeve shqiptare, do lexohen dhe komentohen, për ta kthyer mandej në objekt bisedash jo dhe aq dashamirëse çifti.

Laura ngre supet dhe duke qenë se i jep të drejtë Altinit, e lë atë të tregojë, aq sa duhet.

TË DUA, NË TAKSI

Ndërsa të dy e kuptonin se nuk ishte thjeshtë për të ndarë mbrëmjet bashkë me miq në kafene, nuk gjenin dot mënyrën për ta thënë çfarë ishte vërtetë.

Atë ditë ndërsa Altini përsëriste ritualin e mbrëmjes, duke e përcjellë Laurën me taksi në shtëpi, ajo i tregoi se të nesërmen do të nisej në Shkup, për ta lënë Tiranën bashkë me familjen. Majko ndoshta kishte dashur t’i thoshte “rrugë të mbarë”, kur befas ju duk se e morri malli për atë vajzë, që ende pa ikur dhe për herë të parë në jetën e tij i tha të dua një vajze në taksi. E mori shpejt përgjigjen dhe të dy nuk patën më kohë, as dëshirë të flasin për ikjen. Në fakt Laura nuk iku. Të nesërmen, të pasnesërmen dhe dy muaj të tërë ata u takuan përditë, madje dhe përnatë. Në njërën prej këtyre netëve, kur ajo jepte nga një shpjegim të ndryshëm dhe të çuditshëm për familjen, Altini vendosi të jepte një shpjegim përfundimtar dhe disi më serioz. I mori për kafe prindërit e Laurës dhe u prezantua si miku i saj i ngushtë. “Laura fliste pak atë mbrëmje-kujton Altini,- ndërsa unë më duket se qeshja shumë. Më pëlqyen prindërit e saj. Ishin shumë të dashur. Sidomos Besa”. “Bëmë nënë të të ngjaj” qesh Laura. “ Jo, nga ne thonë: Më mirë nëna se e bija”-ia kthen Altini po duke qeshur, ndërsa Laura pranon se nëna e saj është vërtetë aq e bukur sa ç’i është dukur Altinit ditën e parë të njohjes.

Por ndërsa djali e kishte kaluar me sukses dhe fare lehtë provimin, s’kishte qenë i tillë për Laurën, e cila ishte mbërthyer nga ankthi ditë të tëra para takimit me Enkeleida Majkon. “Do të prezantoj me Leidën,-më tha Altini pak ditë më pas,-por ki kujdes, duhet t’i bësh përshtypje të mirë , se po i pëlqeve asaj, u ke pëlqyer të gjithëve”. Altini nuk pranon të ketë thënë asgjë nga këto, por Laura tregon se patjetër duhet t’i ketë thënë diçka të përafërt, përderisa ajo ka qenë si rrallëherë e trembur para takimit me bashkëshorten e vëllait të madh të Altinit. “E përfytyroja krejt të tmerrshme, por ajo ishte aq e dashur. Më drejtohej gjithë kohës me zemër dhe më vështronte me ëmbëlsi. Altini më pat frikësuar kot”.

“E gjetën kaq mirë gjuhën të dyja, sa më bënë të dukem i tepërt. Sidoqoftë bëra mirë që i njoha se pastaj Leida u bë avokatja ime më e mirë”.

Gruaja energjike e Pandeli Majkos, pak ditë më vonë kishte gjetur momentin e përshtatshëm për t’i treguar të shoqit se Altini ishte dashuruar me një vajzë shumë bukuroshe dhe po aq të zgjuar. Pandi kishte pyetur duke qeshur: “Dashuria e radhës?”. Por kishte ndaluar të pyeste mirë, kur Leida i shpjegoi se jo vetëm nuk ishte e radhës, por ishte edhe nga Prishina. Edhe më vështirë për t’u sqaruar e patën pasur prindërit Majko, njëri nga Gjirokastra dhe tjetri nga Kolonja, të cilët nuk arrinin të kuptonin se pse i biri duhej të fejohej me një kosovare, kur vajza të bukura kishte aq shumë Tirana. Por për fatin e Altinit, Leida fliste pareshtur për Laurën bukuroshe që do t’i bënte për vete sapo ta njihnin. Për më tepër që edhe ajo ishte nga Shkodra dhe gjente jo pak dëshirë për të mbrojtur ardhjen në shtëpi të një nuseje me origjinë të afërt. “Kur Laura të vijë në shtëpi, origjina jote do zbutet dhe do na dukesh nga Shqipëria e mesme”- pat thënë një prej atyre ditëve Pandi me humor, edhe pse jo aq i bindur se Altini përnjëmend do fejohej me vajzën nga Prishtina.

Kur dëgjon Leidën dhe Laurën që qeshin dhe kujtojnë episode familjare duke bërë humor me çudinë e atyre kohëve të të vëllait, Altinit nuk i vjen dhe aq mirë. “Vërtet ti ishe avokatja ime, i drejtohet ai kunatës, por Pandi më kuptoi menjëherë sapo folëm bashkë. Është lidhje e vjetër kjo jona. Vetëm kur i tregova se Laura sapo kishte lënë Tiranën, ai kuptoi gjithë ç’provoja dhe më premtoi se në Prishtinë do shkonim bashkë për ta takuar. Sikundër ndodhi.”

SHOQËRIA E “SKLLEVËRVE TË LUMTUR”

“Kosova marton Tiranën”, ishte ky njëri ndër titujt e gazetave të së shtunës prishtinase. Po kështu edhe shumë gazeta në Beograd komentonin fejesën e vëllait të vogël të kryeministrit shqiptar me 24 vjeçaren kosovare. E njëjta gjë edhe me gazetat shqiptare, që nuk është se ndaluan ndopak të përshkruanin emocionin që Pandeli Majko e fshihte keq, atë ditë, kur hyri në shtëpinë e katit të parë të lagjes qendrore të kryeqytetit kosovar dhe pa për herë të parë të vluarën e të vëllait dhe prindërit e saj. “Nuk kam pasur kaq emocion as kur u fejova vetë,”, thotë, ndërsa bashkëshortja nuk e lë të vazhdojë duke i kujtuar se ai dhe atëherë ka qenë jo pak i emocionuar.

“ Pandi, Pandi, do vijë Pandi”, tregon Laura për telefonatat e ditëve më parë të Altinit, i cili kishte përsëritur aq shpesh emrin e të vëllait shoqëruar nga karakteristikat përkatëse, sa Laura ishte përgatitur e trembur të përballej me një krijesë përtej njerëzores. “Por sikundër ndodhi me Leidën edhe këtë herë më kishte frikësuar kot. Pandi është po aq i dashur dhe i afërt sa m’u duk sikur e njihja prej kohësh”. “Ke të drejtë moj dritë- ia kthen Leida Majko, që e shpreh dukshëm kënaqësinë pas çdo epiteti pozitiv për të shoqin. Madje ajo i kthehet vrullshëm Altinit, ku ai tregon se dy krushqit, Ilir Meta dhe Ndre Legisi i kishin uruar mirëseardhjen në shoqërinë e “skllevërve të lumtur”, pak çaste pas fejesës. “Çfarë skllavërie. Martesa është e bukur, kaq e bukur, nëse dashuron. Unë jam një grua e lumtur. Besomë Laura, e lumtur do jesh edhe ti!”- i drejtohet Leida kunatës së ardhshme, duke e detyruar Altinin të pranojë se vëllezërit Majko kanë pasur fat.

FEJESA QË TREMBI DEPARTAMENTIN E SHTETIT

Këtë verë ata nuk do t’i kalojnë pushimet bashkë, por në ditën e lindjes së Laurës, sigurisht do të jenë të dy në Prishtinë. Mandej…”Them se do nis të shpërngulem pak e nga pak në Tiranë. E kam harruar ditën e parë. Tani kryeqyteti shqiptar është vendlindja e dashurisë sime dhe kaq më mjafton për ta dashur”. Laura mendon se ka për të vazhduar shkollën në të njëjtin fakultet me Altinin, por s’është shume e sigurt nëse do gjejë dot një punë që e dashuron sa ajo në Prishtinë.

“Do të bashkëjetojmë, sigurisht”-pranon Altini, i cili nuk pëlqen fare të bëjë publike planet e së ardhmes.

“Kjo është një fejesë siç do tjetër në Shqipëri dhe unë nuk arrij të kuptoj pse duhet përfolur aq shumë. Kur dola nga makina me lule në dorë dhe dhuratën e fejesës, gati i rrëzova të gjitha ndërsa pashë që më rrethuan gazetarët. Të gjithë i njihja, madje me një pjesë të mirë jam ulur nëpër kafe. U ndjeva keq dhe po kështu vazhdoj të ndihem. Është Pandi kryeministër, jo unë, që të ketë kaq interes për një fakt kaq privat. Njerëzit për të fejuarën nuk rrëfehen as mes miqsh, mua duhet të më qëllojë të rrëfehem në publik?”

E ndonëse ka dëshirë të flasë sa më pak, Altini nuk mund të mos i japë përgjigje dhe pyetjes në është ndopak e paramenduar kjo fejesë, që sipas shumëkujt ka një sharmë pak si shumë diplomatik (Pikërisht për këtë Majkos së madh ju desh të sqaronte jo pak deri Departamentin e Shtetit, që Majko i vogël kishte rënë përnjëmend në dashuri dhe nuk kishte vendin diplomatik ta bënte të ndryshonte mendje nga fejesa me prishtinasen).

“Pandi e ka të shtrenjtë familjen. Mendoni vërtet se do ta përdorte për hir të politikës? Mua s’më ka shkuar kurrë në mendje. Unë e dashuroj Laura Ismailin dhe nuk dua t’ja di për kë paragjykon…”. Ndërsa Altini nervozohet pak, Laura qesh dhe e puth. “Dhe unë e du fort, fort,-thotë ajo dhe shton duke qeshur se e do vetëm për vete.- E di që do të të pëlqeje të mos heqësh dorë nga koleksionet e flirteve, por do të të detyroj. Kjo është dashuria…”

…Dashuria aq e zakontë dhe e pazakontë e Laurës me Altinin. E zakontë sepse erdhi siç edhe vjen tek shumëkush, rastësisht, në një prej atyre ditëve krejt gri, që s’di ku do t’i mbyllësh, a mbytesh. Pati formën e syve që të detyrojnë të mos ua ndash vështrimin, pati net me gjumë dhe pa gjumë, pas të cilave në mëngjes ndjen çuditshëm të zgjohet brenda teje një njeri që je ti, por nuk e njeh, që ka zërin tënd por thotë fjalë që ti s’do i kishe thënë dot kurrë. Dhe befas ti, apo ai njeriu që vetëm dashuria di ta çlirojë brenda teje, vendos edhe të fejohesh një të premte gushti të datës 13, pa ditur dhe dashur të dish sesa e ke trembur Departamentin e Shtetit Amerikan. Dhe kjo është e pazakonta e dashurisë së Altinit me Laurën, dy të rinjve që thanë të dua në taksi, pa iu shkuar ndërmend sesa hutim do shkaktonte në qarqet diplomatike fejesa në Prishtinë. /dritare.net/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Deputeti gjerman, Abraham: Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është e vetmja rrugë përpara

Lajme
Kalo në kategori