LAJMI I FUNDIT:

Kungujt dhe sqetullat

Kungujt dhe sqetullat

Sigurisht që ndonjë fabul e frëngut La Fonten mund të fillonte kështu: “Na ishin një herë / ca kunguj të mjerë, që kërkonin ca sqetulla / sa për t’u marrë erë…”; sigurisht, gjithashtu, që ndonjë përrallë e sajuar mund të fillonte edhe kështu: “Na ishin se ç’na ishin ca kunguj të vonë, që strehim kërkonin nën sqetullat e qeverisë sonë…”. Por, që të mos i zhgënjej lexueset e lexuesit e kësaj rubrike, më duhet t’u mësoj se kungujt dhe sqetullat e titullit të saj prejardhjen e kanë nga fjala e urtë e popullit tonë shumë të urtë (madje më tepër sesa duhet) “Nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull”.

Mirëpo, çuditërisht, ai që dikur e formuloi i pari këtë fjalë të urtë, harroi se njeriu ka dy sqetulla, çka në mënyrë krejt të pashmangshme të shpie te përfundimi logjik se një njeri mund të mbajë nga një kungull nën secilën sqetull, pra dy kunguj. Mandej, po ta shtyjmë edhe më tutje arsyetimin tonë, mund të themi se njeriu i zgjuar e i pajisur me sadopak imagjinatë pjellore, mund të mbajë edhe tre kunguj njëherësh po të fusim në valle edhe shalët. Sigurisht, do ta ketë shumë të vështirë të ecë i ngarkuar kësisoj me tre kunguj, por kjo nuk është e pamundur, sepse mund ta bëjë duke u hedhur pupthi!


Gjithsesi, le të hyjmë pa vonesë në temë: Kur më lart, pra, në krye të këtij shkrimi, përmenda kungujt që kërkonin strehim nën sqetullat e qeverisë, fjalën e kisha, ç’është e vërteta, te dukuria e kundërt: në fakt, qeveria e sotme, nën shembullin e paraardhëses (asaj të viteve 2013-2017), i la të kuptonte popullit se do të realizonte shumë gjëra në dobi të tij, duke marrë kështu jo më tre kunguj (dy nën sqetulla e një midis shalëve), por më shumë kunguj të rëndë, oh, sa të rëndë, të quajtur hapje vendesh të reja pune, luftë kundër korrupsionit, luftë kundër kriminalitetit, transformim rrënjësor të organeve të drejtësisë, zgjidhje të problemeve sociale, lehtësim të varfërisë, rritje të mirëqenies dhe integrim të lavdishëm në Bashkimin e largët Europian.

Por, me sa duken bathët (zakonisht me “a”, veçse nganjëherë edhe me “y”), kaq premtime nuk mund të mbahen njëkohësisht brenda afatesh të ngushta, sepse ato përbëjnë sfida madhore të cilat, për t’u përballuar me sukses, kërkojnë jo vetëm një sërë kushtesh që ende nuk janë krijuar, por edhe një klimë socialekonomike që fatkeqësisht mungon e, siç duken të njëjtat bathë, do të mungojë edhe për disa vite, për të mos thënë dekada.

Tani do t’u lutem lexueseve dhe lexuesve të mi pa paragjykime të imagjinojnë se çfarë do të ndodhte sikur (largqoftë!) qeverisë sonë, pavarësisht përpjekjeve të saj heroike për të mbajtur barrën kungullore masive e rraskapitëse, t’i binin nga sqetullat dy nga kungujt e premtuar, mandej t’i rrëshqiste prej shalëve kungulli i tretë, pastaj t’i rrokulliseshin nga shpina e nga vithet i katërti, i pesti, i gjashti, i shtati e së fundi i teti (se kaq, vetëm tetë, sapo përmenda, ndonëse mund të ketë edhe të tjerë) dhe ajo të detyrohej të vraponte për t’i kapur në rrëpirën rrëshqitëse të tragjikomedisë shqiptare me emrin bombastik e cinik “rilindje”.

Në mbyllje, nuk mund të rrija pa i informuar lexueset e lexuesit e mi – sidomos ato e ata që, me gjithë të papriturat sfilitëse të jetës së përditshme, e kanë ruajtur ndjenjën e humorit – se në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) ka edhe një variant tjetër të fjalës së urtë “Nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull”: “Nuk mbahen dy shalqinj nën një sqetull”. O Perëndi, po si paske vënë në gjuhën e në gojën tonë, pra të shqiptarëve, fjalën “shalqi” të përbërë nga dy rrokje, “shal-qi”, e cila shpalos kështu pa pikë droje kumbimin e saj të dyfishtë erotik! Mos vallë ngaqë te vetë emri “shqiptar” gjejmë jo vetëm rrokjen e dytë të fjalës “shalqi”, por edhe mbaresën “ar”, e cila për një shkronjë më tepër do të kishte marrë një kumbim edhe më erotik?

I bie kështu që edhe qeveria jonë të ketë një dozë të veçantë erotizmi në bartjen e shalqinjve nën sqetulla, midis shalëve, mbi shpinë e mbi vithe! Ec e thoni pastaj që shalqiri nuk është një frutë i bekuar nga Perëndia! Le ta bekojë, pra, edhe qeveria, aq më tepër që këtë frutë ne, shqiptarët, e quajmë edhe karpuz, pra, thjesht dy rrokje: “kar-puz”! Rrjedhimisht, po nxitoj t’u propozoj shtatë autorëve të “Fjalorit të gjuhës shqipe” që të përfshijnë gjithashtu, në botimin e ardhshëm të veprës së tyre, variantin “Nuk mbahen dy karpuzë nën një sqetull” ose, edhe më këndshëm, “Nuk mbahen dy karpuzë vetëm me një palë buzë”! /Panorama/