LAJMI I FUNDIT:

Kundërofensiva e fitores!

Kundërofensiva e fitores!
Ilustrim

Në kapacitetin e ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me interes të shtuar dhe përgjegjësi shtesë rreth 500 ditë luftime më Ukrainë, duke ndarë këndvështrime strategjike në dhjetëra konferenca të Këshillit të Atlantikut dhe Institutit të Luftës në Uashington; në panelet me ekspertë dhe personalitete të sigurisë në Bruksel, në Gjermani, Londër, Paris, Bukuresht, Sofje, Prishtinë, Varshavë, , Romë etj.

Në pamundësi për t’u dhënë përgjigje të dedikuar secilës prej medieve të interesuara, për pritshmëritë e kundërofensivës dhe bashkë me të për fatin e luftës në Ukrainë, në vijim po paraqes një përmbledhje të përditësuar nga rreth 500 ditë të përballjes stoike të Ukrainës si dhe të vendosmërisë së Aleancës Transatlantike (ShBA/NATO/Mbretëria e Bashkuar/BE) në fushëbetejën me të keqen e përbashkët.


Para 16 muajsh, më 24 shkurt 2022, regjimi i Putinit iu rikthye aventurës kriminale së pushtimit të një shteti sovran nëpërmjet fuqisë armëve, duke sfiduar njëkohësisht rendin global të sigurisë, si dhe duke kërcënuar status-kuonë gjeopolitike, jo vetëm në rajon.

Kështu, mbas 16 muajsh, është bërë edhe më e qartë se Rusia putiniste e nisi agresionin ushtarak jo vetëm me riciklimin e një ndërmarrje të përgjakshme (si lufta), por edhe me konceptet, armatimet dhe mendjet e ndryshkura.

Udhëheqës të deformuar nga paranojat e (mbi)pushtetit dhe nostalgjik të “lavdisë së Ushtrisë së Kuqe” në Kremlin; kamikazë anti-perëndimorë; gjeneralë të vetë(de)graduar; sekserë të interesave të oligarkisë dhe analist/pagatorë të gjithëditur në mbarë botën (përfshirë në Shqipëri etj.), e (mbi)vlerësuan fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale (numër tankesh, Mig-29 – pothuaj ekuivalent me F-35 – mbushje/armë bërthamore etj.). Për pasojë, parashikuan skenarin më ogurzi: Në mos punë javësh, maksimumi muajsh do ta celebronin me këngë e valle fitoren e lavdishme të pushtimit të Ukrainës si dhe triumfin ndaj Aleancës Transatlantike në një paradë madhështore në Kiev, në 9 maj 2022.

Falë gjakut, rezistencës heroike dhe sakrificave sublime të Ukrainës martire, asgjë nga këto nuk ndodhi. Por, çfarë është arritur dhe cila është situata mes palëve ndërluftuese mbas 16 muajsh?

Pavarësisht progresit në nivel taktik për rimarrjen e objektivave (territoreve) apo përpjekjeve të dëshpëruara – së fundmi edhe sulmeve terroriste (ndaj digës së Hidrocentralit në Kakhovka) për të penguar kundërofensivën e përforcuar dhe të bekuar nga Perëndimi – Rusia putiniste ka dështuar (keq) për të arritur objektivat strategjike (pushtimin), për të mbajtur epërsinë operacionale si dhe moralin e ushtrisë.

Në të kundërt, në 16 muaj luftime të përgjakshme, Rusia rezulton e humbur në të gjitha aspektet: Rreth 30 për qind të territoreve të pushtuara dhe të shpallura me referendumet nën bajoneta si pjesë të Mëmës Rusi; 200 mijë të vrarë në fushëbetejë; rreth pesë trilionë euro ose tre herë më shumë se Prodhimi i Përgjithshëm Neto i Rusisë për 2022 (1.7 trilion euro); rrënuar moralin e ushtrisë, kohezionin dhe prestigjin e kombit rus; epërsinë operacionale si dhe iniciativën strategjike.

Nga ana tjetër, 16 muaj luftime, vërtetuan katërçipërisht, se agresioni ushtarak i Rusisë nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe kërcenim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, vlerave perëndimore, si dhe ndaj interesave të Aleancës Euro-Atlantike.

Mbas 500 ditë luftimesh të përgjakshme është vërtetuar po ashtu (ndoshta me 2-3 përjashtime nga akterë kontrovers, por pa intuitë strategjike), se Rusia e ka humbur edhe betejën/shpresat për të testuar kohezionin mes 31 vendeve të NATO-s, duke përdorur gazin si armë gjeopolitike apo duke kërcënuar (si shtet terrorist) me fuqinë bërthamore.

Mbi 100 miliardë euro armatim dhe pajisje ushtarake moderne, zgjerimi i NATO-s në kufijtë e Rusisë me vendet Skandinave (Finlandë dhe Suedi) etj., janë prova të forta që demonstrojnë për kohezionin e përforcuar të Aleancës në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, për mbrojtjen e status-kuosë dhe interesave të Aleancës Transatlantike në rajon.

Kështu, mbas 16 muaj lufte të përgjakshme, Rusia gjendet edhe më e izoluar nga mbarë bota: Nga 195 vende (përfshirë Kosovën), vetëm katër shtete e njohën në këtë aventure neo-naziste; për shkak të kësaj lufte rrezikon potencialisht përjashtimin nga pesëshja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit në OKB, si dhe urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare për Putinin – dhe më tej për të gjithë listën e gjeneralëve dhe oborrtarëve ose kriminelëve të luftës rreth tij – flasin me fort se kërcëllimat e Mig-29, tankeve dhe të raketave në fushëbetejë.

Nga ana tjetër, përkundër ngërdheshjeve cinike të pjellës së KGB-së, dorën e gjakosur të Putinit e refuzojnë edhe autokratët e Azisë Juglindore, ndërsa si aleat i kanë mbetur vetëm regjimet terroriste, si Irani, Koreja e Veriut dhe junta e Malit.

Nga ana tjetër, duhet thënë fatmirësisht se Rusia dështoi për të ndezur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, agjendën e politikanëve të diskretituar dhe zyrtarëve të korruptuar, si dhe ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan, apo për të ricikluar oscilacionet e Beogradit zyrtar duke kërcënuar – deri me agresion ushtarak nën inspektimin e ambasadorit rus në Serbi – jo vetëm sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe prezencën e shtuar të NATO/KFOR-it me mision në terren?!

Po ashtu, 16 muaj luftime të fuqisë së kapur nga paranojat e ambicieve staliniste, gjithsesi treguan se përtej sakrificave sublime të Ukrainës fati i luftës mbetet i ndërlidhur nga fuqia e kohezionit, si dhe mbështetja me armatime moderne nga Perëndimi.

Në terma financiare, paketa e mbështetjes nga Perëndimi – e konfirmuar në prag të kundërmësymjes strategjike – arrin në mbi 100 miliardë euro.

Nga ana tjetër, samiti historik i BE dhe vizita e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, në Kiev; pritja dhe mesazhet mbresëlënëse të presidentit Zelenski në të gjitha kancelaritë, institucionet dhe forumet euroatlantike demonstrojnë vendosmërinë e palëkundur të Perëndimit për ta mbështetur pa kompromis Ukrainën, deri në fitoren përfundimtare ndaj të keqes së përbashkët, Rusisë putiniste.

Po ashtu, duhet të risjellim në vëmendje se në përpjekjen e mençur për të shmangur gjakderdhjen, Ukraina në akordancë me Perëndimin ofruan një qasje të moderuar në raport me anëtarësimin e Ukrainës në NATO. E thënë me thjesht, Shtëpia e Bardhë, Londra, Berlini etj. fillimisht negociuan Ukrainën neutrale ose si zone baferi mes NATO-s dhe Rusisë. Ndërsa, mbas 16 muaj luftimesh të përgjakshme, Ukraina, përsëri në sinkron me Perëndimin, i është rikthyer zyrtarisht aspiratës së anëtarësimit në NATO, ndonëse sekretari përgjithshëm Stoltenberg i është përgjigjur me kohën administrative – burokratike – të pasluftës.

Me fjalë të tjera, të gjithë faktorët po projektojnë një paqe të qëndrueshme mbas përfundimit të luftës. Kështu, jo shumë vonë shpresoj ta shohim Ukrainën në tavolinën e Brukselit mes 32 vendeve anëtare të NATO-s. Ndërsa, e thënë në gjuhën popullore, nëpërmjet kësaj aventure gjakatare Rusia në vend që të vinte vetulla, nxori dhe sytë duke u vetërrethuar dhe çuar kufijtë e NATO-s jo shumë larg Moskës.

Në përmbyllje të sa më sipër, mendoj se me mbërritjen 90 përqind të paketës së armatimeve të gjeneratës së fundit nga Perëndimi dhe nga pothuaj të gjitha vendet e NATO-s, është koha strategjike e duhur për të nisur kundërmësymjen e fitores së merituar nga gjaku, qëndresa heroike dhe sakrificat sublime të ukrainasve, por edhe të mbështetur e të bekuar nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, kjo kundërofensivë do të shënojë vetëm fillimin fundit të rrokullimës pa ndalim të Rusisë putiniste, e cila jo vetëm që po e humbet me turp luftën, por sigurisht do të gjunjëzohet në përballjen me fuqinë ushtarake, kohezionin e përforcuar, vlerat demokratike dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike.

Me këtë rast, nuk kemi pse të mos e përshëndesim dhe ndihemi krenar për rolin aktiv të Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e perfomancës dinjitoze në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; për solidaritetin dhe mbështetjen e pa kushtëzuar të qëndrimeve, vendimmarrjeve dhe angazhimeve të ShBA-së dhe NATO-s, si dhe kontributeve me shumë se modeste që Shqipëria vijon t’i japë Ukrainës martire.

Në shtesë, nga cilësia e ekspertit të sigurisë do t’i këshilloja faktorët politikë dhe aktorët shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: Humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar – përfshirë në Ballkan – që e pret Rusinë, mbetet një rrethanë e favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në rajon, Mesdhe etj.