LAJMI I FUNDIT:

Kulla është mit, i cili vazhdon si realitet!

Kulla është mit, i cili vazhdon si realitet!

Telegrafi ju risjell një ese të poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja (28 gusht 1942-21 korrik 2012), të shkruar në Bielefeld të Gjermanisë, menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, më 1999. Shkrimi i autorit të vargut “Kosova është gjaku im që nuk falet!”, është publikuar në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, me titullin: “Mbi betejën e askujt”!

Nga: Ali Podrimja


Kur i qasem mitit, më bëhet se kam një pasqyrë të mjegulluar përballë, nga e cila duhet shkundur shumëçka për të parë veten në një kohë, që ka formën e kallëzimit. Sa është i vërtetë, mbetet çështje tjetër. Mirëpo, vështirë të mbështetet se miti është njëfarë çelësi magjik në zgjidhjen e kontesteve.

Popujt e ngarkuar me nacionalizëm e kanë pikëmbështetje për ndonjë aventurë, e cila mund të mbyllet me fatkeqësi. Ne hyjmë në mileniumin e ri, kur nuk mungojnë shtresimet e reja të mitit me përmbajtje edhe nga bashkëkohësia. Nëse ky trajtohet drejt, pa paragjykime, besoj se lirohen popujt nga iluzioni.

Domethënëse është dialogu i zhvilluar në mes dy ambasadorëve diku në Paris. Njëri ishte nobelisti Miguel Asturias e tjetri ballkanas. Pas një debati mbi problemin e mjegullës, shkrimtari i nderuar kishte pyetur se a ka mjegulla në Shqipëri. Bashkëbiseduesi iu kishte përgjigjur në shumës. Ishte e mjaftueshme për Asturiasin të kuptojë se popujt e Ballkanit gjenden ende nën pushtetin e mitit. Këtë fenomen Ismail Kadare e trajton nga një rrafsh tjetër (libri: Legjenda e legjendave).

Me konstatimin e heshtur të Asturiasit pajtohem. Ballkani është vend i miteve, i labirinteve shpirtërore. “Në kuptimin antik të fjalës”, siç do të thoshte Gerard Genette, pak hulumtohet, nuk lënë hasmëritë. Kokëçarje solli sidomos Miti i Kosovës mbi betejën e askujt, siç ka zënë të quhet. Serbët me aleatët e tyre e mbrojnë, e kultivojnë edhe pse beteja ndodhi në tokë të huaj e që, fatkeqësisht, aty qenka vrarë një prijës serb.

Rreth identitetit të vrasësit të Sulltan Muratit nuk dihet. Ekzistojnë supozime nga më të ndryshmet. Mbështeten edhe në rrafshin gjuhësor.

Nga kjo ndeshje popujsh, më e rëndësishme është se në Betejën e Kosovës (1389), nuk ndodhi siç thotë shkenca serbe. Krah forcave serbe, kundër osmanlinjve qëndronin dhe shqiptarët, malazezët, bullgarët, kroatët, hungarezët, madje dhe polakët.

Kujdestarët e kombit nuk e pranojnë këtë, se shpërbëhet ëndrra e tyre hegjemoniste. Propagandojnë se i vetmi popull, që luftoi për çështjen e Kosovës janë serbët. Ky konstatim nuk është i qëndrueshëm. E, pse forcohet Miti i Kosovës dhe ku fillon djepi i serbizmit? Nuk ka lektyrë më të mirë për kokat e nxehta se libri “Kosova një histori e shkurtër” i Noel Malkolmit.

Miti i Kosovës nuk na ka interesuar ne shqiptarëve. Së pari, nuk kemi nevojë të dëshmojmë për autoktoninë tonë dhe, së dyti, dimë se deri ku shtriheshim. Për këtë ekzistojnë fakte të shumta, madje dhe nga shkenca e mirëfilltë serbe. Të vjen keq vetëm se Betejën e Kosovës, me gjasë, aleanca e parë e ballkanasve kundër një armiku të fuqishëm të kohës, serbët qëllimisht e shikuan nga interesi i tyre nacional. Nuk është vështirë të lexohet shkaku. Nga iracionalja këta nuk mund të lirohen as sot. Shansin e parë ballkanasit e humbën. Do të kishim kokëçarje më pak në rajon.

Shtrohet pyetja: kujdestarët e kombit, ku do të mbështetnin hegjemoninë po të kishte rënë në Kosovë një prijës nga aleatët dhe dinë gjë për emrin e vërtetë të vendit tim, që është emri i një fisi ilir? Miti i Kosovës mbetet ëndërr trishtuese për iluzionisët. Personalisht mua më intereson ballafaqimi me realitetin. Konstatimi i Borhesit për fantastiken ma forcon mendimin për një mit tjetër, atë të Kullës, që nuk është kështjellë as fortesë, por i kryen të njëjtat funksione.

Ç’është qeniesore, kulla është realitet dhe mit njëherësh. Nuk kërcënon kënd as i dihet mosha. Nuk e radhis në shumësin, që u dëgjua diku në Paris, në mes të Asturiasit të famshëm e ballkanasit.

Vërtet, ç’është kulla? Para së gjithash, kulm familjar; shpesh me fund tragjik, të vetëflijimit. U shfaq në zonat malore të viseve veriore të hapësirës shqiptare. Supozohet të ketë origjinën nga koha e kulturës komane (shekulli VII). Lidhjet e saja kërkohen edhe në rrënojat ilire. Shkaku i ngulitjes përgjatë hapësirës veriore mund të jenë dyndjet sllave. Kulla mbet kulm me një arkitekturë të çuditshme e vetmi guri, e izoluar nga rreziqet, me një pavarësi më vete. Përfaqëson botën epike shqiptare. Është ndër simbolet e para në artet dhe ekzistencën shqiptare. U shndërrua në nocion nacional, interpretimi i të cilit nuk bën të shikohet si kundërmit.

Zakonisht, kulla ka dy kate. Në të lartin gjendet oda e burrave me oxhak dhe këndi ku varen armët. Dritaret e saja quhen frëngji, dimensionesh të vogla. Nga aty përcillen lëvizjet e jashtme. Në rast se kush e cenon, mund të ketë pasoja. Në katin përdhes ekziston një infrastrukturë tjetër, më tepër për nevoja familjare, një labirint i brendshëm. Materia e parë e saj është guri.

Disa kulla përbënin fisin me kodin që nuk guxon ta shkelë kush. Pra, kulla kultivon moral të fortë, të ashpër. Nga kulmi familjar u shndërrua në diç ekzistenicale, të domosdoshme për kolektivin: “Nën kokë vë Çelësin dhe Shpatën”, thuhet në një poezi bashkëkohore. Se, në mes kullës e botës lëvizte e panjohura, frika. Disi këto lëvizje brenda jashtë dëshmojnë edhe për funksionin e saj në kohë të pakohë dhe në relacionin individ kolektiv.

Në fillim kjo ngritej në kodër të vetmuar, larg rrëmujave. E para e hetonte të keqen. Nuk ka të bëjë me jetën baritore, siç mendohet. Figurativisht të themi: kulla është sy në kodër. Kur u pakësuan hasmëritë, nguli dhe në rrafsh.

Mirëpo, kulla me kullën ndodh të hasmërohen. Nëse është shkelur Kanuni dhe nëse konflikti nuk është zgjidhur, kulla që ka shkaktuar deliktin është izoluar. Me vite ka mbetur e ngujuar. Më vonë, ndërtimi i saj u bë mjeshtëri, art. Familjet e mëdha dhe në zë kishin kulla me një arkitekturë më të përsosur. Shquheshin për bukuri e madhështi.

Të njohura ishin Kullat e Junikut dhe ato të Rrafshit të Dukagjinit. Folja ishin tregon fundin e tyre tragjik. Një mik imi fliste edhe për peshën e gurit. Përafërsisht, dinte sa ky gur ka në një kullë. Në luftën e fundit, ky art monumental përjetoi fatin e njeriut. Mbet ndonjë mur ose oxhak nga gjithë ajo bukuri.

Kohën e vet shpesh kulla e mbylli me fund tragjik. Poeti nacional, At Gjergj Fishta, kandidat për çmimin “Nobël” në vitin 1938, në epopenë “Lahuta e Malcis”, na jep dhe aktin e fundit dramatik të kullës: kjo nuk bën të bjerë në dorë të armikut. Në njërën nga këngët, heronjtë e mbyllur sapo kishin parë ushtrinë e armikut nëpër mure, kishin ngritur në ajër gjithë ç’kishte pasur aty. Nuk bëhet fjalë vetëm për akt heroik. Vetëflijimi u bë traditë në kohë të liga. Ndodhi, kjo dhe me vashat krutane, me ato të Sulit në Epir, me gjakovaret. Në asnjë rast nuk u pranua të shkilet nderi. Edhe në luftën e fundit (1999) u përsërit vetëflijimi. Tregojnë se familje të tëra fluturuan me kullën. Ngujimi në të është kulmi i dramës. Asnjëherë nuk dihet si mbyllet.

Në kohën e diktaturës kulla nuk pat fat më të mirë. Me frikë pakëz e shikonte shteti ideologjik. Petro Marko, luftëtar i Revolucionit Spanjoll (1936) dhe shkrimtar i shquar, kishte shkruar një dramë me subjekt nga koha e Skënderbeut (shekulli XV). Pas botimit, drama ishte ndaluar.

Sipas cenzorëve, aty kishte ndodhur tradhti. Shkrimtarit ia kishin parë për të madhe se ushtarët kishin defiluar para frëngjive dhe gjatë kishin shikuar tej horizontit. E, tutje gjendej një botë tjetër, që nuk përkonte me shtetin ideologjik. Kemi të bëjmë me paradoksin diktaturial: në asgjë të mos besohet. Kështu, madhështia e kullës u shndërrua në tmerr për ata që botën e shikonin përmes syzave. Nuk mund të shpëtojë as bukuria . Në luftën e fundit, barbaria serbe zgjodhi formën më të vrazhdë: rrënimin, lirimin nga hija e saj. Kallëzim i dhembshëm ky, nuk ka diç me antikën? Interpretimin tim për një nocion nacional, më së pakti të merret si kundërmit: të shikohet në vazhdën e ekzistencës së një populli. Kulla është mit, i cili vazhdon si realitet. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kalo në kategori