– Dëshmia e vitit 2003 e ish-komandant ushtarak të kampit stërvitor të diversantëve shqiptarë në Maltë, David Smiley –
Nga: Sokol Gruda
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, punoi me Enver Hoxhën dhe Abaz Kupin, për organizimin e forcave antifashiste. Me rënien e “Perdes së Hekurt”, stërviti diversantë, për të rrëzuar regjimit komunist.
Mbrëmjen e 28 nëntorit 2003, në një pritje të Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër, qëlloi të më prezantonin në shqip, me një burrë në moshë që kishte zënë vend në atë cep të sallës ku rrinin “të zotët e shtëpisë”. Nga tingëllimi i mbiemrit të tij, përzierë me trokitje gotash e copëza bisedash, mendova se kisha takuar babanë e ndonjë prej bashkatdhetarëve në atë pritje. “Jam Dejvid Smajli [David Smiley]”, sqaroi thjesht, duke më shtrënguar dorën. “Kolonel Dejvid Smajli”, vazhdoi, si për të zhdukur çdo keqkuptim.
Këmbyem kartëvizitat dhe e lamë të shihemi një herë tjetër. “Ndoshta për një intervistë?” – provova unë me guxim shansin. “Ndoshta diku, ku të jetë më qetë”, tha, duke drejtuar gishtin tek aparati i dëgjimit në vesh. Kur e takova prapë kolonel David Smileyn, rrugët e Londrës qenë mbushur me posterat e 60-vjetorit të fitores mbi fashizmin në Evropë. Në Shqipëri ndoshta kishin filluar edhe përgatitjet për shënimin e 15-vjetorit të rrëzimit të diktaturës. Nuk kishte asnjë moment më të mirë për të takuar kolonel Smileyn që, për fatin e tij të mirë a të keq, ka lënë gjurmë në të dyja këto ngjarje.
Dy krahët e shqipes
Në katin e dytë të apartamentit, në një lagje të qetë në perëndim të Londrës, derën ma hap vetë kolonel Smiley. Mbështetet lehtas në një bastun modest, por dorën ma shtrëngon fort dhe sytë nuk i lëvizin teksa më uron mirëseardhjen. Rehatohemi në dhomën e ndenjës dhe koloneli më gostit me raki shqiptare, të cilën ia kanë sjellë miqtë e tij shqiptarë. Biseda bëhet më e këndshme pas kësaj surprize të vogël. Fillojmë të flasin për ngjarje që zunë fill një çerek shekulli pa lindur unë, në një vend të panjohur për të: “Shqipëria ishte e pushtuar nga armiqtë tanë, italianët. Dukej vend mjaft primitiv, i egër, por shumë tërheqës, veçanërisht në zonat malore ku kalova pjesën më të madhe të kohës. Si luftëtar gueril, nuk mund të kisha gjetur vend më të mirë për të punuar. Unë bëja pjesë në organizatën SOE (Special Operation Executive), me qendër në Kajro. SOE, organizonte hedhjen në Ballkan të trupave britanike dhe shtetasve nga ata vende, me synim minimin e operacioneve ushtarake gjermane dhe shkaktimin e sa më shumë dëmeve në trupat e tyre. Bashkë me shokun tim Billy McClain, ramë dakord të shkonim në Shqipëri, një vend ku nuk kishte shkelur askush nga organizata jonë. Ishte prill i vitit 1943, kur hymë në Shqipëri nga Greqia, pas dy ditësh rruge në këmbë”, kujtoi Smiley ato ditë të trazuara.
Së bashku me kolegun e tij, McClain, kishin parapëlqyer rrugën më të gjatë, për t’iu shmangur, siç tha, “parashutimit symbyllurazi, në duart e fashistëve”. Për shqiptarët kishte dëgjuar se ishin bujarë e mikpritës.
“Shqiptari i parë që takuam, ishte komisari i një çete, të cilit nuk i pëlqyem dhe na kërkoi të largoheshim. Na u desh të dilnim nga Shqipëria, por unë u ktheva përsëri nëpërmjet një rrugë tjetër dhe hyra në afërsi të Korçës. Më vonë, kur mësuan se neve mund të na vinin furnizime nga ajri, partizanët filluan të shfaqnin me shumë interes për ne, madje edhe na ftuan. Për nëntë muaj, punuam bashkë me partizanët e udhëhequr nga Enver Hoxha. Pas takimit me çetën e parë partizane, na u bë shumë e vështirë hyrja në kontakt me dikë tjetër, sepse partizanët, bënin ç’është e mundur që ne të mos u afroheshim kundërshtarëve të tyre politike, ballistëve, apo zogistëve të Abaz Kupit. Enver Hoxha drejtonte Partinë Komuniste. Me të punova gjatë pjesës më të madhe të 8-9 muajve, duke e ndihmuar në armatosjen e çetave të ndryshme, kryesisht në Jug të vendit, në afërsi të Korçës dhe zonave përreth”.
“Për Enver Hoxhën krijova antipati, thuajse që në takimin e parë. Ishte e qartë se as ai nuk kishte ndonjë konsideratë për ne, por na toleronte, ngaqë e dinte se do ta ndihmonim për krijimin e çetave partizane. Hoxha ishte gjaknxehtë dhe shpeshherë jam zënë me të. Megjithëse ishte tip që bërtiste e zemërohej, unë kam punuar me të, që nga prilli i vitit 1943, e deri në largimin tim në tetor-nëntor të po atij viti”, kujtoi ish-kapiteni britanik.
“Në një rast ai u inatos keqas, sepse pa lejen e tij, hodha në erë një urë. I thashë se kisha ardhur në Shqipëri, për të luftuar italianët e gjermanët. Enver Hoxha këmbëngulte se duhej të isha autorizuar prej tij. Unë i shpjegoja se nuk isha nën komandën e tij, se isha oficer britanik dhe urdhrat i merrja nga Shtabi im në Kajro, e më vonë në Bari”.
Kolonel Smiley ka thënë se ka pasur përvoja të këqija edhe me figura të tjera komuniste të luftës në Shqipëri. Me albumin e fotove në dorë, ndalet tek portreti i pagabueshëm i një partizani, me mustaqe. “Mehmet Shehu! Armiku im për vdekje! Veçse fliste shumë mirë anglisht, për të mos ia ngrënë hakun”.
Sidoqoftë, mosmarrëveshja me komunistët shqiptarë, nuk duhet të ketë qenë shtysa e vetme e largimit të përkohshëm të misionarit Smiley dhe kolegut të tij McClain. “Pas 8-9 muajsh në Shqipëri, unë u evakuova dhe u ktheva në Angli. Bashkë me kolegun Bill McClain, takova ministrin e Jashtëm, Antony Eden, i cili na tha: ‘Kthehuni në Shqipëri dhe përpiquni të organizoni familjet, kryesisht katolike të Veriut, në luftë kundër gjermanëve’”.
“Nuk kaloi shumë kohë dhe na parashutuan në një vend kodrinor, në afërsi të Tiranës. Gjashtë muaj qëndruam me forcat e Abaz Kupit dhe me disa çeta të ‘Ballit Kombëtar’. Zhvilluam disa luftime. Mesa mbaj mend në atë periudhë, partizanët nuk luftonin, me përjashtim të rasteve kur sulmoheshin. Kur ishim akoma në Veri të vendit, britanikët dërguan një komando në Shqipërinë e Jugut. Gjermanët po tërhiqeshin nga Greqia dhe ne donim t’i copëtonim forcat e tyre. Por, me urdhër nga Enver Hoxha, komisari i zonës nuk pranonte të bashkëpunonte me britanikët. Forcat e Hoxhës e dinin se unë dhe McClain ishim antikomunistë ndaj bënin çmos të na hiqnin qafe. Erdhi një kohë kur vunë edhe shpërblim për kokën tonë. Për ca kohë, derisa u larguam nga deti, na u desh të ruheshim si prej gjermanëve, ashtu edhe prej partizanëve”.
Por, jo çdo gjë ishte në duart e vetë përvojës ushtarake dhe nuhatjes politike të Smileyt. Shtabi britanik kishte vendosur të mbështeste forcat e Enver Hoxhës dhe një ushtarak si Smiley, që kishte ndihmuar antikomunistët, mund të vazhdonte të qëndronte sërish në Shqipëri. “U larguam të indinjuar. Shtabi ynë kishte vendosur t’ia kalonte të gjitha ndihmat komunistëve dhe të tërhiqte oficerët britanikë nga trupat e Abaz Kupit dhe Ballit Kombëtar”, kujton Smiley.
Derisa misioni britanik shumëfishoi ndihmën për komunistët, David Smiley, i pari ushtarak aleat i hedhur nga Shtabi i Operacionit SOE në Shqipëri, u largua i zhgënjyer dhe plot indinjatë.
Në kolltukët e dhomës së tij të ndenjës, kolonel Smiley pranoi se vendimi i shtabit të tij, mund të ketë qenë i imponuar nga rrethanat. “Ballistët e zogistët nuk i luftuan shumë gjermanët, sepse ndoshta pritën të shihnin se çfarë drejtimi do te merrte lufta”.
Por, edhe 60 vjet pas përfundimit të luftës, Smiley nuk ka ndërruar mendje për krahun e djathtë të luftës në Shqipëri. Një qylaf i bardhë me shkabë, është ndër sendet e para që të kap syri, në hyrje të apartamentit të tij.
“Janë të shumtë ata që nuk janë dakord me mua, por ka plot të tjerë që mendojnë si unë. Sikur gjatë luftës të kishim përkrahur të djathtët, ata do të kishin luftuar, gjë që nuk e bënë. Ata ishin mjaft të stërvitur dhe kishin oficerë nga xhandarmëria. Mendoj se me të vërtetë do të kishin pasur sukses, sikur britanikët të mos kishin vendosur, papritur, t’ia kalonin gjithë ndihmat Enver Hoxhës”.
Por, a pajtohej kolonel Smiley me mendimin, se pjesa më e madhe e rreth 30 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë luftës ishin në krahun e komunistëve dhe jo të kundërshtarëve të tyre të djathtë? Pyetja e bëri të heshtte, për një moment. Nuk u përgjigj menjëherë, por ka dëgjuar.
“Mendoj se Enver Hoxha, ishte fare i pashpirt në luftën për eliminimin e kundërshtarëve politikë, edhe kur akoma nuk i kishte marrë frenat e vendit në dorë”, filloi të përgjigjej ish-kapiteni i kohës së Luftës dhe vazhdon: “Partizanët vranë shumë ballistë e zogistë dhe, kur u larguam ne, vendi ishte në luftë civile. Mua më vjen keq ta pohoj, por komunistët fituan. Ata fituan, sepse kishin armë më të mira, ishin stërvitur më mirë dhe kishin më shumë përvojë në male. Ata ishin të pajisur më mirë, falë ndihmës që morën nga britanikët.”
Pse nuk patën sukses përpjekjet për të larguar nga pushteti udhëheqësin komunist. Kush tradhtoi dhe roli i Abaz Ermenjit dhe Abaz Kupit?!
Matanë perdes së hekurt
Hyrja e partizanëve në Tiranë, mund të dukej vërtetë si një togë festive në marshimin e madh të aleatëve fitimtarë. Por, parada e kuqe, që niste nga brigjet e Baltikut, kishte mbërritur në Adriatik. Në vitin 1946, Winston Churchill diagnostikon në këtë mënyrë gjendjen e Evropës së pasluftës: “Një perde e hekurt ka rënë përmes kontinentit”!
Kur e kuptuan se çfarë po ndodhte në Shqipëri, krerët e Smileyt në Londër hapën sërish hartat e vjetra të luftës. Enver Hoxha duhet të hiqej, nga vetë njerëzit e vet. Operacioni kishte nevojë për bazë politike dhe ushtarake. Në fushë u sollën sërish lojtarët me përvojë. Ishte pikërisht vjeshta e vitit 1949, kur emri i ish-misionarit, David Smiley, u lidh sërish me Shqipërinë. Ai u emërua komandant ushtarak i kampit stërvitor të diversantëve në Maltë.
“Ishte operacion i përbashkët anglo-amerikan. Asokohe ishte formuar Komiteti ‘Shqipëria e Lirë’, kryesisht me njerëz të Abaz Ermenjit dhe Abaz Kupit. Ata kishin vendosur dërgimin e disa shqiptarëve të larguar pas luftës në Shqipëri, për të parë mundësitë e minimit të regjimit të Enver Hoxhës. Mua më ngarkuan detyrën e stërvitjes së këtyre shqiptarëve, në Maltë. Pas ca kohe, ata u hodhën në Shqipëri nga deti. Fatkeqësisht, shumica e tyre u kapën, vetëm pak shpëtuan. U kuptua se, në shumicën e rasteve, atyre u zinin pritë. Arsyet do të merreshin vesh më vonë. Meqenëse ne bashkëpunonim me amerikanët, duhet t’u tregonim atyre se çfarë po bënim. Vetë amerikanët kishin filluar parashutimin e desantëve në veri të Shqipërisë, ndërsa unë operoja në jug duke i dërguar desantët e mi nga deti. Ndodhi që personi që mbante lidhjet mes britanikëve dhe amerikanëve, në Uashington, ishte një agjent, më emrin Kim Philby. Ai ua dërgonte gjithë informacionet rusëve, të cilët më tej, ia kalonin Enver Hoxhës. Prandaj, Hoxha i njihte veprimet tona me saktësi. Ne na preu në besë një tradhtar britanik”!
Kolonel Smiley, nuk harroi të theksojë, edhe njëherë, cilësitë e shqiptarëve që stërviti për shumë vjet në kampin e Maltës. “Të gjithë njerëzit që hidheshin në Shqipëri, ishin patriotë dhe shumë guximtarë. Mua më erdhi jashtëzakonisht keq kur mësova për fatin e tyre. Ata ishin rekrutuar nga Abaz Ermenji dhe një pjesë nga Abaz Kupi. Rekrutimi ishte bërë mbi baza vullnetare, kryesisht nga kampet e refugjatëve në Gjermani, ku ishin përqendruar shumë shqiptarë. Më pas ata erdhën tek unë në Maltë, për t’u stërvitur si guerilë. U ndjeva thellësisht i zhgënjyer, kur mësova se i kishin kapur. Ata që kishin arritur të shpëtojnë, erdhën në Greqi dhe na treguan se si kishin rënë në prita. Sipas tyre, kjo kishte ndodhur ose për shkak të shkeljes së masave të sigurisë, ose ngaqë dikush i kishte tradhtuar. Unë nuk dija ç’t’ju thosha. E vërteta u mësua vetëm më vonë, kur fillimisht dy agjentë (Guy Burghes dhe Donald Maclain) e më vonë Philby, u arratisën në Moskë. Ne na kishin tradhtuar”.
Britanikët ishin të parët që pranuan se operacioni kishte dështuar dhe përpjekjet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, duheshin ndërprerë. Organizatorëve nuk u kishte ndihmuar as përvoja e vetë dhe as modelet në vendet fqinjë:
“Të njëjtat probleme, kishin ekzistuar edhe në Greqi e Jugosllavi. Në të dy rastet, kishte pasur përballë dy kundërshtarë të ashpër politikë, të djathtët dhe komunistët. Në të dy rastet, pati luftë civile. Në Jugosllavi ne mbështetëm Titon, kundër Mihajloviqit që unë mendoj se ishte vendim i gabuar … Fatmirësisht, përkundër këshillave të amerikanëve, në Greqi ne dërguam trupa të cilat ua bllokuan komunistëve rrugën drejt marrjes së pushtetit. Kjo është arsyeja se pse Greqia nuk mbeti matanë perdes së hekurt, si Shqipëria e Jugosllavia”.
Nga një ishull grek në anën tjetër të perdes së hekurt, kolonel Smiley dhe operativë të shërbimeve të kundërzbulimit, regjistronin dëmet e tradhtisë që solli dështimin e operacionit shqiptar. Disa dhjetëra të vrarë, banorë e diversantë. Të dyja palët shqiptare! A ia vlente? Dhe a nuk u lanë në baltë vetë shqiptarët diversantë, nga mjeshtrit e tyre të huaj?
“Mund të them, madje, se ata u lanë në balte edhe nga unë vetë. Në fund të fundit, isha unë ai që, në mirëbesim, i nisa në Shqipëri duke mos e ditur se ishim të tradhtuar. Ata ishin burra shumë guximtarë dhe nuk i gjej dot fjalët, për të shprehur keqardhjen për fatin e tyre … Grupet e desantëve, zakonisht prej katër vetash, binin në pritë. Ata kapeshin, torturoheshin dhe pushkatoheshin. Operacioni ynë synonte të shihte reagimin e njerëzve ndaj regjimit të Hoxhës. Por, doli se ata ishin aq të frikësuar, sa nuk mund t’i ndihmonin njerëzit që zbarkonin. Përgjigjja, pra, ishte se nuk ia vlente dërgimi i forcave të tjera, sepse Enver Hoxha e kishte vendin nën kontroll të plotë dhe njerëzit ishin tmerrësisht të frikësuar prej tij. Disa nga desantët që shpëtuan, i takova më vonë në Greqi dhe asnjëri nuk e kishte inatin me mua. Dua të sqaroj se operacioni ishte konceptuar si rikonjicion, për matjen e pulsit të njerëzve. Nuk ishte operacion për minimin e regjimit të Enver Hoxhës. Ishte thjesht një përpjekje paraprake njohëse, për të parë nëse ia vlente ndërmarrja e një operacioni me të madh. Dhe përgjigjja ishte: jo”!
Smiley u kthye në bazën e regjimentit britanik në Gjermani, ku pas dy vjetësh merr vesh hollësitë e plota të arsyeve që sollën dështimin. Më tej, për operacionin shqiptar u fol e u shkrua nga të dy krahët. U përshkrua si “Radiolojë”, “Tradhti e Madhe” dhe u llogarit “Kostoja e një tradhtie”. Operacioni mund të ketë qenë hartuar që prej fillimit, vetëm si “një episod beteje në luftën kundër komunizmit”, por ekzekutuesve të tij u janë dashur vite të pajtohen me dështimin.
Kolonel Smiley, duket se i ka pjekur shumë herë, me qetësinë e duhur, këto suksese e disfata gjatë viteve të kaluara në shtëpinë e tij, në lagjen e qetë në perëndim të Londrës. Tashmë, kur po prek 90 vjetët, e ndjente se dashur pa dashur, është i lidhur me historinë e këtij vendi, edhe pse aventurat me ballistë e partizanë, tashmë janë shumë të largëta.
Ndërsa ngre me fund gotën e rakisë së ardhur nga disa miq shqiptarë, kolonel David Smiley, tregoi se ka komunikuar lirisht me të njohurit në Shqipëri, madje se ka qenë disa herë atje. “Tani Shqipëria është transformuar krejtësisht. Por, u desh kaq shumë kohë”, thotë, duke kujtuar se çfarë vlere merr koha në moshën e tij. /Memorie.al/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Detaje se si Michael Schumacher komunikon me familjarët pas 'paraqitjes së parë publike' në 11 vjet
“Me emër të Zotit, veç mos u mërzitni” – pamje e rrallë, Kadri Veseli me ushtarët e UÇK-së
Një pajisje përgjimi u gjet në banjën time pas vizitës së Netanyahu, pohon Boris Johnson
Genta Ismajli përfshihet në një aksident me makinë në Amerikë
Policia e Kosovës bëhet me dhjetëra automjete të blinduara
A do të funksionojë bonusi për shoferët në Gjermani, për t'i nxitur ata të blejnë automjete elektrike?