LAJMI I FUNDIT:

Dokumenti që Kim Philby ia dërgoi KGB-së për diversantët që donin ta rrëzonin Enver Hoxhën

Dokumenti që Kim Philby ia dërgoi KGB-së për diversantët që donin ta rrëzonin Enver Hoxhën

Ish-oficeri dhe shkrimtari i Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, këmbëngul se Kim Filbi (Kim Philby) nuk ka dhënë asnjë ndihmesë në dështimin e operacionit të përbashkët të shërbimeve sekrete, britanik dhe amerikan.

Nga: Thanas Mustaqi


“Më qesharakë akoma bëhen ata soj kundërshtarësh deri në armiqësi me përdorimin e një farë Kim Filbi. Nuk pushuan ‘së lehuri’ nëpër gjithfarësoj mediash elektronike dhe të shkruar, teh më teh botës, që paskësh qenë ai, tradhtari Kim Filb, i cili paskësh shkaktuar dështimin e asaj strategjie dhe taktike të anglo-amerikanëve, të cilët përmes banditizmit politik do të përmbysnin Shqipërinë e asaj periudhe historiko-shoqërore. Është e njohur tanimë, që Kim Filbi, ishte vërtetë tradhtari i madh, shumë i rrezikshëm kundër Mbretërisë së Britanisë së Madhe; aq sa ishte hero po aq i madh në shërbim të KGB-së sovjetike, por ndërkohë ishte krejtësisht i paqenësishëm për Shqipërinë… CIA-SIS, u detyruan të shpikin alibira të gjithëfarsojshme. Alibia e përdoruar me emrin e tradhtarit të tyre Kim Filb, nuk është asgjë tjetër veçse përpushja si gështenja në prush për të justifikuar dështimin katastrofik, të turpshëm që pësuan në duel me kundërzbulimin dhe zbulimin heroik të shërbimeve informative sekrete të Sigurimit të Shtetit Shqiptar”, thotë Dodani.

Më poshtë në gjuhën shqipe është dokumenti i nxjerr nga arkivat e ish-KGB-së. Ky fakt përgënjeshtron pretendimet e Enver Hoxhës dhe funksionarëve të ish-Sigurimit shqiptar të Shtetit se Filbi nuk ka dhënë asnjë kontribut apo informacion në dështimin e operacionit të përbashkët britanik-amerikan “Valuable”.

STALINI: “DESANTËT TË ASGJËSOHEN PARA SE TË ZBARKOJNË NË TOKË!”.

Për 30 vjet Kim Filbi furnizoi Moskën me informacionin më sekret. Në sajë të tij, shumë operacione të rëndësishme sekrete të shërbimeve speciale britanike dhe amerikane pësuan dështim të turpshëm. Për shembull, hedhja e diversantëve në Shqipëri. Në vitin 1949 CIA dhe SIS vendosën të hiqnin qafe Enver Hoxhën, duke zbarkuar nga ajri njerëz të armatosur. Informacioni për këtë ra në duart e Filbit. Pasi lexoi raportin e tij sekret, Stalini theksoi me lapsin famëkeq blu: “Desantët të asgjësohen para se të zbarkojnë në tokë!”. Urdhri u ekzekutua fjalë për fjalë.

FILBI: “NUK NDIEJ KEQARDHJE PËR VRASJEN E DIVERSNATËVE NË SHQIPËRI!”

Gazetari i mirënjohur australian-anglez Filip Najtli (Phillip Knightley) ka qenë i vetmi gazetar perëndimor që ka mundur të intervistojë spiunin e famshëm të KGB-së, në Moskë, në vitin 1988, pak kohë para se të vdiste. Ja fragmenti i intervistës kur flitet për Shqipërinë: “Luajta rol përcaktues në minimin e planit të hartuar nga Perëndimi për organizimin e një masakre të përgjakshme në Shqipëri. Por, ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, gjithashtu, si dhe unë, mundësonin gjakderdhje për qëllime politike. Agjentët, që ata dërguan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur për të kryer akte sabotimi dhe vrasje. Prandaj, nuk ndjej keqardhje, që ndihmova në asgjësimin e tyre. Ata e dinin se ku po shkonin. Mos harroni se unë kohë më parë gjithashtu u implikova në likuidimin e një numri të konsiderueshëm hitlerianësh, duke dhënë kështu kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin”.

FAKSIMILJA E DOKUMENTIT TË KOMITETIT TË INFORMACIONIT TË QEVERISË SOVJETIKE TË 23 SHTATORIT 1949, KU BËHET E DITUR SE ËSHTË INFORMUAR PËR ZBARKIMIN MË 24 SHTATOR TË DY GRUPEVE PARASHUTISTE NË SHQIPËRI. E DHËNA IU KALUA MEHMET SHEHUT.

Tepër sekret

Shokut Stalin I.V.

Shokut Molotov V.M.

Rezidenti i KI-së* në Londër natën e 23 shtatorit të këtij viti raportoi me telegraf se ai nga agjenti që punon në __________ ___________________________(është censuruar teksti nga shklasifikuesit e dokumentit origjinal – Th. M.) mori njoftime se organet e zbulimeve të SHBA dhe Anglisë [razvedyvatel’nyye organy SSHA i Anglii] së bashku kanë hartuar planin e veprimtarive minuese kundër Shqipërisë, të quajtur operacioni “Valuable”**.

Ky plan parashikon zbarkimin në Shqipëri të grupeve diversioniste-kryengritëse, të kompletuara nga emigrantë-fashistë shqiptarë, me detyrë të ndihmonin në Shqipëri në pranverën e vitit 1950, “lëvizjen partizane” kundër qeverisë së Enver HOXHËS.

Për realizimin e planit, në ishujt e Maltës dhe Korfuzit u organizuan baza për përgatitjen e këtyre grupeve. Natën e 18 shtatorit të këtij viti, dy grupet e para, të përbëra nga pesë veta secili, u hodhën në territorin e Shqipërisë. Hedhja e dy grupeve të tjera është caktuar natën e 24 shtatorit. Po përgatiten edhe disa grupe, të cilat, ka gjasa, do të transportohen në Shqipëri gjatë këtij viti.

Të dhënat për hedhjen e grupeve diversioniste-kryengritëse natën e 24 shtatorit, iu transmetuan nga ne nëpërmjet këshilltarit tonë të fshehtë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë sh. GLAZKOV*** Memed (Mehmet) Shehut (në atë kohë ministër i Brendshëm 1 tetor 1948-23 korrik 1954) për marrjen e masave përkatëse.

Savçenko

24 shtator 1949 Nr. 3309 / C

Konfirmuar. Nënshkrimi 25.10.49 [https://cdnimg.rg.ru/pril/article/54/93/39/dok5-big.jpg]

Shënime të autorit të shkrimit

* Inicialet rusisht për “Komitet Informatsii” – Komiteti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave të ish-Bashkimit Sovjetik, nga viti 1949 pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, emri i zbulimit të jashtëm sovjetik në vitet 1947-1951. U krijua më 30 maj 1947.

** Në origjinalin rusisht “operatsiya “Tsennaya””, shqip “operacioni “I vlefshëm””, anglisht “Valuable”.

*** Kolonel Mihail Froloviç Glazkov (1906-1963). Karriera: nëntoger i SSH (Sigurimi i Shtetit) 23.04.37; toger i SSH 28.04.41; major i SSH 11.02.43; nënkolonel i SSH 04.10.44; kolonel 28.02.50; me shërbim në Shqipëri 8.1947-6.6.1950; përfaqësuesi KI-së pranë Ministrinë së Punëve të Jashtme të BRSS në Shqipëri 6.6.1950-9.1951, dekoruar në Shqipëri me Urdhrin e Lirisë.

Në trend Kultura

Më shumë
Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Skulptura
INTIME

INTIME

Poezi
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!

Thënie të thella që nuk pendoheni nëse i lexoni!

Kulture
Një letër burrit të vdekur...

Një letër burrit të vdekur...

Fjala+
Fan S. Noli: Si u bëra shkrimtar (audio e rrallë)

Fan S. Noli: Si u bëra shkrimtar (audio e rrallë)

Kulture
Kalo në kategori