LAJMI I FUNDIT:

Kufizimi i punës së gastronomisë dhe shpërndarja e miliona eurove nga Pakoja e Ringjalljes – ngjarjet kryesore të javës në ekonomi

Kufizimi i punës së gastronomisë dhe shpërndarja e miliona eurove nga Pakoja e Ringjalljes – ngjarjet kryesore të javës në ekonomi

Marrja e vendimit të kufizimit të punës së gastronomisë si dhe shpërndarja e mbi 40 milionë eurove në kandër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ishin disa ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që të kufizoj punën e objekteve hoteliere, restoranteve dhe kafiterive.


Në kuadër të masave të reja kufizuese ndaj pandemisë COVID-19, duke filluar nga dita e diele, gastronomia do të punojë deri në ora 21:30 dhe në ambiente të hapura.

“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30”, thuhet në vendim, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Nga 29 gushti kufizohet edhe qarkullimi i lëvizjes së qytetarëve, duke u rikthyer masa e kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 deri në 05:00.

Gastronomia nga sot do të punojë deri në orën 21:30, 'dërgesat me porosi' edhe pas orës 22:00
Lexo po ashtu Gastronomia nga sot do të punojë deri në orën 21:30, 'dërgesat me porosi' edhe pas orës 22:00

Po ashtu, Qeveria ditë më parë ka marr disa vendime lidhur me zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Këto vendime kanë të bëjnë për krijimin e vendeve të punës, përkrahje për prodhuesit vendor, shtesat për fëmijët, ata që kanë humbur anëtarët e familjes nga COVID-19 dhe ndihmë për familjet me nevojë me kuponë ushqimor.

Janë ndarë 15 milionë euro për masën që parasheh krijimin e vendeve të punës, 12 milionë euro për mbështetje për familjen, 10.43 për prodhuesit vendor dhe 2.7 milionë euro për shëndetësinë.

“Përmes masës 1 – Mbështetja e Punësimit synohet krijimi i vendeve të reja të punës, duke mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë punëkërkuesit. Nё zbatim tё kësaj mase janë ndarë mjete nё vlerё prej 15 milionё euro për masën 1.1 – rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; masën 1.2 – mbështetja për të punësuarit e formalizuar; dhe masën 1.3 – mbështetja e punësimit të grave”, ka njoftuar Ministria e Financave, përcjell Telegrafi.

Vlen tё theksohet se afati i aplikimit për masën 1.1, 1.2 dhe 1.3 bёhet nё mёnyrё elektronike përmes platformës EDI tё ATK-sё dhe do të jetë i hapur deri më 15 tetor 2021.

Mё tutje, nё zbatim tё masës 2.1 – Subvencionimi i Kredive Investive, Qeveria ka ndarë 10.43 milionё euro për subvencionimin e kredive investuese të bizneseve prodhuese e përpunuese.

Këto mjete janë siguruar nga emetimi i “Bonove të Diasporës”, instrument financimi ky që ka pasur për qëllim kanalizimin e kapitalit të diasporës drejt investimeve për ndërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Pёr masёn e tretë, që parasheh mbështetjen e familjes janё ndarё mjete financiare në shumën prej 12 milionë euro.

“Masa 3.1 – mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin, masёn 3.4 – kuponë ushqimi për familjet në nevojë dhe masёn 3.5 – pagesa për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Përgjithësisht, Masa 3 paraqet një hap jetik në përpjekjet tona për zbutjen e varferisë, si dhe ndihmën ndaj familjeve që kanë humbur më të dashurit në luftën me virusin COVID-19″, vijon njoftimi.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati ka njoftuae se duke filluar nga ky vit do të nis shpërndarja e shtesave për fëmijët dhe mbështetja për lehonat.

“Duke filluar nga ky vit, diçka që është planifikuar në vitin e ardhshëm por për shkak të performancës më të mirë buxhetore, ku është siguruar kjo shumë, mund të fillojmë ta zbatojmë edhe para datës që ishte planifikuar. Nga ky vit do të fillojmë me moshat 0-2 vjeç, ku çdo gjashtë muaj do të kemi shtesë të viteve të fëmijëve, duke arritur në vitin 2023 kur përmbushet mosha 16-vjecare”, ka njoftuar Murati, përcjell Telegrafi.

Mbi 40 milionë euro nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike – përfitojnë prodhuesit vendor, ata që kanë humbur familjarët nga COVID-19 dhe personeli mjekësor
Lexo po ashtu Mbi 40 milionë euro nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike – përfitojnë prodhuesit vendor, ata që kanë humbur familjarët nga COVID-19 dhe personeli mjekësor

Gjithashtu janë ndarë 2.7 milionë euro për pagesa shtesë për personelin mjekësor.

Ministri Murati në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se kjo ndarje është për muajt gusht, shtator dhe tetor.

“Marrë parasysh situatën aktuale në sistemin shëndetësor, ne kemi marr vendim ndarjen e mjeteve shtesë për alokimin për ndihmë për stafin e përkohshëm prej 1,116 persona dhe marr parasysh ngarkesën e stafit ekzistues, është marr vendim e një pagese shtesë prej 10 për qind, por jo më pak se 60 euro, për tre muajt e ardhshëm, pra gusht, shtator, tetor”, ka thënë Murati.

Kosova gjatë muajit korrik 2021 ka shënuar deficit të lartë tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa Serbia vazhdon të ketë pjesëmarrjen më të madhe të importeve dhe se janë rritur eksportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Agjencisë së Statistikave, eksporti i mallrave për këtë muaj kishte vlerën 62.3 milionë euro, ndërsa importi 430 milionë euro, që është një rritje prej 46.2 për qind për eksportet si dhe 40.4 për qind për importet.

Të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 39.5 për qind në muajin korrik 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 367.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 263.6 milion eurosh që ishte vitin e kaluar.

ASK thotë se, eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 20.3 milionë euro, ndërsa importet ishin rreth 194.1 milionë euro.

Në muajin korrik 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milionë euro, kurse importet ishin 84.1 milionë euro. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14.9 milionë euro ose 24 për qind. Kurse, importet arritën në 151.7 milionë euro ose 35.3 për qind. /Telegrafi/