LAJMI I FUNDIT:

Ku zë fill qytetërimi?

Ku zë fill qytetërimi?

Nga: Klodi Smajlaj

Vite më parë, antropologia amerikane Margaret Mead u pyet nga një student, se cila ishte shenja, që ajo e konsideronte si më të parën, për qytetërimin e një kulture. Studenti priti që në përgjigjen e saj, Mead të përmendte grepin e peshkimit, enët prej balte apo gurët e blojës.


Por jo! Antropologia tha se shenja e parë e qytetërimit të një kulture të lashtë, ishte kocka, e cila ishte thyer e më pas ishte shëruar. Mead shpjegoi se në botën e kafshëve, nëse ndodh që ndonjërës prej tyre t’i thyhet një kockë, atëherë ajo ngordh. Në atë gjendje, kafsha s’mund t’i shmanget rrezikut, s’mund të shkojë te burimi për të pirë ujë e as nuk mund të sigurojë ushqimin e saj. Me kockën e thyer, ajo bëhet pre e egërsirave përreth. Asnjë kafshë nuk mbijeton dot aq gjatë, sa ç’i duhet kockës së thyer për shërim.

“Kocka e thyer, që më pas është rikthyer në gjendjen normale, përbën një dëshmi të qartë, se dikush i ka kushtuar kohë të rrëzuarit, ia ka lidhur atij plagën, e ka strehuar në një vend të sigurt dhe është kujdesur për të derisa ai e ka marrë veten. Qytetërimi zë fill pikërisht tek ndihma që ti i jep tjetrit në çaste vështirësish.” – e përmbylli përgjigjen e saj antropologia.