LAJMI I FUNDIT:

Ku do të fokusohet presidenca portugeze e Bashkimit Evropian?

Ku do të fokusohet presidenca portugeze e Bashkimit Evropian?

Kryeministri portugez, António Costa dëshiron të fillojë sa më shpejt livrimi i fondeve kundër COVID-19. Edhe tema të tjera të lëna në hije nga BREXIT-i dhe pandemia do të kthehen në axhendën e presidencës portugeze të Bashkimit Evropian.

Pak para Krishtlindjeve kryeministri portugez, António Costa, dhe ministri i Jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva, duhet të kenë marrë frymë të lehtësuar: para fillimit të presidencës së BE në janar, u kaluan në Bruksel si buxheti i BE edhe marrëveshja e BREXIT-it.


Kështu shteti i vogël në cepin më perëndimor të Evropës, do të mund të përqendrohet në vitin e ardhshëm tek ajo që ishte në plan – përgatitja e Evropës për të përballuar më mirë krizat dhe bërjen e Evropës më të gjelbër, më dixhitale dhe sociale. Krahas kësaj kërkohet të forcohet roli i BE-së në arenën politike botërore.

“Ne shpresojmë që të fillojmë shpejt si me aktivizimin e buxhetit të ri ashtu edhe me ndihmat në pandeminë e Coronës”, u shpreh ministri i Jashtëm Santos Silva.

Jo pa interes vetjak. Portugalia ka nevojë urgjente për pjesën e saj në paketën 750 miliardëshe të ndihmës ashtu si edhe vende të tjera. Rreth 26 miliardë për kufizimin e dëmeve të pandemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë do duhet të shkojnë në Portugali.

Fonde, që qeveria socialiste e pakicës në Portugali i ka shumë të nevojshme për të vazhduar kursin socialdemokrat të përmirësimeve sociale. Në Portugali pandemia COVID-19 ka shkaktuar një papunësi rreth 9 për qind, borxhet shtetërore janë rritur në 131 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, turizmi është bllokuar, një degë e rëndësishme e ekonomisë me vetëm 14 për qind të PBB-së për vitin 2019.

Për Portugalinë është e rëndësishme të krijojë një imazh pozitiv gjatë presidencës së saj.

“Si të gjitha vendet e vogla të BE-së, edhe Portugalia do ta përdorë gjashtëmujorin e presidencës të paraqitet sa më mirë dhe të tërheqë vëmendjen për vendin”, shprehet politologja Mónica Dias nga Universiteti Katolik në Lisbonë.

Shanset për këtë nuk janë aq keq, në fund të fundit vendeve të vogla të BE-së u duhet ta kompensojnë peshën e vogël politike me shumë diplomaci në bisedime.

Sipas Dias, përshtatur me traditën politike portugeze të kërkimit e gjetjes të kompromiseve, kjo mund të kthehet në avantazh për një pikërëndesë tjetër të presidencës së vendit.

Thellimin e Evropës sociale dhe solidare.

“Pa një Evropë më sociale, nuk do të jetë e mundur një Evropë më ekologjike dhe të ecet përpara me dixhitalizimin”, thekson Dias

Këtu duhet përmendur edhe një highlight tjetër në politikën e jashtme, të planifikuar gjatë presidencës portugeze – një samit me Indinë.

“Për të krijuar një balancim gjeopolitik është e rëndësishme që të zgjerojmë lidhjet politike dhe ekonomike me Indinë. Ne nuk duhet të lemë jashtë vëmendjes demokracinë më të madhe të botes”, shprehet ministri i Jashtëm portugez.

“Kjo ka rëndësi në mënyrë që BE të krijojë tregje të reja”, thekson Dias.

Nëse samiti i planifikuar më 8 maj në Lisbonë do të jetë një takim virtual apo me prezencë nuk dihet ende për shkak të pandemisë.

E sigurt është që Portugalia ka shanse të mira për një samit të suksesshëm: ky vend ka qenë deri në vitet 60-të fuqi koloniale në shtetin federal të Indisë, Goa. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, kryeministrit portugez, Costa, familja e të cilit vjen nga Goa, i është dhënë edhe nënshtetësia e nderit të Indisë. /Deutsche Welle/